Vrasësi me pagesë, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në kuadër të gjyqit që po mbahet për dosjen “Plumbi i artë” për vrasjen e Dorian Shkozës që u eliminua në mars të vitit 2020 në qytetin e Durrësit.
Në dëshminë e tij, Henrik Hoxhaj ka rrëfyer se si është njohur me Nuredin Dumanin, ky i fundit është bërë i penduar i drejtësisë, dhe se i kishte propozuar 70 mijë euro për vrasjen e Dorian Shkozës.
“Njihem me Nuredin Dumanin. Jam njohur tek ditëlindja e Festim Qolit në vitin 2020. Aty jemi njohur, duke ngrënë, duke pirë. Kemi shkëmbyer numrat. Disa muaj më vonë u takuam. Nuredini ishte i interesuar për të më takuar. Nuk e mbaj mend, por më duket se kemi komunikuar me telefona të kriptuar.
Kemi biseduar për disa vrasje. Ai kishte marrë porosi nga Krymi. Më tha që janë disa punë për t’u bërë, a je i interesuar. Unë i thashë po. Nuredini më tha për dy vrasje që do bëheshin në Durrës. Në fillim qe si porosi e Krymit, por pastaj i paraqiti si problematika të tij. Tha a je dakord në fillim. Po dakord, i thashë.
Në këtë takim diskutuam për vrasjen e Dorian Shkozës. Do kryhej kundrejt pagesës. Në fillim propozoi 70 mijë euro. Ai gjeti mjetet dhe armët. Shofer qe Elio Bitri, elbasanlli. Si kohë, ishte pak pas takimit, në pandemi. Nuk kishim leje, por ishim sipas rregullave, me rrip, me rregulla qarkullimi.”, tha ai.
Më pas rrëfen edhe se si e kryen vrasjen dhe lëvizjet që ndoqën. Ai thotë se janë takuar në shtëpinë e Nuredin Dumanit në Durrës. Më pas, kur kanë shkuar në vendin ku ndodhej shënjestra, ka qëlluar me armë nga brenda makinës.
Hoxhaj tregon gjithashtu se e ka pyetur nëse është Doriani, por ai i ka thënë jo. Sipas tij, faktin se ishte ai, ia konfirmoi personi tjetër që ndodhej me të në automjet si shofer.
Sa i përket pagesës, ai thotë se 70 mijë eurot e ofruara nga Dumani u nda mes tij dhe personit tjetër dhe se ka marrë vetëm 35 mijë euro. Hoxhaj deklaroi gjithashtu se Nuredini i kishte thënë se paratë i merrte nga Erion Alibej, i njohur ndryshe edhe me nofkën Krymi.
“Ditën e ngjarjes kam shkuar në Durrës. U takova tek shtëpia e Nuredinit në Durrës. Nga aty u nisëm. Kemi përdorur një makinë të zezë. Ishte Elio në timon, unë mbrapa shoferit. Kisha unë dy armë, Elio një. Nuredini u nis me ne. Ne kemi dalë një xhiro tek servisi. Kur kaluam njëherë nuk ishte prezent.
Kur u kthyem ishte aty. Ishte me dy persona i shoqëruar. Elio më thotë, ja ku janë. Ishin 3 vetë në trotuar. Unë i qëllova me armë nga brenda makinës. Një armë mu bllokua, përdora tjetrën. Njëri nga ata ngeli në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje. Unë i thashë, a ti je Doriani. Ai tha jo. Pyeta Elion, a ky është. Po më tha ai. Edhe e godita. Një e goditi edhe Elio. Pati një pistoletë me mulli.
Pas vrasjes hipa në makinë. Në ikje e sipër, i thashë, mua më lër te Plepat, ku kisha lënë një makinë. Unë hipa tek ajo me duar në xhepa. Ndërsa makina tjetër iku u dogj tek Bishti i Zhurit. Nuredini ka qenë pas nesh dhe e ka parë ngjarjen. Më tha, o kusho doli shumë mirë. Pagesën e mora për ngjarjen. Por ajo 70-shja u nda mes meje e Elios. 35 mora. Nuk e di sa i dha Elios.
Pas kësaj vrasjeje kam jetuar në Tiranë. Nuk fshihesha. Lekët Nuredini më tha se i merrte nga Krymi.”, shtoi Hoxhaj.
© Panorama.al












