Vrasja e taksistit, akuza: ‘Burg përjetë’ e ‘25 vjet’ dy autorëve

May 28, 2011 | 11:21
Reagimi në sallë i babait të taksistit të vrarë

Një dënim me “burgim të përjetshëm” dhe “45 vite burg” për të pandehurit e tjerë të vrasjes së taksistit Fredi Talelli.Kjo ishte masa e dënimit që kërkoi dje Prokuroria e Korçës për gjashtë të pandehurit e akuzuar për vrasjen që ndodhi më 21 nëntor të vitit të kaluar. Pretenca dha dënim me “burg të përjetshëm” për Elkjero Revanin, 22 vjeç nga Bilishti, dënim me “25 vjet burg” për 17- vjeçarin Arnest Xhaxhka, po nga Bilishti. Ata akuzohen si autorët kryesorë të “vjedhjes në bashkëpunim me pasojë vdekjen” e taksistit Fredi Talelli. Për katër të pandehurit e tjerë, që kanë penguar zbulimin e së vërtetës apo kanë përkrahur autorët pas kryerjes së krimit, organi i akuzës ka kërkuar dënime më të ulëta, që shkuan nga 10 vjet, që ishte masa më e madhe e kërkesës për dënim, deri në 1 vit burg. Për Domeniko Kumria, 24 vjeç nga Elbasani, i akuzuar për “veprime që penguan në zbulimin e së vërtetës” dhe “përkrahje të autorëve pas kryerjes së krimit” u kërkua 8 vjet heqje lirie. Akuza kërkoi 10 vjet burg për Kastriot Papleka, 18 vjeç nga Lezha, i akuzuar për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërsa dy të akuzuarit e tjerë si të implikuar në këtë ngjarje, A. Selmani, 17 vjeç nga Lezha dhe J. Zecja, 17 vjeç nga Laçi, u kërkua dënim me nga një vit burg secili. Në seancën e radhës, ku u dhanë konkluzionet e prokurorit të çështjes, u paraqitën vetëm dy nga të pandehurit, Arnest Xhaçka dhe Kastriot Papleka. Katër të pandehurit e tjerë, edhe për shkak të moshës së mitur, u përfaqësuan nga avokatët në prezencë edhe të psikologëve. Kërkesa paraprake e avokatëve për njërin prej të akuzuarve kryesorë Arnest Xhaxhka, i cili për shkak të moshës së mitur mund të përfitojnë uljen deri në gjysmë të dënimit, ka sjellë reagim të ashpër të familjarëve. Babai i viktimës kërkoi dënimin maksimal për të pandehurit që, sipas tij, i morën jetën të birit. Ndërsa bashkëshortja e taksistit ka kërkuar në seancat e mëparshme dënimin me vdekje për vrasësit e të shoqit. Sipas Prokurorisë, Fredi Talelli nga fshati Pilur i Devollit u vra në afërsi të fshatit Koritë të Pogradecit. Pasi e kanë vrarë, ata e kanë hedhur trupin e tij anës rrugës në një kanal. Ngjarja u zbulua vetëm pasi mjeti i taksistit u gjet në një përrua në Elbasan, të cilën e kishte hedhur Domeniko Kumria.

Mjeti në lumë çoi në zbulimin e autorëve

Kur elbasanasi Domeniko Kumria mësoi se policia kishte filluar kërkimet për zhdukjen e taksistit, veproi duke e hedhur mjetin e Talellit në lumë, në një kohë me shira të rrëmbyeshme. Banorë të zonës lajmëruan policinë për mjetin dhe blutë e Elbasanit në një kohë rekord arritën të zbardhin ngjarjen e të prangosin gjashtë të rinjtë e përfshirë në vrasjen e Talellit.

Vrau dy veta në kazino, Prokuroria: Burg përjetë

KORÇE- Prokuroria e Korçës i kërkoi Gjykatës dje dënimin me burg të përjetshëm të një 37- vjeçari, i cili akuzohet për vrasje të dyfishtë. Erjon Mukadezi ekzekutoi me armë automatike dy të rinj nga Korça, Mikel Tepexhiku dhe Kastriot Hysi. Ngjarja ndodhi katër muaj më parë, në lagjen “Radanec”. Në një prej kazinove të kësaj lagjeje, Mukadezi hyri me armë duke qëlluar mbi djemtë, klientë. Ai do të hakmerrej ndaj tyre pas një konflikti të mëparshëm me viktimat, që njëkohësisht frekuentonin lokalin e lojërave të fatit. 37-vjeçari u akuzua për vrasje në rrethana cilësuese. Ai ishte dënuar edhe më parë me dhjetë vjet burg në Greqi, për vrasjen e një polici. Sipas prokurorit të çështjes, pasi është konfliktuar me të rinjtë, Mukadezi ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë. Ai iu ka kërkuar katër të rinjve, banorë të zonës ku jetonte, ta ndihmonin që ta çonin me makinë në lagjen “Radanec”. Pasi është ndihmuar prej tyre, ai ka shkuar në lokalin e lojërave të fatit duke qëlluar me breshëri drejt dy të rinjve, të cilët i la të vdekur në vend. Më pas është larguar sërish me mjetin e katër të rinjve. Për këta të fundit Prokuroria kërkoi nga 1 vit e gjysmë burgim për përkrahje të autorit. Ata janë shtetasit Irfan dhe Ervis Mukollari, Fatjon Dinkollari dhe Bashkim Latollari.                                              g.a

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI

© Panorama.al

Te lidhura