Xhamia, Komuniteti Mysliman: Shpallja e fituesit, e parakohshme

May 3, 2011 | 13:57

TIRANË- Komuniteti Mysliman Shqiptar e ka quajtur të parakohshëm shpalljen e projektit fitues për xhaminë e Tiranës, duke përsëritur shqetësimin për problemin e pazgjidhur të truallit dhe lejes së sheshit të ndërtimit. Një ditë pas publikimit në “Panorama” të këtij shqetësimi dhe deklaratës për të mos prekur një pronë që nuk është e tyrja, KMSH ka reaguar zyrtarsisht edhe përmes një deklarate për mediat.

“Që në fillimin e tij, në takimet e bëra në bashkinë e Tiranës, KMSH ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim, që nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë, të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë cështje”- thuhet në deklaratën e KMSH.

Në të kujtohet edhe vendimi i Këshillit të Përgjithshëm, me 20 mars të këtij viti, kur u konstatua “mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të vetë komunitetit.

Komuniteti bën me dije se ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e bashkisë, për sqarimin e gjithë pasigurive dhe pikëpyetjeve të tjera, gjë që nuk ka ndodhur.

Sa i takon shpalljes së fituesit, pra projektit danez, KMSH e cilëson një gjë të tillë të parakohshme.

© Panorama.al

Te lidhura