Projekti i Bashkisë për xhaminë, që do të ndërtohet prapa Pallatit të Kulturës, do të zgjidhet sot. Dje, kreu i Bashkisë, Edi Rama, ka bërë vetëm një hyrje të shkurtër para se t’i jepte fjalën përfaqësuesve të pesë studiove ndërkombëtare, të cilët kanë marrë pjesë në këtë konkurs.Bëhet fjalë për konkursin që parashikon ngritjen e një xhamie të re në Tiranë, prapa Pallatit të Kulturës, bashkë me Muzeun e Bashkëjetesës Fetare. Edhe pse kërkesa për xhami nga myslimanët e Tiranës ka më shumë se 10 vite që përsëritet publikisht pas çdo feste fetare, kreu i Bashkisë, 7 ditë para votimeve lokale, nuk ka dashur t’i japë tone të një fushate. “Më lejoni të mos zgjatem në fjalën time, përveç se të bëj një prezantim të pjesëmarrësve dhe më pas t’ua lemë arkitektëve të flasin me idetë dhe propozimet e tyre, aq më tepër kur bëhet fjalë për një objekt kaq të rëndësishëm për qytetin dhe po ashtu me një ndjeshmëri të posaçme siç është xhamia e re, të cilën nuk do të donim ta përfshinim për asnjë sekondë në kornizën e fushatës elektorale,apo të çfarëdo lloj debati politik”, theksoi dje Rama. Në konkurs, nga 100 firma u zgjodhën të paraqesin projektet e tyre të detajuara 5 prej tyre. Këto janë firma të njohura për ndërtime dhe vijnë nga Spanja, Anglia, Holanda, Danimarka dhe Franca. Njëra prej tyre do të zgjidhet sot, për projektin si do të jetë xhamia prapa Teatrit të Operës. Sipas bashkisë, në total firmat do të marrin 225 mijë euro, nga 45 mijë secila. Këto para, për projektin janë siguruar nga qeveria e Kuvajtit.
Përplasja me pronarët – Xhamia që prezanton Bashkia, do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 2500 metra katrorë. Në dokumentet e Bashkisë specifikohet edhe një shifër tjetër prej 2930 metra katrorë. Toka gjendet përballë Pallatit të Shkrimtarëve, te gropa, ose mbi ish-disko Albanian. Në këtë vend, Komuniteti Mysliman zotëron një sipërfaqe toke prej rreth 850 metrash. Toka tjetër, që duhet sipas Bashkisë për ndërtimin e xhamisë, është në zotërim të pronarëve tiranas të dyqaneve të Pazarit të Vjetër. Këta të fundit, në një letër publike drejtuar Presidentit Topi, kryeministri Berisha dhe tre ambasadorëve të SHBA, BE dhe OSBE, kërkojnë ndërhyrjen urgjente për zgjidhjen e problemit të pronësisë. “Ne qytetarët pronarë të truallit dhe dyqaneve të Pazarit të Vjetër, të prishura gjatë kohës së regjimit komunist të viteve 1960, dua t’i bëjmë me dije Bashkisë së Tiranës, qeverisë, trupit diplomatik dhe mbarë opinionit publik, aktin më të fundit mashtrues të kryebashkiakut Edi Rama. Sot, në vitin 2011, Edi Rama kërkon të ndërtojë “xhaminë e shumëpritur”, të besimtarëve myslimanë të Tiranës, pikërisht në vendin ende të lirë, të pazënë nga betoni bashkiak, duke shpërfillur në mënyrë përbuzëse pronarët e truallit”, thuhet në letrën e 88-të familjeve të vjetra të Tiranës. Sipas tyre, veprimi i Bashkisë është një shuplakë tjetër pas atij të qeverisë komuniste që i mori tokat. “Pasi humbëm mjetet e jetesës nga shkatërrimi i pronës nga Enver Hoxha, tani duhet të humbasim edhe trojet në mes të Tiranës”. Pronarët, firmat e të cilëve tregojnë qartë se janë të familjeve autentike Tiranase, e mbyllin letrën me kërkesën për ndihmë. KY është një rast flagrant i dhunimit të njërës prej të drejtave themelore të njeriut, të drejtës së pronës. Me akte të tilla dhunuese ndaj pronës dhe individit, Shqipëria nuk mund të zërë vendin e vet në familjen europiane. Lutemi ndërhyrjen tuaj për ndalimin e këtij dhunimi për herë të dytë në historinë e familjeve tona”.
Reagon Berisha – Përvec problemeve me tokën, Kreyministri Berisha dje ka shtuar një tjetër problem, akoma më të madh për të gjithë dhe fondamental për të gjithë besimtarët. Duke qenë një tokë e zaptuar,ajo nuk mund të shërbejë për xhami. “Për herë të parë gjatë jetës tënde, ke një muaj që merresh me problemin e një xhamie. Tani është normale që ne politikanët të merremi dhe të ndihmojmë me të gjithë potencialin tonë edhe kishat edhe xhamitë edhe teqetë dhe ti nderojmë sa më shumë komunitet fetare. Deri këtu e kemi detyrim, mirëpo ç’më patë sytë sot mua. Sot nga një anë ti more zotëri paraqisje projektin e xhamisë për ta ndërtuar në vendin prapa pallatit të kulturës, nga ana tjetër 30 pronarë protestonin se po ju grabisje pronën për të ndërtuar xhaminë. Atëherë do të më falësh zotit Rama, duhet të jesh i kujdesshme. Dy nga porositë themelore të Profetit janë, e para mos prek pronën e tjetrit dhe më duhet të them këtu se përpjekja jote për të servirur xhami në prona të grabitura është një lëndim për të gjithë besimtarët e Zotit, nuk ka mysliman që pranon që të falet mbi një xhami të ndërtuara mbi prona të grabitura. Natyrisht ti qëllimin nuk e ke për të lënduar besimtarët, e ke për të ndukur ndonjë votë, por kjo nuk mund të ndodhë, ta dha përgjigjen rinia vota nuk mund te merret me këtë mënyrë. Ndaj këshillohu më mirë kur merresh me disa probleme dhe mos bëj gafa të tilla, se nuk ndërtohet kisha dhe xhamia mbi toka të grabitura. Nuk di ç’bën.”, theksoi dje Berisha nga Durrësi.
Lista e kompanive në garë
ANDREAS PEREA ORTEGA
Madrid/ Spain
ARCHITECTURE STUDIO
Paris/ France
BIG
Kopenhagen/ Danimarke
seARCH
Amsterdam/ Holande
ZAHA HADID Architects
London/ UK
Lista e jurisë
Edi Rama
Vedran Mimica
Peter Sëinnen
Paul Böhm (Boehm)
Enzo Siviero
Artan Shkreli
Përfaqësues i
Komunitetit Mysliman











