Ajo i këndon atij vargjet që ai i ka shkruar asaj. Të dy i thonë njëri-tjetrit “Ëngjëlli im”, sepse të mbron dhe s’të lëndon. Kanë përjetuar atë ndjesi që e kërkojnë të gjithë, dashurinë e vërtetë. Këngëtarja 18-vjeçare, Xhensila Myrtezaj, baladën e saj që këndon në “Top Fest 8”, vendosi t’ia dedikojë aktorit të njohur të “Portokalli-së”, Besart Kallakut. Sapo janë fejuar dhe kanë shkëmbyer unazat në ditën e lindjes së saj. Ndaj, kësaj here pranon të flasë Xhensila për lidhjen e tyre. Një histori që ajo e ka përjetësuar në të gjitha këngët e saj dhe shumë pak e kanë ditur. Nga “Kam frikë”, ajo pyet “A më do” dhe e finalizon me “Engjëlli im” rrugëtimin e njohjes së tyre. Në këtë intervistë të saj të parë rrëfen për historinë e këngës, që edhe pse ka hyrë në garën e gjysmëfinalistëve, tashmë sipas saj e ka një çmim, monedhën e dashurisë. Ja si e ka përjetuar Xhensila Myrtezaj lidhjen serioze me aktorin e humorit.
“Ëngjëlli im”, një baladë që ti pohove ne klipin e gjysmëfinales së “Top Fest 8” se ia dedikon Besartit. Kush e ka shkruar dhe pse vendose të bësh një dedikim të tillë për Besin?
Orkestrimi dhe muzika mban firmën e Nesti Dukës (Stines), ndërsa teksti Stine dhe Besi. E vërtetë është që ky krijim i dedikohet Besit.
Cilat janë vargjet në këngë që mendon se e shprehin më shumë atë çfarë ndieni për njëri-tjetrin?
Më mbaj në krah ëngjëlli im, ti më mbron jo s’më lëndon. Kam nevojë të shpreh atë që ndiej për ty, të them gjithçka, të them çdo gjë në lidhje me ty…
Kjo këngë vjen pas dy këngëve të tjera me titull “Kam frikë” dhe “A më do”. Ndoshta dhe këto këngë kanë lidhje me historinë tuaj?
Të them të drejtën në periudhën që kam kënduar këngën “Kam frikë”, nuk e njihja Besin personalisht, por sa herë që më ndodh ta këndoj “Kam frikë”, më kujtohen fillimet e mia me Besin, më kujtohet frika dhe pasiguria që kisha në fillim dhe më besoni çdo këngë që kam kënduar lidhet ngushtë me historinë time me Besin.
Në jetë ndodh që në fillim kërkon të bindesh nëse dikush të do dhe pastaj kur bindesh, mund të kesh frikë nga dashuria… Ti ke përjetuar momente të tilla në lidhjen tënde?
Do të thosha që unë dhe Besi kemi ecur me hapa të ngadaltë, por të sigurt dhe kur gjërat vijnë natyrshëm, nuk krijohet hapësirë për frikë, në kuptimin e vërtetë të fjalës frikë dhe pasiguri…
Në klipin prezantues në “Top Fest” pohove që pretendon çmimin “Best balade”. Ku e ndien veten me shumë Xhensila e vërtetë, në balada apo muzikë alternative?
Në fakt, janë dy rryma të ndryshme, po kur qëllimi i këngës është i njëjtë, përkushtimi është i njëjtë dhe personi që ia kushton është i njëjtë, atëherë unë ndihem mirë tek të dyja.
E njohim Besin si aktor që në skenë bën shumë humor. Si e njeh ti Besin në jetën që duhet marrë seriozisht?
Besi përcjell kudo energji pozitive me thjeshtësinë që e karakterizon e humorin dhe batutat e tij. Por Besin, kurrsesi s’mund ta përshkruaj vetëm me këto tri fjalë, pasi ai ka një zemër shumë të madhe dhe është buzëqeshja e ditës për mua, siç është dhe vargu im i këngës. (qesh)
Dhe tashmë gjithçka e keni finalizuar me fejesë. Pse morët një vendim të tillë, nuk është pak herët për moshën tuaj?
Kur dy njerëz duhen, nuk ka shumë rëndësi traditat sesa të ndjerit mirë, të dashurosh dhe të jesh e dashuruar. Në këtë rast, të dy jemi njësoj dhe e rëndësishme është ajo çka ndiejmë ne për njëri-tjetrin, sesa ajo çka do thonë të tjerët.
Keni bërë ndonjë dedikim të veçantë në unazat tuaja, çfarë është gdhendur në to?
Po, sigurisht. Në unazën e të dyve është shkruar germa B, shenja e kryqit në mes dhe germa Xh (pra inicialet e emrave tanë). Po ashtu është gdhendur data e fejesës, që është dhe data e lindjes sime 09.04.1993.
Si do të ndryshojë jeta juaj tani që jeni të fejuar, jeni më të lidhur me njëri-tjetrin? Vendimet i merrni bashkë?
Ne kemi qenë të lidhur me njëri-tjetrin gjithmonë dhe vendimet i kemi marrë bashkë, nëse diçka na ka pëlqyer ose jo. Jemi të dy krejt të natyrshëm dhe nuk na ndryshon asgjë.
Meqënëse dhe Besi tashme i ka hyrë muzikës me publikimin e klipit te tij “Katunari gangsta”, keni menduar të realizoni një duet bashkë?
E kemi menduar sigurisht, por do presim momentin e përshtatshëm.
Nëse do ktheheshim tek konkurrenca në “Top Fest 8”, cilat nga artistet e brezit tënd do veçoje si këngëtare vërtet të mira me të cilat ia vlen të jesh në konkurrencë?
Atëherë, nga artistet e brezit tim do të veçoja Anxhelina Hadërgjonaj dhe Beatriks Ramosaj. Janë vërtet këngëtare shumë të mira dhe jam e sigurt që në një të ardhme do të jenë edhe artiste të mirënjohura…
Ndërkohë që ti komentohesh si një vajzë e bukur dhe me sharm në skenë. Një vajzë e bukur duhet të ndihet me fat apo jo në ditët e sotme?
Bukuria është një plus në çdo kohë, por e përkohshme dhe jo më e rëndësishme dhe mbivlerësuar sesa një zë i bukur.
Ti sapo ke festuar 18-vjetorin, mosha kur vendosim të zgjedhim profesionin e jetës. Lidhet e ardhmja jote me muzikën?
Muzika për mua s’është thjesht një hobi, por është pjesë imja, megjithatë muzikën nuk mund ta shoh kurrsesi si profesion të parë. Njeriu nuk duhet kanalizohet vetëm në një fushë të caktuar, duhet të jesh sa më kërkuës nga vetja, për të çuar përpara talentin dhe pasionin tënd, që mund të mos jetë i vetëm…
KLOTILDA HARKA











