Yulia Svyrydenko dha dorëheqjen pas kërkesës së Zelensky-t, Parlamenti i Ukrainës miraton largimin e kryeministres

Jul 14, 2026 | 18:03

Parlamenti i Ukrainës ka miratuar këtë të martë dorëheqjen e kryeministres Yulia Svyrydenko, e cila largohet nga detyra pas vetëm një viti në krye të qeverisë, me kërkesë të presidentit Volodymyr Zelensky.

ukraina

Vendimi u miratua nga deputetët, ndonëse disa prej tyre shprehën rezerva për ndryshimin e papritur të kabinetit. Në fjalën e saj të lamtumirës, ekonomistja 40-vjeçare falenderoi për besimin e dhënë gjatë mandatit të saj.

Çdo ditë e këtij viti kërkoi vendime të vështira dhe veprime vendimtare. Kam besuar gjithmonë se më shumë rëndësi kanë rezultatet”, deklaroi ajo.

Svyrydenko mori drejtimin e qeverisë një vit më parë, pas një skandali të madh korrupsioni që përfshiu zyrtarë të lartë ukrainas. Megjithatë, kundërshtarët e saj e kanë kritikuar se nuk ndërmori masa të mjaftueshme për të luftuar korrupsionin.

Presidenti Zelensky ka deklaruar se Ukraina po ndryshon strategjinë e saj politike dhe se vendi ka nevojë për figura të reja në qeveri, pa dhënë më shumë detaje mbi arsyet e këtij riorganizimi.

Me largimin e Svyrydenkos bie automatikisht e gjithë qeveria. Sipas mediave ukrainase, mes kandidatëve kryesorë për postin e kryeministrit është Serhiy Koretskyi, drejtuesi i kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz. Në listën e emrave të përfolur janë edhe ish-kryeministri Denys Shmyhal dhe ministri i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, shkruan Reuters.

Ndryshimet në qeveri vijnë në një kohë kur Ukraina vijon përballjen me Rusinë, ndërsa autoritetet në Kiev po përgatiten për sfidat e dimrit dhe për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike nga sulmet e pritshme ruse. Në fjalën e saj të fundit, Svyrydenko theksoi se pikërisht sigurimi i furnizimit me energji gjatë dimrit do të jetë sfida më e madhe për qeverinë e re.

© Panorama.al

Te lidhura