
E kujtojnë të gjithë këngën e Shijakut, që e bëri të njohur gjerësisht Xhavit Dedejin. Këngëtari i muzikës popullore, i cili është i pëlqyeshëm e dëgjohet jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, nga është origjina e tij, por në të gjithë vendin e jashtë kufijve ku jetojnë shqiptarë, po konkurron në treg dhe me muzikë të kohës, që nga turbo-folk e këngë të lehta. Brenda më pak se një viti, ai ka sjellë në treg tri këngë të reja, bashkëpunime me këngëtaret e muzikës së lehtë e popullore, si me Denisa Gjezon (Unë me ty), me Mirjetën (Të kam zemër) dhe më e fundit (Gocat). Fama e Xhavit Dedejit sot është ndërkombëtare dhe ai kërkohet të marrë pjesë në koncerte e festa familjare edhe në shtete të ndryshme të botës. Vetë këngëtari tregon se, pavarësisht se tabani i këngës së tij e ka origjinën në këngët e vjetra të Shqipërisë së Mesme, fare lehtë ai mund të përshtatet dhe të jetë konkurrent me muzikën që pëlqehet gjerësisht nga të gjithë brezat.
Veç publikimeve më të reja, ndër këngët më të njohura ndër vite të Xhavit Dedejit janë: “Shijak me halle”, “O Tironca marshallah”, “Vishe çun këmishën”, bashkëpunimi me Pandorën, “Bobi” etj. Sezoni veror është më i ngarkuari për Xhavitin dhe grupin e tij. Në fundjavë ai është i pranishëm me muzikë live në restorant “Lonto”, me muzikantët e talentuar, si: Devisi, Adi, Genti dhe Aldi. Ftesat janë të shumta nga vende të ndryshme të botës, ku ka shqiptarë dhe e pëlqejnë muzikën dhe këngët e Xhavit Dedejit.











