
Arrestohet autori i vrasjes së biznesmenit të ndërtimit në Vlorë. Dy javë pas ngjarjes që tronditi qytetin, policia e Vlorës në bashkëpunim me blutë e Tiranës dhe forcat RENEA, arritën të prangosnin 32-vje-çarin Adnand Gori. I kërkuari me akuzën e vrasjes kishte arritur të depërtonte postblloqet e policisë pas krimit të rëndë ku mbeti i vrarë 42- vjeçari Ardian Dervishi, dhe të mbërrinte në kryeqytet, aty ku ai mendonte se mund t’i shpëtonte prangosjes. Por falë punës së kryer prej dy javësh dhe të dhënave të siguruara në rrugë operative nga agjentët e policisë u arrit të lokalizohej vendi ku strehohej i kërkuari Gori. Burime të Policisë bënë të ditur se 32-vjeçari kishte marrë një banesë me qira në vendin e quajtur “Ish-Fusha e Aviacionit” në Tiranë. Pas sinjalizimeve të dhëna, blutë nisën hetimet duke mbajtur në survejim gjatë këtyre ditëve banesën e dyshuar. Nëpërmjet metodave speciale të hetimit është arritur të konfirmohet se personi i kërkuar ndodhej pikërisht në banesën që ata mbanin në survejim. Për këtë shkak, policia organizoi operacionin e koduar “Aerodromi”. Në operacion për kapjen e tij, veç policisë së Vlorës dhe të Tiranës, u angazhuan edhe forcat e RENEA-s, duke i paraprirë kështu ndonjë përplasje të mundshme mes të kërkuarit dhe efektivave të policisë. Kjo pasi 32-vjeçari konsiderohej si një person që paraqiste rrezikshmëri. Ai kishte qenë i dënuar edhe më parë me tri vite burg për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Por fatmirësisht, operacioni përfundoi me sukses pa u lënduar asnjëra nga palët. Ngjarja e rëndë ku mbeti i vrarë biznesmeni Dervishi ndodhi më 25 dhjetor të vitit të kaluar. Viktima dhe autori ishin prej disa kohësh në konflikt për pronësi. Nga hetimi i kryer rezultoi se Dervishi po ndërtonte një pallat në tokën që ishte në pronësi të Adnand Gorit. Ata kishin rënë dakord për përqindjen që duhej të merrte 32-vjeçari pas ndërtimit të pallatit. Por më pas ai ishte penduar, duke i kërkuar ndërtuesit që të përfitonte një përqindje më të madhe. Për këtë shkak kanë nisur edhe konfliktet, pasi Ardian Dervishi nuk ka pranuar t’i japë përqindje tjetër veç asaj që ata kishin rënë dakord dhe firmosur që në fillim. I zoti i tokës së pallatit në ndërtim e kishte kërcënuar disa herë biznesmenin. Ai kishte kontaktuar ditën e ngjarjes në telefon me viktimën dhe kishin fiksuar si vend takimi një magazinë të madhe tullash që menaxhonte Dervishi. Pas debatit mes tyre te magazina, në sy të punëtorëve që kishte punësuar 42-vjeçari, Gori ka nxjerrë një armë zjarri duke e qëlluar atë. Viktima mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë disa orë më pas në spitalin e Vlorës. Ndërsa autori arriti të largohej, për t’u arrestuar dy javë pas vrasjes në Tiranë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











