Zaganjori, nga anëtar i PPSH-së, te PSD e më pas në Diplomaci

Jun 3, 2012 | 12:14

Xhezair Zaganjori

Një portret i kandidatit të maxhorancës për President .

“Në vitin 1998, për ironi të fatit, ka qenë një nga kritikët e Kushtetutës së re të Republikës”

Revista “Java” boton një portret të kandidatit presidencial të maxhorancës, i ndërtuar nga njerëzit që e njohin më mirë dhe nga ai vetë. Që nga vitet studentore, pedagogët që e kanë përkrahur, anëtarësimi në PPSH, dorëzimi i teserës, Gjermania, dashuria e tij, e deri tek aktiviteti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Revista “Java” boton një portret të kandidatit presidencial të maxhorancës, i ndërtuar nga njerëzit që e njohin më mirë dhe nga ai vetë. Që nga vitet studentore, pedagogët që e kanë përkrahur, anëtarësimi në PPSH, dorëzimi i teserës, Gjermania, dashuria e tij, e deri tek aktiviteti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Deri në vitin ’90
I gjatë, i pashëm, pa vese. Nuk pinte dhe nuk përdorte as alkool, as duhan. Që student njihej si një djalosh gati-gati i përkorë. Rezultatet e larta në shkollë e diferencuan nga bashkëstudentët e tjerë. Ndryshe nga shumë shokë të tij që studionin në jurisprudencë, “bij të prindërve”, shkodrani Zaganjori vinte nga një familje e thjeshtë dhe dy prindërit e tij punëtorë i kishin dhënë vetëm bekim dhe asnjë përkrahje tjetër. Babai i tij kishte ardhur në Shkodër që në moshën 15-vjeçare nga fshati Ana e Malit, që ndodhet në rrugën që të çon në Murriqan, në kufi me Malin e Zi, meqenëse i ati, gjyshi i Xhezair Zaganjorit, kishte vdekur shumë i ri. Ai kishte studiuar në Stamboll për hoxhë. Zaganjori i ri ka njohur kur ishte student jetesën e shtrënguar, tipike për varfërinë e kohës. Tip sportiv, luante futboll, volejboll dhe merrej me atletikë. Shpejt bie në sy të dy pedagogëve të njohur, Arben Puto dhe Luan Omari. Bashkë me studentin tjetër të Drejtësisë, Maks Haxhia – një mik i hershëm me të cilin nuk ka më miqësinë e vjetër – ai viziton shpesh selinë e Akademisë së Shkencave, ku takon dy profesorët dhe studion në bibliotekën e institucionit. Mëson gjermanisht dhe më pas edhe anglisht e frëngjisht.
Bëhet asistent i Putos. Edhe sot e konsideron profesor Puton një mik të mirë që i detyrohet shumëçka. Edhe pse jeta e tij, falë mirësisë së Putos, mori një rrjedhë më të mirë. Profesori i vjetër e njoftoi diku nga fundi i vitit 1987, në dimër, që ishte diskutuar për t’u pranuar si kandidat i Partisë së Punës. Njëzet e pesë vjet më pas Zaganjori e pohon këtë fakt. Ka pak, fare pak dëshmitarë që mund ta kujtojnë apo ta dinë një gjë të tillë, por gjykatësi nuk e ka problem: “Është thjesht e vërtetë. Ka ndodhur kështu”, thotë ai. Dilemën e atëhershme se çfarë do ta bënte e kishte zgjidhur shpejt, madje pa u këshilluar me askënd. Për shkak të biografisë i ishte refuzuar viza për studime në Francë; një anëtarësim në PPSH do ta çonte në ato dyer që regjimi i hapte vetëm për të besuarit e tij. I pranohet kërkesa për kandidat partie dhe i nënshtrohet regjimit të stazhit. Punon një vit si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit “21 Dhjetori” në Tiranë. Punëtor që përziente llaç dhe transportonte tulla në një nga ndërtesat e kompleksit spitalor në Tiranë. Kur u pranua në parti, regjimit i kishte ardhur fundi dhe, siç thotë vetë Zaganjori, “isha i fundit që u pranova dhe i pari që u largova nga Partia”.
Një tjetër specializim në Greqi i refuzohet, por fati i tij do të vinte nga gjermanishtja. Njihet me një punonjës së Ambasadës së sapohapur Gjermane në Tiranë, Verner Daum – personazhi i famshëm që hapi derën e Ambasadës më 2 korrik 1990 – dhe prej tij gjen mundësinë e një specializimi në Gjermani. Por nga premtimi i bërë në dhjetor 1987, realizimi vjen gati një vit më pas, në tetor 1988. Dhe jo një vit, sa ishte parashikuar, por vetëm për dy muaj e gjysmë, ai shkon në Gjermaninë e atëhershme Federale, i shoqëruar nga mentori i tij, profesor Arben Puto.
Pluralizmi
Me kthimin në Tiranë dhe nisjen e dimrit fatlum shqiptar të studentëve që solli pluralizmin, Zaganjori afrohet me grupin socialdemokrat të Gjinushit, por pa u bërë anëtar partie. Më 1991-shin udhëton sërish drejt Gjermanisë, në fondacionin “Max Planck”, për disa muaj. Sërish në Shqipëri, bëhet drejtor për Tiranën i Forumit të të Drejtave të Njeriut. Bashkëpunon në atë kohë me Maks Haxhinë, Zef Brozin e Abdi Baletën. Mbas zgjedhjeve të marsit 1992, me propozim të Skënder Gjinushit – Eduard Selami pretendon se është ai propozuesi i Zaganjorit – dhe dekret të ish-presidentit Berisha, emërohet ambasador i Shqipërisë në Gjermani. Ka pak të dhëna për atë kohë. Dëshmi të paverifikuara pohojnë se në stilin e tij të punës ishte që të rrumbullakoste shqetësimet që ngrinte pala gjermane ndaj politikës shqiptare, sidomos mbas referendumit për Kushtetutën e vitit 1994. Me dy bashkëpunëtorë të tij në Ambasadë, Pëllumb Kullën dhe Gafur Mukën, reflekton marrëdhënie korrekte. Në përgjithësi ishte karakter i mbyllur. Miq të tij thonë se atëherë ai u afrua shumë me Berishën dhe në kohën e skizmës mes PD-së dhe PSD-së mbas vitit 1994, ai i këputi marrëdhëniet me Gjinushin. Po në këtë periudhë u bë mik me shumë pjesëtarë aktivë të diasporës shqiptare nga Kosova në Gjermani dhe që nga ajo kohë kishte krijuar miqësi të fortë me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe me ish-kryeministrin e Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshin.
Në përgjithësi vitet 90’ ishin mjaft të mbara për Zaganjorin. Më 1991-shin zgjidhet anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë, në vitin 1993 merr gradën “Doktor i Shkencave Juridike” dhe 16 vjet më pas bëhet edhe Profesor.
Në vitin 1997, mbasi mbaron mandatin e tij diplomatik, e thërrasin në Ministri të Jashtme. Pyet nëse kishte vend për të në sistemin diplomatik, mirëkupton refuzimin e autoriteteve të kohës dhe si pakkush, dorëzon me rregull detyrën dhe pasaportën diplomatike për t’iu rikthyer mësimdhënies dhe botës akademike.
Në vitin 1998, për ironi të fatit, ka qenë një nga kritikët e Kushtetutës së re të Republikës. Burime të besueshme nga PD-ja pohojnë se Zaganjori dhe një grup i ngushtë juristësh ishin njerëzit që përgatisnin tezat e Berishës kundër projektit të Kushtetutës. Vetë Zaganjori e mohon atë fakt dhe pretendon se ka bërë vetëm komente për pjesë të veçanta të Kushtetutës, që ia ka përcjellë mikut të tij të vjetër, Haxhia. Atëherë askush nuk mund ta dinte që jo një trill i fatit, por i marrëveshjeve politike, do ta lidhte të nesërmen e Zaganjorit pikërisht me Kushtetutën. Fillimisht, në rolin e garantit të saj, më pas, edhe në kapërcimin që bëri drejt pragut të Presidencës.
Gjykata Kushtetuese
Duhet një rikthim në kohë. Në vitin 2002, me zgjedhjen e Presidentit Moisiu dhe shtensionimin e situatës mes PS-së në pushtet dhe opozitës së PD-së, zgjedhja e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese ishte pjesë e detantës mes Nanos e Berishës, siç ishte emri i kryeprokurorit, largimi i shefit të SHISH dhe disa detaje të tjera. Emri i Zaganjorit u propozua nga Berisha dhe u pranua nga Nano. “Më ka propozuar Moisiu, pretendon Zaganjori, emri im doli mbasi socialistët kishin refuzuar të votonin kandidaturën tjetër të Kudret Çelës, ish-ministër Drejtësie dhe në atë kohë, dekan i Fakultetit Juridik.
Në votim ai mori 89 vota pro, 9 vota kundër dhe 5 abstenime nga të pranishmit në votim. Që atëherë, kjo majë piramide e karrierës normale për një jurist do ta linte disi në hije Zaganjorin, sidomos për shkak të natyrës së vetë institucionit. Emri i tij u përmend disa herë në disa nga vendimet më të nxehta të kësaj gjykate, dhe kur u duk se u mbyll kjo histori, për të hapet një tjetër histori: propozimi për kandidaturën si President i Republikës. Është për t’u shënuar se që nga pranvera e vitit 2010, mandati i gjykatësit për Zaganjorin ka mbaruar. Ai është i detyruar të qëndrojë në detyrë deri sa të vijë pasuesi, por dy vjetët që kanë kaluar e bëjnë tërësisht një faull, së paku moral, qëndrimin e tij në ish-godinën e Komitetit Qendror. Një koleg i tij, Petrit Plloçi, në të njëjtat rrethana, dha dorëheqjen. Vetë Zaganjori votoi në një vendim të fundmë të Gjykatës kundër kërkesës së Presidentit aktual, që synonte zgjidhjen e këtij ngërçi. Ashtu siç ka votuar vendimin tjetër për t’i kërkuar Kuvendit “iniciativë kushtetuese” për zgjidhjen e problemit të mandatit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë.
Si ka vendosur në emër të Kushtetutës
Është shumë interesante të vihet re se si ka votuar në proceset e zhvilluara në Gjykatën Kushtetuese kandidati i sotëm presidencial. Në një kërkim të hollësishëm që JAVA bëri në vendimet e shpallura të Gjykatës gjatë viteve 2005-2012, kur në pushtet erdhi miku i tij Berisha, del një e dhënë befasuese. Nga 13 kërkesa që ka bërë opozita në këtë Gjykatë, Zaganjori ka votuar 11 herë kundër tyre. Në të paktën dy raste, vendimmarrja e zotit Zaganjori ngjan problematike. Në të parin dhe më të ndjeshmin për opinionin publik, në vendimin për kushtetutshmërinë e Marrëveshjes së detit me Greqinë, në të cilën Zaganjori ka qenë edhe relator i çështjes. Ka dyshime të bazuara – madje ato edhe janë publikuar dy vjet më parë – se me gjithë cilësinë e tij si anëtar i Gjykatës së Lartë, Zaganjori ka shërbyer si konsulent i Ministrisë së Jashtme në formulimin e Marrëveshjes. Emri i tij, si një nga specialistët e rrallë të së Drejtës Ndërkombëtare në Shqipëri, madje, është përmendur dhe në një nga mbledhjet e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë nga një prej negociatorëve të Ministrisë së Jashtme, Ledia Hysi. Një akt ky që në thelb është i papajtueshëm me detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Por vetë Zaganjori e mohon. “Nuk e kam bërë një gjë të tillë. Kam qenë vetëm një herë në grupin e punës që përgatiti argumentet për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë që do të shqyrtonte legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thotë ai.
Më pas vijojnë dy momente: së pari, legjitimimi si palë në proces i kërkuesit, Partisë Socialiste dhe shqyrtimi i çështjes në themel. Në momentin e parë, Zaganjori, Kristo, Tusha dhe Thanxa ishin katër gjykatës të cilët ishin për mospranimin e PS-së si palë dhe, rrjedhimisht, për lënien në fuqi të Marrëveshjes. Pesë gjykatësit e tjerë ishin kundër dhe bënin shumicën. Me votim pesë me katër u vendos që çështja të shqyrtohet në themel. Zaganjori ishte relator i saj dhe siç pohon dhe vetë: “E kam shkruar unë vendimin që u votua unanimisht. Ishte një marrëveshje me probleme të rënda dhe duhej të rrëzohej si antikushtetuese”, thotë ai për JAVA. Në një vështrim cinik të problemit mund edhe të rezultojë se mbas matjes dhe ekuilibrit të forcave, në kohën kur pesë gjykatës e kishin “ndarë mendjen” se si do të votonin, ishte e kotë të krijohej kosto votimi pro saj. Një tjetër çështje e ndjeshme për cilësinë e votës së Zaganjorit ka qenë dhe ajo për vendimin për prishjen e Piramidës në Tiranë. Ai ishte vota “pro” e moslegjitimimit në proces të jo më pak se një të pestës së deputetëve për të qenë palë në proces.
Marrë me shkurtime nga revista “Java”

© Panorama.al

Te lidhura