Vrasja e Konomit, negociatat për pronat në Durrës, të pashkruara

Sep 20, 2011 | 12:31
Gjyqtari i vrare: Skerdilajd Konomi

Tirane – Prokuroria e Krimeve të Rënda po vazhdon hetimet për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ende pa një autor. Çështjet e pronësisë janë pista kryesore e hetimit të Prokurorisë, në lidhje me atentatin e ndodhur paraditen e 9 shtatorit, në qendër të Vlorës te dalja për në Skelë. Sipas burimeve të Prokurorisë, pista e vrasjes për shkak të detyrës ka rënë prej disa ditësh për shkak se nuk është gjetur asnjë provë apo fakt që të orientojë hetimin në këtë drejtim. Ndërkohë, në kushtet e hetimit të fokusuar në pistën e konflikteve të pronësisë, Prokuroria dhe Policia duket se gjenden në një terren të vështirë. Kjo për faktin se palët me të cilat Skerdilajd Konomi ka bërë gjyq për sipërfaqet 350 dhe 150 hektarë tokë në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit, janë verifikuar dhe ndaj tyre nuk ka dyshime se janë implikuar në atentat. Nisur nga mosgjetja e provave për palët kundërshtare që rezultojnë në dokumente, burimet e grupit të hetimit kanë pohuar se po verifikohen edhe mundësitë që Konomi të ketë bërë plane të pashkruara apo marrëveshje me investitorë të fuqishëm për shfrytëzimin e zonës, pasi të merrte pronësinë e truallit të trashëguar. Në këtë variant, hetimi paraqitet edhe më i vështirë, pasi mësohet se gjyqtari nuk ka lënë asgjë të shkruar për “negociatat”, po ashtu, edhe pas marrjes së pronësisë, Konomi nuk do të ishte trashjëgimtari dhe zotëruesi i vetëm i pronës, e cila do të ndahej mes të paktën 70 trashëgimtarëve fundorë. Në këto kushte, sipas hetimeve, gjyqtari nuk ishte personi i vetëm që mund të merrte vendime mbi destiancionin e pronës në fjalë. Ish-gjyqtari i Vlorës, Skerdilajd Konomi, kishte trashëguar një sipërfaqe toke në bregdet prej rreth 450 hektarë tokë në Hamallaj dhe Gjirin e Lalzit. Që nga viti 2007, deri në qershor të këtij viti, gjyqtari ishte përfshirë në proces gjyqësor me palë të tjera që pretendonin pronën.

© Panorama.al

Te lidhura