Vrau gruan për xhelozi, arrestohet në Tropojë

Nov 10, 2011 | 16:16
Shtepia ku ndodhi krimi

TROPOJE- Është arrestuar në Tropojë efektiv i policisë private, Ismet Hysaj, i cili vetëm pak ditë më parë vrau gruan e tij pranë mbikalimit të Kamzës në Tiranë. Policia tha se Hysaj që prej ditës së krimit ishte fshehur tek të afërmit e tij në Tropojë. Autori i krimit, shtetasi Ismet Hysaj, 37 vjeç, pasi vrau të shoqen, Edlira Doçi u larguar nga vendi i ngjarjes, duke marrë me vete edhe vajzën 2 vjeçe, e cila u gjet nga policia dy ditë më parë tek të afërmit e tij në Tiranë.

Në datën 7 nëntor policia njoftoi se  kishte zbuluar vendndodhjen e tij. Burime nga grupi hetimor thanë se nga verifikimi nëpërmjet antenave të telefonisë celulare, 40-vjeçari Hysaj është lokalizuar në Tropojë. Drejtues të Policisë së Tiranës kanë arritur të bisedojnë dy herë me të, duke negociuar për dorëzimin e tij në këmbim të lehtësirave ligjore, megjithatë autori i ngjarjes ka refuzuar dorëzimin.

Në operacionin e kërkimit të Ismet Hysajt kanë qenë angazhuar kryesisht forcat e policisë së Komisariatit të Bajram Currit, por edhe të Drejtorisë së Policisë së Kukësit.

© Panorama.al

Te lidhura