Xhihani tek Flamurtari, firma një formalitet

May 25, 2011 | 10:00

Mesfushori kavajas që tre sezonet e kaluara ka luajtur në Ukrainë, Parid Xhihani, mendohet të jetë pjesë e Flamurtarit për sezonin e ardhshëm. Lojtari ka pasur edhe një takim me drejtuesit e klubit dhe më saktë me presidentin, Shpëtim Gjika, ndaj duket se gjithçka ka shkuar në rrugë të mbarë. Bisedat e nisura dhe të vijuara me futbollistin kavajas kanë ecur ndjeshëm dhe gjithçka pritet të mbyllet pozitivisht dhe ndoshta javën e ardhshme futbollisti mund të prezantohet në Vlorë, si prurja e re e sezonit. Xhihani mund të jetë blerja e parë e Flamurtarit për këtë merkato, që edhe pse s’ka nisur zyrtarisht pritet të jetë mjaft e nxehtë. Ndërkohë, bisedat me mesfushorin i konfirmon edhe shefi i klubit, Geri Çipi që sipas tij, Xhihani nuk është i vetmi lojtar për të cilin interesohet Flamurtari. “Është e vërtetë se  kemi pasur kontakt me Parid Xhihanin, madje një takim të tillë e ka zhvilluar vetë presidenti, Shpëtim Gjika. Pa dyshim mund të them se ka shkuar pozitivisht, por në këto momente nuk mund të themi se tratativa është mbyllur përfundimisht. Pëlqimi nga ana e lojtarit qëndron dhe kjo është më kryesorja, por duhen hedhur në letër edhe disa detaje të vogla, por mjaft të rëndësishme para se ta zyrtarizojmë”, ka pohuar Çipi.

© Panorama.al

Te lidhura