Vrasja e emigrantit për hakmarrje, Prokuroria çon në gjyq dy autorët

May 3, 2011 | 12:34

TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit përfundoi hetimet në lidhje me ngjarjen e 21 nëntorit 2010, në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë, ku u vra për motive hakmarrjeje 40-vjeçari Mirash Preka. Dosja me dy të pandehur, Alfred Gjergjin dhe Besnik Vilën, u depozituar pak ditë më parë për gjykim në Gjykatën e Tiranës. Sipas Prokurorisë, të pandehurit e kësaj dosjeje do të gjykohen për akuzat e “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Gjykatës, sipas të cilave, dosja në fjalë u regjistrua si çështja nr. 1399. Shorti elektronik i gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Petrit Çomo, si togën e zezë që do të shqyrtojë këtë dosje në Gjykatën e Tiranës. Sipas Prokurorisë, vrasja e Marash Prekës kishte ndodhur për motive hakmarrjeje. Referuar hetimeve, dyshohet se në tetor të vitit të kaluar, viktima Preka kishte vrarë me thikë vëllain e të pandehurit Gjergji. Sipas akuzës, Gjergji është ekzekutori i Prekës, ndërsa i pandehuri tjetër akuzohet për bashkëpunim në vrasje. “Më datë 21.11.2010, rreth orës 09:00, në rrugën ‘Jordan Misja’ në afërsi të shinave të rrugës së trenit, në trotuar të rrugës kryesore është vrarë me armë zjarri shtetasi Mirash Preka, banues ne Paskuqan, Tiranë. Dyshohet se viktima, më datë 02.08.2010, në një fshat të Greqisë ka vrarë me thikë, në debat e sipër, shtetasin Ylli Gjergji, që është dhe vëllai i të dyshuarit Alfred Gjergji. Më pas viktima është kthyer në Tiranë, ku sipas deklarimeve të shtetasve të pyetur, rezulton se i ruhej një hakmarrjeje të familjarëve të Ylli Gjergjit. Pas hetimit të mëtejshëm të ngjarjes, pyetjes së disa personave që kishin dijeni për ngjarjen, interceptimi i  bisedave telefonike të të afërmve të të dyshuarit, nga ana e Prokurorisë, me vendimin e datës 17.12.2010, është bërë ndalimi i shtetasit Alfred Gjergji, si i dyshuari kryesor për vrasjen e shtetasit Mirash Preka”, pohonte gjykata në vendimin e caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurit Alfred Gjergji.                 ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura