Vrasja e 57-vjeçarit me çekiç, Gjykata Penale cakton masat e sigurisë për autorin dhe dy të tjerët

Jan 23, 2026 | 12:27

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurimit “arrest në burg” për 3 personat e arrestuar për vrasjen e Petrit Ndout pak ditë më parë pas një debati me makinat.

petrit ndou akisdent viktima sherri mamurras

Në qeli janë lënë autori Andis Vokrri dhe dy të tjerët të arrestuar për moskallëzim krimi, Fatjon Kulla dhe Lorenc Sula. Gjatë seancës, ata kanë mohuar që të jenë të përfshirë në ngjarje.

Autori i dyshuar, Andis Vokrri pretendon se ka pasur një konflikt fizik dhe verbal por nuk kujton që ta ketë goditur me çekiç Ndoun, dhe ka pretenduar se nuk ka pasur një të tillë më vete.

Prokuroria ka kërkuar të caktohet masa e sigurisë arrest në burg deri në sqarimin e plotë të rrethanave dhe analizimit të pamjeve filmike.

NGJARJA

Nga hetimet ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, në afërsi të urës së Bushneshit, ku tre të rinjtë, që udhëtonin me një automjet, janë konfliktuar verbalisht për motive të dobëta me viktimën, e cila po lëvizte me makinën e saj. Gjatë konfliktit, 28-vjeçari e ka goditur 57-vjeçarin me një send të fortë (çekiç) në kokë, duke i shkaktuar vdekjen. Pas ngjarjes, dy shtetasit e tjerë janë larguar nga vendi i krimit.

DËSHMIA E ANDIS VOKRRIT

Më herët, ai ka deklaruar para hetuesve se ka qenë në gjendje të dehur dhe se nuk mban mend shumë se çfarë ka ndodhur.

Sipas tij, ajo që mban mend ka qenë një automjet që i kishte zënë rrugën. I riu ka thënë se i ka kërkuar 57-vjeçarit që të kalonte i pari për të mos shkaktuar aksident, por nuk e ka dëgjuar. Kur automjetet janë fërkuar, ka dalë jashtë duke marrë një çekiç dhe duke e goditur.

“Nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur. Isha i dehur dhe kujtoj vetëm që pashë një makinë që më kishte zënë rrugën. I kam kërkuar që të largohej dhe të kaloja i pari pasi mund të bënim aksident. Nuk më dëgjoj dhe kaluam paralel. Kur pashë që makina u fërkua dola dhe e godita me çekiç. Nuk doja ta vrisja”, ka pohuar 28 vjeçari.

© Panorama.al

Te lidhura