Vrasja e Konomit, bie pista për detyrën

Sep 18, 2011 | 13:13
Gjyqtari i vrare: Skerdilajd Konomi

Atentati me telekomandë ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi nuk ka pasur lidhje me detyrën.Të paktën ky është konkluzioni i grupit hetimor, i cili menjëherë pas ngjarjes ngriti dy pista që kishin të bënin me vrasjen për shkak të detyrës dhe atentatin për probleme personale (përfshi çështjet e pronësisë). Pas vrasjes së gjyqtarit 33-vjeçar, grupi i hetimit ka kryer edhe dy kontrolle në zyrën e Konomit në Gjykatën e Vlorës në ditët e pushimit zyrtar, ndërsa janë shqyrtuar një pjesë e mirë e dosjeve që ka kaluar në duar magjistrati gjatë detyrës në Gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë. Paralelisht me këto verifikime, grupi i hetimit mësohet se ka marrë raportet e para nga Shërbimi Informativ si dhe ka mbledhur edhe dëshmitë e të afërmve e miqve të gjyqtarit. Të gjitha këto fakte, përjashtojnë detyrën si gjyqtar në Vlorë, si shkak të mundshëm të ngjarjes, ndonëse cilësia mbetet. Kjo për shkak se autorët e ngjarjes, të cilët i kanë shpuar gomat fuoristradës së gjyqtarit brenda në parkim, një natë para shpërthimit, kanë vendosur edhe bombën në makinën e gruas, duke faktuar kështu se e njihnin mirë shënjestrën e atentatit, pra ishin në dijeni se ai ishte gjyqtar. “Në këto rrethana cilësia e veçantë si gjyqtar e viktimës së ngjarjes mbetet, por nuk ka prova që vrasja të ketë ardhur për detyrën në Gjykatë”, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, nga dosjet e verifikuara është parë se Skerdilajd Konomi ka dhënë 6 apo 7 vendime penale “të rënda” në Gjykatën e Vlorës, në vitet 2006-2007. Megjithatë, sipas të dhënave që kanë mbledhur hetuesit, rezulton se nuk ka pasur ankesa për gjyqtarin nga palët apo nga qytetarët.
Dosjet e vrasjeve
Pas atentatit me eksploziv që i mori jetën gjyqtarit Skerdiladj Konomi, policia mori raportime sipas të cilave 33-vjeçari kishte shqyrtuar vetëm çështje civile, por kjo nuk është e vërtetë. Në vitet 2006-2007, Skerdilajd Konomi ka shqyrtuar dosje të rëndësishme penale në Gjykatën e Vlorës. Në dy raste ai ka dënuar persona të akuzuar për marrëdhënie seksuale me dhunë, ndërsa në 6 raste të tjera, gjyqtari i vrarë ka shpallur fajtorë persona të akuzuar për vrasje apo tentativa vrasjesh. Mes këtyre gjashtë dosjeve, në një prej tyre ndodhet një emër i njohur i krimit shqiptar në dhjetëvjeçarin e fundit, por që sipas hetuesve të atentatit ndaj gjyqtarit, vendimi është dhënë në vitin 2007 dhe prej asaj kohe Konomi nuk ka pasur probleme. Edhe tabulatet telefonike nuk kanë gjetur mesazhe apo telefonata kërcënuese ndaj gjyqtarit për detyrën.
SHISH
Duke marrë shkas edhe nga insistimi i institucioneve, përfshi edhe Presidentin, Shërbimi Informativ u angazhua pas vrasjes së gjyqtarit në një fushatë të gjerë të mbledhjes së informacioneve lidhur me atentatin e rëndë në Vlorë. Informacionet që janë mbledhur nga SHISH kanë qenë të gjithanshme. Të dhëna të tilla, sipas burimeve nga hetimi, e ekspozonin Skerdilajd Konomin në një konflikt të ndërlikuar pronësie deri këtë vit në rrugë gjyqësore, ndërkohë që nuk linin as më të voglin dyshim se 33-vjeçari mund të vritej për shkak të detyrës. Konomi përshkruhej në punën e tij si gjyqtar korrekt, bindës, arsyetues dhe, mbi të gjitha, i qetë. Ai ishte inspektuar në dy raste nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, mirëpo kishte rezultuar pa probleme në dosjet e tij.

“Sherri për pronat, Konomi nuk u paralajmërua për atentatin”
TIRANE – Gjyqtari Skerdilajd Konomi ishte personi kryesor që po ndiqte gjyqin e trashëgimisë për rreth 400 hektarë tokë të trashëguar nga të parët dhe fisi i tij në bregdetin e Durrësit në Hamallaj. Një konflikt i madh ishte konsumuar vitet e fundit për këtë pronë, më saktë për një pjesë të saj. Me gjithë përplasjet gjyqësore për pronën me vlerë të konsiderueshme, Konomi mësohet se nuk ka pasur kërcënime apo paralajmërime për rrezik fizik. Komisioni i kthimit të pronave në Durrës, ia kishte njohur të drejtën gjyqtarit Konomi dhe trashëgimtarëve të tjerë në vitin 2007, por më pas, Agjencia e Pronave në Tiranë, kryesisht dhe pa ankesë, kishte rrëzuar vendimin e zyrës së Durrësit. Pretendentët për pronën e ndoqën çështjen me anë të një padie në Gjykatën e Shkallës së Parë në Durrës, e cila vendosi në favor të tyre duke rrëzuar Agjencinë e Pronave. Mirëpo, pala ndërhyrëse apeloi dhe fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Dytë në Durrës. Çështja vazhdoi në rrugë gjyqësore në Gjykatën e Lartë, e cila me vendim të datës 14 qershor 2011 vendoi në favor të palës së gjyqtarit Konomi. Por edhe me këtë vendim, gjyqtari nuk mundi t’i përfitonte pronat e tij, pasi Gjykata e Tiranës, më 13 gusht 2001, vendosi që prona në Hamallaj të mos ndryshonte statusin e saj, duke bërë kështu një sigurim padie. Gjyqi për këtë do të niste më 4 tetor 2011, por tashmë Skerdilajd Konomi do të mungojë.

Konomi, dënimet për vrasje
31 tetor 2007
Skerdilajd Konomi, si anëtar trupe gjykuese, shpalli fajtor dhe dënoi shtetasin E. Gërdhuqi, i cili ishte akuzuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes. I pandehuri u dënua me 16 vjet burg.

23 mars 2008
Gjyqtari Skerdilajd Konomi, në trupë gjykuese, ka dhënë dënimin me 24 vjet burg për shtetasin J. Lamaj. Personi në fjalë ishte akuzuar se kishte kryer veprën penale të vrasjes me paramendim. Gjykimi i këtij rasti kishte zgjatur që nga viti 2005, para se Konomi të emërohej në Gjykatën e Vlorës.

10 korrik 2006
Gjyqtari Skerdilajd Konomi, në trupe gjykuese, ka dhënë vendimin ndaj shtetasit D. Dervishaj. Pasi e ka gjykuar të akuzuarin për vrasje, Konomi ka vendosur ndaj tij dënimin me 13 vjet burg. Procesi gjyqësor për këtë rast ka zgjatur një muaj e katër ditë, pasi dosja penale ishte dërguar në Gjykatë më 6 qershor 2006 dhe vendimi është dhënë në 10 korrik.

12 nëntor 2007
Gjyqtari Skerdilajd Konomi, pjesë e një trupi gjykues, ka dhënë dënimin 4 vjet burg për shtetasin B. Likaj i akuzuar se kishte kryer veprën penale të vrasjes. Gjykimi ka zgjatur një vit e gjysmë.

27 dhjetor 2006
Në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues, Skerdilajd Konomi dha vendimin dy vjet burg për shtetasin S. Subashi i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje.

28 dhjetor 2006
Skerdilajd Konomi si anëtar trupe gjykuese, vendosi dënimin me 20 vjet burg për shtetasin E. Aliaj, i akuzuar për veprën penale të vrasjes. Gjykimi zgjati vetëm gjashtë muaj.

23 prill 2007
Konomi, si anëtar trupe gjykuese, vendosi dënimin: 12 vjet burg për S. Ramadanin, i akuzuar për vjedhje me pasojë vdekjen.

15 nëntor 2006
Konomi, si anëtar trupe gjykuese, dënon shtetasin B. Aliraj me 12 vjet e 8 muaj burg me akuzën e vrasjes me paramendim.

Bllokimi i regjistrimit të pronës
Rreth një muaj para, Gjykata e Tiranës ka ngrirë një sipërfaqe prej afro 58.6 hektarësh tokë në zonën e Hamallajt. Ata që kërkuan këtë vendim kishin nisur një proces gjyqësor për njohjen e të drejtës së pronësisë në një sipërfaqe prej 275 hektarësh në Hamallaj. Bazuar në këtë vendim, edhe pse me verdiktin e Gjykatës së Lartë, Konomi nuk mundi t’i regjistrojë pronat e tij.

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura