Vrau 26-vjeçarin, 2 vjet burg Kostandin Xhuvanit

Nov 18, 2011 | 9:11

Gjykata e Tiranes

Krimi në Qytetin Studenti, Gjykata: Autori u pendua dhe u vetëdorëzua. Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me 2 vjet burg Kostandin Xhuvanin, djalin e artistëve Luiza dhe Gjergji Xhuvani.

I riu akuzohet për vrasjen me armë zjarri të një 26-vjeçari në Qytetin Studenti në Tiranë. Xhuvani u deklarua fajtor për veprat penale të “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të shtetasit Alfed Musabelliu dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Në të njëjtin vendim u deklarua fajtor edhe i bashkëpandehuri i tij, Albi Zela. Ai u dënua me 14 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. Xhuvani dhe Zela u akuzuan nga prokuroria për përfshirjen e tyre në një ngjarje të ndodhur mëngjesin e 12 shkurtit të këtij viti në rrugën “Ali Visha” në Tiranë. Sipas prokurorisë, Xhuvani ishte në banesën e mikut të tij, Albi Zela, kur aty ka ardhur i ndjeri Alfred Musabelliu, i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Po sipas prokurorisë, dy shoqëruesit e tij kanë pritur jashtë portës, ndërsa Musabelliu është futur në oborrin e banesës, për të sqaruar një konflikt që kishte pasur me Albi Zelën. Aty ai është përleshur me Zelën. Referuar prokurorisë, i pranishëm në zënkë ishte edhe Xhuvani, që në momente tensioni ka shkrepur një armë në drejtim të 26-vjeçarit Musabelliu, duke e vrarë atë. Detajet e hollësishme të dinamikës së ngjarjes pritet të zbardhen bashkë me zbardhjen e arsyetimit të vendimit të Gjykatës, në ditët në vijim.
VENDIMI
Vendimi i fajësisë për 22-vjeçarin Xhuvani, i biri i aktores dhe njëkohësisht deputetes Luiza Xhuvani, është shpallur pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës. Pas tri seancash gjyqësore, një trupë gjykuese e kësaj gjykata ka shpallur vendimin përfundimtar të dosjes me të pandehur Kostandin Xhuvanin dhe Albi Zelën. Ky gjykim është zhvilluar me kohë të shkurtuar, prej të cilit dy të pandehurit kanë përfituar uljen e një të tretës së dënimit në masën e dënimit përfundimtar. “Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, të pandehurit Kostandin Xhuvani i caktohet një dënim i vetëm prej 3 vitesh burgim. Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht i pandehuri Kostandin Xhuvani dënohet me 2 vjet burgim”, thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës. Në të njëjtën formë edhe i pandehuri Zela, për të cilit gjykata vendosi dënimin me 21 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi i tij përfundimtar u caktua 14 muaj heqje lirie. Pas ngjarjes ku mbeti i vrarë më armë zjarri shtetasi Alfred Musabelli, policia arrestoi vetëm të pandehurin Albi Zela, pasi i pandehuri Xhuvani i shpëtoi arrestimit. Ai qëndroi në arrati përreth tre muaj dhe më pas në javën e fundit të muajit maj, u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Fillimisht ai ishte i dyshuar për akuzën e “vrasjes me dashje”, por pas hetimeve të mëtejshme, akuza ndaj tij u klasifikua si “vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.
PENDESA
Kostandin Xhuvani shfaqi pendesë për ngjarjen e ndodhur direkt pas dorëzimit të tij në polici. “Jam penduar për atë që ndodhi. Nuk doja kurrsesi që të ndodhte, por kur i pashë në dorë pistoletën që ia kishte drejtuar shokut tim, e kam shkrepur armën unë i pari dhe menjëherë më pas u pendova për atë që bëra”, u mësua të kishte deklaruar ai pas vetëdorëzimit.

© Panorama.al

Te lidhura