Wollfarth-Topi: Partitë politike të njohin rezultatin e zgjedhjeve

May 9, 2011 | 14:55

Kreu i Shtetit, Bamir Topi, kërkoi dje shmangie të çdo incidenti që do të prishte zgjedhjet qytetare. Nga Petrela, ku presidenti Topi së bashku me ambasadorin e OSBE/ODIHR ishin dje në mesditë  për të monitoruar një nga qendrat e votimit, bënë apel për shmangie të incidenteve në zgjedhje, si dhe qytetarëve të dalin në votime. “Kjo ditë të përjetohet si festë dhe të shmangen incidentet në zgjedhje”, u shpreh Presidenti, duke shtuar se “kjo ditë duhet të jetë jashtë deklaratave për tensioneve dhe se nuk kanë rëndësi episodet e vogla, por pjesëmarrja masive”. “Dëshiroj që të gjitha palët, të gjithë kandidatët, por do të doja ta thoja edhe për mediat, të mos i japim shumë rëndësi episodeve të vogla, sepse konstatoj herë pas here që episodet e vogla nganjëherë hiperbolizohen dhe bëhen çështje të një debati shumë të ashpër edhe në studio. Jepini rëndësi asaj që është më e rëndësishmja, pra, pjesëmarrjes masive, ruajtjes së integritetit të këtij procesi dhe është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të jenë të paintimiduar. Të mos ketë asnjë lloj presioni”, u shpreh Topi. Nga ana e tij, ambasadori i OSBE/ODIHR ka thënë se ” Zgjedhjet kanë filluar mirë dhe presim një ditë të qetë sot. “Kreu i OSBE/ODIHR në Tiranë ka cilësuar “të rëndësishëm procesin e numërimit”, ndërsa u ka bërë thirrje partive politike të pranojnë rezultatin. “Mesazhi që unë kam për klasën politike është që të tregojnë vërtet aftësi lidershipi dhe të pranojnë rezultatet e këtij procesi zgjedhor, ashtu sikurse pres që edhe qytetarët të votojnë të lirë, në mënyrë të hapur, por ajo që do të prisja më shumë, është pikërisht nga politikanët, të pranojnë rezultatet e këtij votimi”, u shpreh Wolfarth.

© Panorama.al

Te lidhura