Vrasja e Trashanit, burg taksistit

Feb 25, 2011 | 12:19

Mulaj akuzohet nga Prokuroria për “përkrahje të autorit të krimit” për ngjarjen e orëve të para të mëngjesit të 2 shkurtit 2010, pranë Zogut të Zi, në Tiranë, ku një 32-vjeçare u masakrua me thika në banesën e saj. Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin të ligjshëm të arrestimit në kushtet e flagrancës për Mulajn dhe lënien e tij në “arrest me burg” deri në përfundim të hetimeve. Mbrojtësi ligjor i Mulajt pretendoi se klienti i tij nuk kishte lidhje me ngjarjen kriminale.
SEANCA
Vetëm pak çaste pasi Abedin Mulaj konfirmoi gjenealitetet e tij nga kafazi i hekurt, gjyqtarja Fida Osmani urdhëroi boshatisjen e sallës nga publiku. Më parë, prokurori i çështjes kërkoi një seancë me dyer të mbyllura. “Blindimi” i seancës u kërkua pasi në aktet e prokurorit do të përmendej edhe identiteti i të dyshuarit si autor i vrasjes. Ndonëse policia e Tiranës pranoi zyrtarisht pak ditë më parë se është një i dyshuar, emri i tij nuk është publikuar për arsye të hetimit. Burime pranë gjykatës konfirmuan dje se pas paraqitjes së provave, prokurori kërkoi lënien në burg të Mulajt. Prokurori ka pretenduar se ditën e ngjarjes, i dyshuari si vrasësi i 32-vjeçares Trashani e ka përdorur disa herë taksinë e Abedin Mulajt. Nga burimet u mësua se vetë Mulaj nuk shfaqi pretendime para gjykatës. Ndërsa mbrojtësi i tij, avokati Fatmir Mekoçi, ka pretenduar dje se klienti i tij ishte keqtrajtuar nga policia. “Në polici është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike”, mësohet të jetë shprehur avokati. Sipas avokatit, klienti i tij nuk kishte lidhje me ngjarjen. Ai vetëm u ishte bindur “urdhrave” të “autorit” në marrëdhënien shofer taksie-pasagjer. Sipas avokatit, gjatë kohës që e ka pasur në automjet, Mulaj nuk ka vënë re asgjë të dyshimtë tek “i dyshuari” i Prokurorisë.
PROKURORIA
Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur dje se personi i dyshuar për autorësinë e vrasjes është larguar nga Shqipëria. Si motiv të ngjarjes, Prokuroria dyshon atë të xhelozisë, pasi i dyshuari ka pasur një lidhje sentimentale të mëparshme me juristen Trashani. Kjo lidhje kishte pasur si fillesë të saj një njohje në internet. Po sipas Prokurorisë, ditën e ngjarjes, ai ka udhëtuar me taksinë e Abedin Mulajt nga Rinasi në drejtim të “Dy Kullave” në Tiranë. Pak orë më vonë, po me këtë taksi, ai ka shkuar në rrugën “Muhamet Gjollesha” në afërsi të Zogut të Zi, pranë vendit ku ndodhi vrasja. Aty taksia e ka pritur për pak kohë dhe më pas e ka dërguar në një banesë në një nga lagjet e Tiranës. Po sipas akuzës, të nesërmen në mëngjes, i dyshuari i ka kërkuar sërish Mulajt ta dërgonte në Rinas. Por kjo kërkesë nuk është zbatuar nga Mulaj.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura