
Prokuroria e Elbasanit ka dhënë dje pretencën me 48 vjet burg për dy shtetasit e akuzuar për vrasjen e ish-policit Roland Rexhepi, ngjarje e ndodhur në muajin korrik të vitit 2009. Prokurori i çështjes, pasi ka parashtruar të gjitha provat materiale në ngarkim të shtetasve Armand Llakaj, 36 vjeç, si edhe Marjus Tafa, 26 vjeç, ka dhënë pretencën. Për Llakajn është kërkuar dënimi me 28 vjet burg, me akuzën “vrasje me dashje me paramendim në bashkëpunim, në rolin e ekzekutorit” dhe “armëmbajtje pa leje”, si dhe 23 vjet burg për shtetasin Marjus Tafa me akuzën “vrasje me dashje me paramendim në bashkëpunim në rolin e ndihmësit”. Pasi ka lexuar pretencën për dy të akuzuarit e vrasjes së ish-policit, ngjarje e cilësuar për motive të dobëta, gjyqtari i çështjes Artan Gjërmeni ka kërkuar shtyrjen e vendimit të trupit gjykues për të mërkurën tjetër. Në datën 22 korrik të vitit 2009, në orën 07:30 të mëngjesit, ish-punonjësi i Policisë Roland Rexhepi, me nofkën “Doda”, u ekzekutua me automatik, teksa nxirrte nga garazhi mjetin e tij. Rreth dy muaj pas vrasjes së ish-agjentit të Antidrogës, policia e Elbasanit konfirmoi se personat e dyshuar në vrasjen e tij ishin Tafa dhe Llakaj, të dy banorë të Elbasanit. Edhe pse dy të akuzuarit asnjëherë nuk e kanë pranuar krimin, Prokuroria bazohet tek hetimet dhe akti i ekspertizës së ADN-së mbi shenjat e lëna në armë dhe motor, si dhe maskën që autorët kanë përdorur në krim.











