
Vranë në gjumë fëmijën 8 vjeç, arrestohen autorët e krimit. Policia bëri të ditur se shtetasit Erjon Grabova, 33 vjeç, banues në lagjen “11 Janari” dhe Stefan Furxhi, 19 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, ku ndodhi ngjarja e rëndë, akuzohen për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese”. Mësohet se dy të rinjtë kanë pranuar krimin, por sipas deklaratës së tyre, ata kanë pasur qëllim të vidhin hekurishte a ç’mund të gjenin nëpër oborret e banesave të lagjes, dhe jo të vrisnin ndokënd. “Qëlluam dy herë në drejtim të banesës së familjes Lukaj për t’i trembur dhe që të mos reagonin ndaj nesh. Ne dolëm natën për të vjedhur hekurishte në oborret e banesave përreth me qëllim shitje dhe përfitimi. Jemi të papunë dhe siguronim ndopak të ardhura me hekurishte që i vidhnim kudo t’i gjenim”. Kështu kanë deklaruar dy të arrestuarit, të cilët fillimisht, pasi kanë mësuar për vdekjen e fëmijës, kanë tentuar t’i fshihen policisë.
“Nga hetimet intensive të kryera në lidhje me këtë ngjarje ka rezultuar se dy persona, njëri i armatosur me një pistoletë tip “TT” dhe tjetri i paarmatosur, kanë shkuar në afërsi të shtëpinë së shtetasit Albert Lukaj në lagjen “24 Maji”, i cili ishte duke fjetur në ambientet e jashtme të shtëpisë së bashku me fëmijët e tij. Sapo ata kanë hipur në murin rrethues që ndan banesën e Lukajt me fqinjin e tij, janë ndier nga ky i fundit. Pasi autorët kanë shkëmbyer fjalë me të zotin e

shtëpisë, kanë qëlluar dy herë në drejtim të banesës me armë dhe, si pasojë e një predhe rikoshetë, është plagosur rëndë në kokë djali 8- vjeçar i shtetasit Albert Lukaj, i cili ka gjetur vdekjen në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku u transportua për një ndihmë më të specializuar”, bëri të ditur Policia. Mësohet se është gjetur edhe arma me të cilën është kryer krimi, një pistoletë tip “TT” me 6 fishekë, të cilën autorët, pas kryerjes së krimit, e kishin fshehur në një zonë rreth 3 km larg vendit të ngjarjes. Ata e kanë çuar vetë policinë në vendin ku e kishin fshehur, menjëherë pasi u arrestuan dhe pranuan akuzën. Nga kryerja e ekspertimeve balistike ka rezultuar se arma e sekuestruar është ajo me të cilën është kryer krimi. Ngjarja e rëndë ndodhi dy net më parë, ku i mituri mori një plumb në kokë teksa flinte, pasi personat që ishin nisur për të vjedhur qëlluan me armë. Ata po tentonin të kalonin murin rrethues të banesës së Albert Lukajt, por ky i fundit i ka dëgjuar dhe është zgjuar. Pasi kanë shkëmbyer sharje në distancë, dy të rinjtë qëlluan. Për pasojë, njëri prej plumbave bëri rikoshetë dhe i mori jetën fëmijës. Albert Lukaj pohoi pas ngjarjes se me gjithë rrëmujën e krijuar dhe krismat e armës, vetëm Jurgeni nuk u ngrit nga divani ku po flinte. Fillimisht ai kishte menduar se fëmija po flinte, por kur iu afrua pa se djali i tij kishte marrë një plumb në kokë dhe se ndodhej në mes të një pellgu me gjak.
AUTORET
Të dy personat e arrestuar mësohet se janë të papunë dhe jetonin duke vjedhur sende e hekurishte, të cilat më pas i shisnin. Ata deklaruan në Polici se edhe natën e krimit kishin dalë për të vjedhur hekurishte nëpër oborret e banesave në lagjen “24 Maji”. Të rinjtë kishin shumë kohë që mblidhnin hekurishte dhe i shisnin ato nëpër pikat e grumbullimit.
I MITURI
Familja Lukaj i dha lamtumirën e fundit dje vogëlushit 8-vjeçar Jurgen Lukaj, i cili po flinte jashtë për shkak të vapës, por u qëllua nga plumbi që bëri rikoshetë në ballkonin e banesës së tij. Babai i viktimës, Albert Lukaj, i bëri apel ditën e ngjarjes policisë që të hetonte dhe të arrestonte dy autorët që i vranë fëmijën 8 vjeç në gjumë.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











