FIER- Gjykata e Fierit vendosi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për gruan 45-vjeçare Dallëndyshe Kasaj. Tri ditë më parë, ajo u bë protagoniste e një ngjarje të rëndë brenda familjes së saj, duke vrarë të shoqin me vaj të nxehtë. Dje, në seancë nuk ishte i pranishëm askush nga familjarët e saj, por as të afërm të viktimës. Ndërsa 45-vjeçarja për shkaqe shëndetësore nuk u paraqit në gjykatë. Ajo është përfaqësuar nga një avokat i caktuar nga shteti. Prokuroria u kërkoi togave të zeza ta linin në burg gruan, duke e akuzuar atë për veprën penale të “vrasjes me paramendim në rrethana rënduese”. Mësohet se 45-vjeçarja Kasaj është dërguar mbrëmjen e së dielës në Tiranë, tek burgu i grave. Dallandyshe Kasaj, gjatë një debati me të shoqin Xhelo Kasaj për çështje të ekonomisë familjare, mori vendimin fatal duke i hedhur atij vaj të nxehtë. Policia deklaroi pas ngjarjes se ky ishte një krim i rrallë dhe se ata nuk kishin pasur asnjëherë më parë një precedent të tillë, ku një person të vritet me vaj të nxehtë. m.r











