Xhafaj, drejt firmës së re me Flamurtarin

May 28, 2011 | 10:15

Daniel Xhafaj pritet të jetë sërish sulmuesi kryesor i Flamurtarit edhe për sezonin 2011-2012.Burime në klubin vlonjat konfirmojnë për “Panorama”, se presidenti, Shpëtim Gjika, nuk ka ndërmend të lërë të lirë golashënuesin më të mirë të kampionatit. Nga ana tjetër, vetë Xhafaj pranon për gazetën se ka kontaktuar ditët e fundit me drejtuesit dhe sinjalet për rinovimin e kontratës janë pozitive. Megjithatë, për këtë pritet të ketë diçka konkrete të hënën, kur do të bisedohet konkretisht mes palëve. Që pas përfundimit të kampionatit, Xhafaj asnjëherë nuk e ka menduar largimin nga Flamurtari, edhe pse shpesh është folur për interesimin e Skënderbeut, që nuk ka qenë kurrë konkret. “Jam i kënaqur që drejtuesit e klubit më kanë dhënë një përgjigje, pasi që kur kishte përfunduar kampionati nuk kisha pasur asnjë kontakt me ta. Normalisht, kjo situatë më ka vënë pak në siklet, sepse duhet menduar për të ardhmen, edhe pse mund të duket se është ende herët. Unë e kam thënë dhe do ta përsëris, që dua të vazhdoj të jem pjesë e Flamurtarit. Pas takimit që do të kem me presidentin Gjika, mendoj se do të vendos për rinovimin. Sigurisht, së pari do të dëgjoj një herë kushtet e klubit dhe më pas do të jap mendimin tim”, – është shprehur sulmuesi vlonjat. Kontrata – Ndonëse drejtuesit e Flamurtarit kanë konfirmuar se Daniel Xhafaj do të jetë në planet e tyre për sezonin e ri, nuk dihet shifra që do t’i ofrohet lojtarit për të rinovuar kontratën. Në sezonin e fundit Xhafaj ka qenë lojtari më i paguar i Flamurtarit, me 70 mijë euro në sezon, bashkë me Bledar Devollin. Në rast se oferta e klubit është më e ulët, gjasat janë që sulmuesi të mos pranojë. Megjithatë, klubi është i ndërgjegjshëm për vlerat që ka 34-vjeçari. Pa atë në fushë Flamurtari e ka pasur gjithnjë të vështirë për të fituar. Xhafaj shënoi 18-të herë në sezonin e fundit, ndërkohë që goli në Shkodër me Vllazninë nuk iu quajt, pasi Flamurtari u tërhoq nga fusha dhe e humbi ndeshjen në tavolinë. Gjithsesi, më konkretisht për të ardhmen e Xhafajt, por jo vetëm, do të mësohet të hënën, kur dhe klubi do të nisë bisedimet.

Lëvizjet

Largimi i Odise Roshit i ka hapur një “gropë” të madhe Flamurtarit në krahun e djathtë të mesfushës. Duke pasur parasysh vlerat e talentit fierak, tashmë drejtuesit e Flamurtarit janë në “hall” për ta zëvendësuar të riun. Pritet që klubi të bëjë një sforco financiare për të sjellë në Vlorë argjentinasin që mbylli sezonin me Skënderbeun, Rafael Soza. Edhe në verën e vitit të kaluar presidenti Gjika, këmbënguli për të pasur në skuadër Sozën, por në momentet e fundit ai zgjodhi Skënderbeun. Tashmë që sezoni u mbyll dhe kontrata e argjentinasit me klubin korçar ka përfunduar, vlonjatët kanë hyrë në bisedime. Mësohet se menaxheri i lojtarit ka folur pak ditë më parë me përfaqësuesit e klubit vlonjat.

© Panorama.al

Te lidhura