Rrethi i ngushtë i oligarkëve rusë të lidhur me presidentin Vladimir Putin vazhdon të shijojë një stil jetese luksoz, pavarësisht sanksioneve të vendosura nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës.
Sipas një hetimi të publikuar nga The Wall Street Journal, biznesmenët e afërt me Kremlinin po përdorin avionë privatë luksozë të prodhuar në Perëndim falë një rrjeti kompanish ndërmjetëse, regjistrimesh offshore dhe transaksionesh të kryera përmes vendeve që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.
Ndër emrat e përmendur në raport është Sergey Chemezov, drejtori ekzekutiv i gjigantit rus të mbrojtjes Rostec. Sipas hetimit, ai ka përdorur një avion privat të markës Bombardier me vlerë rreth 75 milionë dollarë për të paktën gjashtë udhëtime drejt Dubait, Turqisë dhe Azisë Juglindore gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti.
Raporti thekson se shumë miliarderë rusë janë detyruar të ndryshojnë destinacionet tradicionale të pushimeve dhe biznesit. Në vend të qyteteve si Londra, Riviera Franceze apo Alpet zvicerane, ata po orientohen gjithnjë e më shumë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, Turqisë dhe Azerbaxhanit.
Sipas “Wall Street Journal”, një rrjet kompanish ndërmjetëse blen avionë privatë nga prodhues perëndimorë ose në tregun e përdorur dhe më pas i regjistron ato në juridiksione të reja, duke i bërë të disponueshëm për shtetas rusë që janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.
Përveç Chemezovit, në hetim përmenden edhe Arkady Rotenberg, një bashkëpunëtor i hershëm i Putinit, si dhe Igor Kesaev, oligark me interesa në industrinë e prodhimit të armëve.
© Panorama.al












