Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka zbuluar arsyet që, sipas tij, qëndrojnë pas votës “pro” të dhënë nga ai në seancën e fundit plenare për rezolutën e lidhur me procesin e integrimit europian, ku opozita dhe mazhoranca u bënë bashkë.
I ftuar në emisionin “Studio 24”, Muçi u shpreh se mbështetja për rezolutën lidhet me rëndësinë që ka procesi i integrimit të vendit në Bashkimin Europian dhe është shprehja e vullnetit të deputetëve.
“Duke qenë se është shprehja e vullnetit të deputetëve të integrimit, vota u dha pro. Integrimi në BE është një proces që po zgjat prej 40 vitesh dhe kur për 40 vite thatë po bëjmë hapa para, ka një kufi kjo gjë”, deklaroi ai.
Më tej, deputeti i Lëvizja Bashkë bëri edhe një krahasim mes strategjisë së qeverisë dhe opozitës, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar procesi i integrimit.
“E kam krahasuar strategjinë e Ramës për në BE, si ajo që ndjek PD për të ardhur në pushtet. E paaftë për të reformuar veten, thjeshtë pret t’i bjerë në prehër pushteti, të lodhen shqiptarët me PS. Edhe Rama pret pas derës së BE që të na fusin në Union”, tha Muçi.
© Panorama.al












