Komuniteti Mysliman: S’e prekim tokën e pronarëve

May 3, 2011 | 10:19
PROJEKTI FITUES I XHAMISE SE TIRANES I KOMPANISE “BIG” NGA KOPENHAGENI

Unike, dhe pa miratimin e Komunitetit zyrtar Mysliman Shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur dje projektin danez të xhamisë së Tiranës.Konkursi mes 5 firmave ndërkombëtare ka përfunduar me zgjedhjen e variantit të “BIG” nga Kopenhaga, si modelin e ri të xhamisë.
Edhe pse gjatë prezantimit nuk u dhanë detaje teknike, të tre objektet, Xhamia, Qendra e Kulturës Islame dhe Muzeu i Bashkëjetesës Fetare do të ndërtohen sipas variantit danez. Në prezantimin e djeshëm, ranë në sy mungesa e përfaqësuesve zyrtarë të Komunitetit Mysliman, identiteti i jurisë që zgjodhi projektin, mungesa e të dhënave teknike dhe forma unike e Xhamisë së re.
Problemi i tokës
Edi Rama dhe, më vonë dje gjatë ditës, Bashkia, nuk sqaruan detaje teknike të projektit që u shpall fitues. Pra, nuk dihet sipërfaqja e tokës që do të zënë tri godinat, apo të paktën ajo e xhamisë për të cilën ka pasur dyshime dhe përplasje mes Komunitetit Mysliman dh Bashkisë. Sidoqoftë, duket se kreu i Bashkisë e kishte një zgjidhje për problemin e tokës; “Ne, jo vetëm që garantojmë se projekti i Xhamisë së Re dhe Qendrës së Kulturës Islame, janë konform Planit të Zhvillimit të Qytetit, por dhe konform të gjithë normave ligjore që kërkon ndërtimi i një godine, pa cenuar asnjë pronë dhe asnjë pronar. Ky ishte një sqarim i nevojshëm për opinionin publik”.
Prezantimi i Ramës
Pasi ka falënderuar firmat pjesëmarrëse, kreu i Bashkisë ka nënvizuar tri arsyet pse u zgjodh projekti danez. Duhet të theksoj tri aspekte të vlerësuara posaçërisht nga juria; Së pari, daljen e Xhamisë në shesh, pra krijimin e një hapësire, e cila përmbush nevojat e besimtarëve, për faljet e së premtes, krijimin e një hapësire që përmbush nevojat e besimtarëve për ditët e mëdha të vitit dhe krijimin e hapësirave që përmbushin nevojat e besimtarëve për faljet e përditshme”. Sipas Ramës, krahas këtyre funksioneve, krijohet një hapësirë e fituar publike për të gjithë qytetin dhe që krijon një lidhje harmonike midis objektit kult dhe Muzeut të ardhshëm të Tiranës dhe Bashkëjetesës Fetare, por edhe me vetë sheshin “Skënderbej”. “Kemi vlerësuar si një element shumë tërheqës dhe të rëndësishëm Kopshtin e Kuranit, krijimin e një kopshti rreth Xhamisë, që do të përmbajë të gjithë pemët dhe bimët e përmendura në Kuran, me një numër aq herë sa ato përmenden në Librin e Shenjtë të Kuranit dhe besoj se kjo është një vlerë e posaçme që ka propozimi dhe, së treti, kemi vlerësuar gjithashtu prirjen e qartë, për t’u orientuar drejt materialeve të vendit, drejt mundësive që ka sot vendi edhe në trajtimin e materialeve të ndërtimit dhe sigurisht kemi vlerësuar se kostoja e këtij projekti për Xhaminë nga njëra anë, dhe më tej për Muzeun, është një kosto e arsyeshme, që na jep mundësi të realizojmë atë që parashohim, pa pasur nevojë të ulim pritshmërinë ndaj projektit.” Sipas Ramës, funksioni i kompleksit do të jetë edhe për jo besimtarët. “Xhamia e Re dhe Qendra e Kulturës Islamike, së bashku me Muzeun, të jenë një pikë referimi për të gjithë qytetin dhe do të përbëjnë një hapësirë që i bashkon besimtarët dhe jo besimtarët, në një mjedis i cili do të jetë në dispozicion të komunitetit, për të gjitha nevojat e riteve fetare, por do të jetë njëkohësisht edhe në dispozicion të qytetit, si një hapësirë e cila afron komunitetin në tërësi.”
Juria pa Myslimanët
Në jurinë që zgjodhi firmën fituese, ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman. Në juri ishin katër përfaqësues të huaj, respektivisht, Vedran Mimica, Peter Swinnen, Paul Böhm (Boehm), Enzo Siviero, ndërsa Bashkia përfaqësohej nga Edi Rama, përfaqësues i shoqërisë civile ishte Artan Shkreli, ndërsa vendi i përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman ishte zënë nga ish-trajneri i kombëtares dhe i ekipit të Tiranës në vitet 1980, Shyqyri Rreli. Bashkia zyrtarisht u përgjigj se Rreli nuk përfaqësonte KMSH, por besimtarët myslimanë. Kjo juri zgjodhi projektin danez për Xhaminë e re të Tiranës. Ndoshta kjo ishte arsyeja që forma e Xhamisë së re ishte pak e habitshme për besimtarët myslimanë, aq më tepër që minarja, në rast se ishte ajo që paraqitet në foton e projektit, ishte më shumë si një obelisk, sesa si minare. Sidoqoftë, Rama premtoi një bashkëpunim tjetër me KMSH për numrin e minareve apo ngjyrave të mureve.

Lista e kompanive

• ANDREAS PEREA ORTEGA
Madrid/ Spanjë

• ARCHITECTURE STUDIO
Paris/ Francë

• “BIG”
Kopenhaga/ Danimarkë

• SEARCH
Amsterdam/ Holandë

• ZAHA HADID Architects
Londër/ UK

Lista e jurisë

• Edi Rama
• Vedran Mimica
• Peter Swinnen
• Paul Böhm (Boehm)
• Enzo Siviero
• Artan Shkreli
• Shyqyri Rreli*
*Në vend të Shyqyri Rrelit, duhet të ishte një përfaqësues i Komunitetit Mysliman, i cili mungoi.

1650 m2
Mendohet të jetë sipërfaqja e tokës që do të zërë ndërtimi i  Muzeut të Bashkëjetesës. Sipërfaqja e ndërtimit do të shkojë në 13 200 m2. Gjysma e kësaj sipërfaqeje pritet të jetë nën tokë

2500 m2
Pritet të jetë sipërfaqja e tokës që do të zërë ndërtimi i Xhamisë së re të Tiranës. E gjithë godina pritet të jetë 17 500 m2, nga të cilat 11 mijë metra do të jenë nën sipërfaqen e tokës

1000 mije
Është çmimi tavan që kishte vendosur Bashkia për koston e një metri katror ndërtim. Çmimi ishte për firmat që morën pjesë në konkurs, por edhe tavan për ndërtimin e xhamisë dhe Muzeut të ri

“BIG”: Ishte një surprizë, i kishim humbur shpresat

Dy përfaqësues të kompanisë daneze “BIG”, që u shpall fituesja e projektit më të mirë për Xhaminë e kryeqytetit, e konsideruan këtë lajm si të papritur. Liam Ross dhe kolegu i tij, gjatë fjalës përshëndetëse, pas shpalljes së fituesit nga kryebashkiaku Edi Rama, dhanë disa detaje për projektin, kompaninë dhe si e shihnin tani punën pas shpalljes së fituesit. “Historia e gjithë kësaj ngjarjeje është e jashtëzakonshme, sepse ne tashmë duke parë kohëzgjatjen e procesit, kishim filluar të merreshim në fazën emocionale duke menduar se kishim humbur, kjo është një surprizë shumë e bukur”, tha përfaqësuesi i kompanisë “BIG”. Sipas tij, projekti i prezantuar është në harmoni dhe në funksion të urbanistikës së qytetit. “Së pari kjo xhami do të ketë një funksion të veçantë në kompleksitetin e sheshit “Skënderbej” dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. E dyta, si gjëja më e rëndësishme në këto ditë, harmonia fetare, është një sfidë që të gjithë e përballojnë, duke mbështetur të tilla projekte dhe ide”, tha ai. Përfaqësuesi i “BIG” i mëshoi fort faktit që me përfundimin e kësaj Xhamie të re do të rivendoset edhe një herë bilanci i tri feve të ndryshme që jetojnë në harmoni në Tiranë, si ortodoksët, katolikët dhe islamikët. Studio “”BIG””, e shpallur fituese dje,  është një studio e re, e themeluar nga Bjarke Ingels në vitin 2006, por që tashmë ka në listën e saj të punëve objekte të njohura botërisht. “BIG” ka projektuar objekte të ndryshme duke filluar nga ato rezidenciale, projekte për muze, biblioteka, qendra kulturore e sportive. Eksperienca e studios shtrihet edhe në fushën e planifikimit urban.

Çfarë do shembet

Sipas maketit të paraqitur dje nga Bashkia, të tri objektet do të shtrohen nga fillimi i Disko Albania deri në fund te Hotel Miniri. Duket, të paktën nga pamjet se do të shemben të gjithë godinat deri te shkallët e Pallatit të Kulturës. Po sipas maketit, pritet të shemben edhe godinat ngjitur me Pallatin e Shkrimtarëve deri pranë Hotel Tiranës. Sipas ligjit, të gjitha këto godina duhet të dëmshpërblehen për shembjen e tyre. E gjithë toka ku do ndërtohen godinat, kanë pronarë të vjetër tiranas, pasi aty ka qenë vendosur Pazari i Vjetër i qytetit, i shembur më parë nga regjimi komunist. NERTILA MAHO

 


Myslimanët: Pse e refuzuam Bashkinë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka refuzuar të bëhet pjesë e çdo nisme apo vendimmarrjeje që cenon të drejtat e pronarëve të tokës në të cilën Bashkia e Tiranës ka projektuar ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet.Zyrtarët e Komunitetit Mysliman deklaruan dje për gazetën “Panorama”, se ky institucion nuk ka marrë pjesë në aktivitetin e djeshëm, ku kryetari i Bashkisë, Edi Rama, prezantoi studion fituese të projektit për ndërtimin e xhamisë së Tiranës. Drejtori për Marrëdhëniet me Median në Komunitetin Mysliman, Agron Hoxha, tha dje se KMSH është në të njëjtin qëndrim që përcaktoi një muaj më parë Këshilli i Përgjithshëm Drejtues, i cili theksoi se projekti i xhamisë ka mbetur peng i çështjes së pronësisë së truallit. Rreth një muaj më parë, Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i Komunitetit Mysliman mirëpriti mbështetjen e pushtetit qendror dhe atij vendor për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë, por bëri thirrje që para se të bëhen veprime konkrete, të zgjidhet çështja e pronësisë së truallit. “Ne nuk kemi qenë të pranishëm në aktivitetin ku është prezantuar projekti fitues. Ne si Komunitet jemi një nga ish-pronarët më të mëdhenj në Shqipëri që kërkojmë kthimin e pronave tona. Ne nuk mund të cenojmë të drejtën e pronarëve të tokës”, tha Agron Hoxha, zyrtar i Komunitetit Mysliman, i autorizuar për komunikimin me median. Hoxha thotë se “çdo diskutim apo vendimmarrje, si dhe çdo projekt, është i parakohshëm për sa kohë nuk është zgjidhur çështja e pronësisë së truallit ku do të vendoset objekti”. Drejtori për Marrëdhënien me Median në KMSH theksoi se Komuniteti dy ditë më parë ishte njohur, përmes medias, me protestën e mbi 30 pronarëve të truallit ku Bashkia planifikon të ndërtojë xhaminë. “Nisur nga ky fakt, ne nuk ishim të pranishëm në ceremoninë e shpalljes së projektit fitues”, tha Agron Hoxha, nga Komuniteti Mysliman. Ai theksoi se trualli ku Bashkia planifikon të ndërtojë është një sipërfaqe rreth 3 mijë metra katrorë tokë, ish-Pazari i Vjetër i Tiranës, ku çdo ngastër 50 metra larg njëra-tjetrës ka pronarin e saj. “Komuniteti Mysliman, në këtë sipërfaqe, ka vetëm 700 metra katrorë tokë, kur në fakt fjala është për një ndërtim që kërkon një sipërfaqe rreth 3 mijë metra katrorë”, tha drejtori për Marrëdhëniet me median në KMSH. Sipas tij, Komuniteti ka marrë përsipër ta ndërtojë vetë xhaminë, Bashkia duhet vetëm të zgjidhë problemin me pronarët e truallit. “Ne kemi shembuj të ndërtimit të xhamive në rrethet e tjera, jemi të bindur se fondi mblidhet brenda një muaji nëse kërkojmë kontributin e besimtarëve, biznesit dhe të shoqërisë”, tha Hoxha. Ai theksoi se tani për tani nuk ka një buxhet për ndërtimin e xhamisë, pasi jemi në mesin e vitit dhe, po ashtu, nuk mund të flitet për nisjen e procedurës pa u zgjidhur çështja e pronësisë, që është edhe problemi kryesor në këtë rast.

Këshilli i KMSH: Bashkia po na gënjen

Më 21 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i Komunitetit Mysliman, duke marrë në konsideratë interesimin e vazhdueshëm të besimtarëve në lidhje me ndërtimin e xhamisë së re, deklaroi se e vlerëson mëse të nevojshëm informimin e besimtarëve e qytetarëve myslimanë dhe të mbarë opinionit publik, se Këshilli i Përgjithshëm i KMSH ka mirëpritur nismën e vonuar për ndërtimin e xhamisë së re në Tiranë që në fillim. “Në arritjen e këtij objektivi, Këshilli i Përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit, që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë si dhe paqartësi të tjera”, thuhet në deklaratën e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH.

Pronarët: Ne nuk e japim tokën tonë

Pronarët e tokës, dikur Pazari i Vjetër, reaguan ashpër një ditë më parë lidhur me ndërtimin e tri objekteve në qendër të Tiranës. Në një letër publike drejtuar Presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe tre ambasadorëve, të SHBA, BE dhe OSBE, kërkojnë ndërhyrjen urgjente për zgjidhjen e problemit të pronësisë. “Sot, në vitin 2011, Edi Rama kërkon të ndërtojë “xhaminë e shumëpritur” të besimtarëve myslimanë të Tiranës, pikërisht në vendin ende të lirë, të pazënë nga betoni bashkiak, duke shpërfillur në mënyrë përbuzëse pronarët e truallit”, thuhet në letrën e 88 familjeve të vjetra të Tiranës. Sipas tyre, veprimi i Bashkisë është një shuplakë tjetër pas atij të qeverisë komuniste që i mori tokat. “Pasi humbëm mjetet e jetesës nga shkatërrimi i pronës nga Enver Hoxha, tani duhet të humbasim edhe trojet në mes të Tiranës. Ky është një rast flagrant i dhunimit të njërës prej të drejtave themelore të njeriut e të drejtës së pronës”. Trazhgim Sokolaj

 


© Panorama.al

Te lidhura