
“Jemi shumë pranë zbardhjes së vrasjes së gjyqtarit Skerdilajd Konomi”.Kështu deklaroi dje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ndërsa komentoi edhe ndryshimet në Policinë e Vlorës si të lidhura me këtë ngjarje. Drejtuesit e Policisë së Vlorës, duke filluar nga drejtori i qarkut, zv.drejtori dhe shefi i Komisariatit janë transferuar dje në detyra të tjera. Tre ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës janë transferuar me urdhër të ministrit të Brendshëm dhe janë firmosur nga drejtori i Përgjithshëm, Hysni Burgaj, i cili ka vendosur emra të rinj në drejtimin e Policisë së qytetit bregdetar. Nga sot, drejtor i Policisë së qarkut Vlorë do të jetë Nazmi Kotorja, i cili deri tani ka drejtuar Shkollën e Policisë në Tiranë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë se dy drejtuesit e lartë kanë ndërruar vendet me njëri-tjetrin, pasi Ylli Metko, i cili prej rreth 5 vitesh drejtonte Policinë e Vlorës, tashmë do të jetë drejtor i Arsimit Policor. Gjithashtu, të njëjtin “fat” kanë pasur edhe zëvendësdrejtori Myftar Demirlika dhe shefi i Komisariatit Vlorë, Nikolin Thana, të cilët janë transferuar me të njëjtën detyrë në Korçë e Ballsh. Ndryshimet në polici u bënë publike që prej mëngjesit të djeshëm nga burime të Policisë së Shtetit, por vetëm në orët e pasdites ato u konfirmuan zyrtarisht nga Hysni Burgaj, i cili edhe kishte firmosur transferimet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, në një prononcim për median, u shpreh se ndryshimet në Policisë e Vlorës u kryen për forcimin e rendit dhe sigurisë publike, por edhe për shkak të ngjarjes së rëndë të datës 9 shtator, ku u vra gjyqtari Skerdilajd Konomi.
TRANSFERIMET
Ylli Metko, drejtori i Policisë së Vlorës, u largua dje nga kjo detyrë, që e mbante prej rreth 5 vitesh, dhe është emëruar në postin e drejtorit të Shkollës së Policisë në Tiranë. Ai drejtonte prej vitesh Policinë e Vlorës duke u përballur me ngjarje të rënda. Në vend të Metkos është emëruar Nazmi Kotorja, që drejtonte këtë shkollë deri dje kur u firmosën ndryshimet. Me firmën e Hysni Burgajt është larguar nga Vlora edhe zëvendësdrejtori i Policisë, Myftar Demirlika, i cili është transferuar në Korçë, duke ndryshuar vendin me Elidon Veizin, i cili është emëruar në vend të tij në Vlorë. Po kështu është larguar edhe shefi i Komisariatit të Vlorës, Nikolin Thana, i cili është transferuar në Ballsh me të njëjtën detyrë. Ndërsa në vend të Thanës në Vlorë, është emëruar shefi i Komisariatit të Mirditës, Alfred Elezi. Si pasojë e ndryshimeve të kryera në Policinë e Vlorës, rokada ka prekur edhe disa shefa komisariatesh në rrethe. Sipas burimeve, mësohet se shefi i Komisariatit të Ballshit, Arben Jaupaj, është emëruar shef Komisariati në Kavajë, në vend të Agron Sulshabanit. Ndërsa Sulshabani, i cili kishte vetëm 2 javë që e mbante këtë detyrë, është emëruar shef Komisariati në Mirditë.
NDRYSHIMET NE POLICI
1. Ylli Metko, drejtori i Policisë së Vlorës, emërohet drejtor i Shkollës së Policisë
2. Nazmi Kotorja, drejtori i Shkollës së Policisë, emërohet drejtor i Policisë së Vlorës
3. Myftar Demirlika, zv.drejtor i Policisë së Vlorës, emërohet zv.drejtor i Policisë së Korçës
4. Elidon Veizi, zv.drejtori i Policisë së Korçës, emërohet zv.drejtor i Policisë së Vlorës
5. Nikolin Thana, shefi i Komisariatit Vlorë, emërohet shef Komisariati në Ballsh
6. Alfred Elezi, shefi i Komisariatit Mirditë, emërohet shef Komisariati në Vlorë
7. Arben Jaupaj, shef i Komisariatit Ballsh, emërohet shef Komisariati në Kavajë
8. Agron Sulshabani, shef i Komisariatit Kavajë, emërohet shef Komisariati në Mirditë
Nishani
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani takoi dje Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Austrisë Herbert Anderl i cili ndodhet me vizitë në Shqipëri. Nishani theksoi se falë marrëveshjeve të bashkëpunimit me organizmat policore europiane apo të vendeve të veçanta është bërë e mundur të arrestohen dhe ekstradohen persona të kërkuar për vepra të ndryshme penale.
Burgaj: Rokadë në Vlorë për forcimin e rendit

TIRANE – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, deklaroi pasditen e djeshme se një grup i posaçëm pune, i kryesuar nga prokurori i Krimeve të Rënda, po heton për të arritur tek autorët e vrasjes së gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi. I pyetur nga gazetarët, Burgaj nuk ka mohuar faktin që edhe ndryshimet e drejtuesve të Policisë së Vlorës u kryen me këtë motivacion, edhe pse sipas tij, transferimet janë kryer për forcimin e rendit dhe sigurisë publike. Komentet nga numri një i Policisë së Shtetit erdhën pasditen e djeshme, pas një takimi që zhvilloi me homologun austriak, për shkëmbimin e eksperiencave mes policive. Pas takimit me zyrtarin e lartë të Policisë austriake, Burgaj deklaroi se ndryshimet në polici ndodhin shpesh. I pyetur nga gazetarët, ai ka pohuar se lëvizjet në Policinë e Vlorës kanë lidhje edhe me atentatin ndaj gjyqtarit. Ndërsa nuk ka dhënë shumë shpjegime në lidhje me ecurinë e hetimit për zbardhjen e vrasjes së Konomit. “Ne po punojmë për zbardhjen e vrasjes dhe ndryshimet në radhët e Policisë bëhen për forcimin e rendit. Kemi ngritur një grup të posaçëm pune, të drejtuar nga prokurori i Krimeve të Rënda, për të konkluduar në emra konkretë autorësh”, u shpreh Burgaj.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al










