RUBEN AVXHIU
Që prej vitit 1972, Iowa (Ajua) është historikisht shteti që voton i pari për kandidatët presidencialë brenda dy partive të mëdha amerikane. Mirëpo, asnjëherë në këtë histori gati 40-vjeçare nuk ka pasur ndonjë rezultat kaq të ngushtë jo vetëm në Iowa, po në asnjë shtet tjetër.
Me vetëm 8 vota diferencë (që mund të përmbysen lehtë nga ndonjë rinumërim), Mitt Romney ka dalë i pari, ashtu siç pritej, mirëpo nuk ka mundur të mbizotërojë. Ai për pak ka humbur nga kandidati surprizë i këtij votimi të parë, ish-senatori Rick Santorum.
Në vitin 1980, Ted Kennedy mundi Presidentin në fuqi Jimmy Carter, në Pennsylvania me vetëm 0.3% diferencë në vota (45.7% – 45.4%). Në vitin 2004, në Oklahoma, kandidati i dashur i shqiptarëve, Wesley Clark, mposhti rivalin John Edwards me 0.4% më shumë, (29.9 -29.5) ndërsa fituesi eventual i garës, John Kerry, doli në vend të tretë. Në vitin 1992, në Minnesota, Bill Clinton mundi kandidatin Jerry Brown me 0.5% diferencë. Të gjitha këto rezultate të ngushta zbehen përballë 0.001% që ndau fatin në këtë votim të parë të vitit 2012.
Qytetarët (apo ndoshta më mirë fshatarët) e Iowa-s shpesh habisin analistët dhe median me preferencat e tyre. Rick Santorum ishte jashtë radarit të medias dhe të analistëve. Pa financime të mjaftueshme për fushatën e tij, pa shkëlqyer në debate, pa mbështetje të republikanëve të njohur, i skajshëm në pikëpamje fetare si ndonjë kalorës kryqëzatash i kohës së mesjetës, ai dukej më shumë si dekor, sesa si substancë e betejës mes republikanëve.
Mirëpo, nga ana tjetër, Santorum ishte i vetmi nga kandidatët që i vizitoi të 99 komunat e shtetit. Ndërsa të tjerët kishin filluar (mbase para kohe që t’i flisnin mbarë kombit amerikan), Santorum u përqendrua vetëm në Iowa, duke shkuar aty ku shkel rrallë këmba e kandidatit, përfshi edhe fshatra me pak vetë.
Zgjedhja e tij doli legjitime. Në fund të fundit, me vetëm 8 vota diferencë, edhe katundi më i humbur i këtij shteti rural ka vlerë përcaktuese.
Një tjetër faktor që ndihmoi zgjedhjen e tij ishte se gati gjysma e votuesve në Iowa nuk e kishte vendosur ende deri në pak ditë përpara 3 janarit se për kë do të votonin. Shumica e tyre filluan të anojnë nga Santorum dhe vetëm në natën e Vitit të Ri, anketimet dalluan rritjen e mbështetjes për të. Në atë moment ishte shumë vonë për rivalët e tij që ta godisnin.
Ata ishin marrë kaq shumë me njëri-tjetrin sa kishin lënë në harresë një kandidat që, sipas tyre, mund ta rrëzonin lehtë. Mirëpo natën e Vitit të Ri debatet televizive kishin mbaruar, reklamat televizive ishin bërë dhe dërguar në stacionet lokale, deklaratat publike nuk tërhiqnin më vëmendje, në atmosferën e festës së fundvitit. Santorum ishte afruar “vjedhurazi” drejt finishit dhe çdo përpjekje për ta rrëzuar “me bërryl” ishte e kotë. Në vend që të festonin rrëzimin e Gingrichit pas dy javësh sulmi të pandërprerë, rivalët kruanin kokën me habi ndërsa shifrat e votave për Santorum-in rriteshin në mënyrë të pabesueshme.
Në fakt, fituesi i vërtetë i garës, deri tani, nuk është nuk është as Romney dhe as Santorum. Ai është Presidenti Barack Obama që në muajin nëntor do të ndeshet me fituesin e garës republikane. Rezultati në Iowa dëshmoi se sa të përçarë e të pavendosur janë Republikanët dhe ky është lajm i mirë për Presidentin demokrat.
Një opozitë e pavendosur do të thotë se gara do të vazhdojë gjatë, shtet mbas shteti duke thelluar ndarjet brenda partisë, duke nxjerrë në pah të metat e kandidatëve e duke shpenzuar miliona dollarë që do të nevojiteshin në muajin tetor për fushatën finale. Të gjitha këto do të shfrytëzohen mirë nga demokratët në vjeshtë.
Është e vërtetë që Romney dhe Santorum dolën fitues në Iowa, mirëpo asnjë prej tyre nuk mori dot as 25% të votave. Pra, cilido prej tyre ka kundër treçerekun e partisë dhe do t’i duhet kohë dhe energji që të bashkojë frontin anti-Obama nëse arrin të zgjidhet.
New Gingrich është rrëzuar, por nuk është jashtë gare. Me 13%, ai mbetet pretendent dhe ka premtuar se në shtetin e radhës, New Hampshire (votimi mbahet më 10 janar), do të përmbysë situatën dhe do të rifitojë kreun. “Debati i madh për të ardhmen e Partisë Republikane vetëm sa ka filluar”, tha ai. Por Gingrich nuk është më “i treti i bezdisshëm”.
Ky epitet tani është për kongresistin Ron Paul (me 21.4% të votave), kandidati më interesant i garës, një libertarian që kërkon jo vetëm që të fitojë votën e Partisë Republikane, por edhe ta transformojë tërësisht këtë parti dhe pastaj rolin e Amerikës në botë. Nëse fiton Ron Paul, nuk do të ketë më ushtarë amerikanë as në Kosovë e Ballkan, as në Lindjen e Mesme e as në Lindjen e Largët aziatike. Një izolacionist, antiqeveritar që beson se privatët dhe lokalët mund ta bëjnë më mirë punën e qeverisë federale, Paul beson se ka filluar një revolucion dhe në Iowa, gati 50% e të rinjve republikanë nën moshën 29 vjeç votuan për të. Është gati e pamundur që një kandidat aq radikal sa ai të fitojë në zgjedhje, por është e qartë se ai do të jetë në garë deri ditën e fundit, duke shtuar dhimbjet e kokës për fituesin republikan dhe duke kënaqur demokratët me përçarjen e së djathtës.
Në vitin 1996, senatori Bob Dole (Doll), që preferohej nga shumë shqiptaro-amerikanë, fitoi në Iowa me vetëm 26%. Ishte rezultati më i ulët në histori dhe Dole nuk mundi t’i bashkojë e mobilizojë republikanët që të mposhtnin Presidentin Clinton, ndonëse edhe ai nuk ishte në formë ideale. Me një rezultat akoma edhe më të dobët sot, republikanët i kanë dhënë një shpresë të re Presidentit Obama se demokratët mund të qëndrojnë edhe një herë tjetër për tetë vjet rresht në Shtëpinë e Bardhë.
* (Ruben Avxhiu është kryeredaktor i gazetës “Illyria” në Nju York, SHBA)











