Votimi në Kuvend: Ndryshimet në Qeveri, Koka kundër LSI e PD

Jun 29, 2012 | 12:09

Maxhoranca miraton me 71 vota ministrat e rinj. Koka kundër shkarkimit të Nasip Naços: Drejtoi më së miri Ekonominë.

Parlamenti miraton vetëm me votat e shumicës emërimin e Nokës si ministër të Brendshëm.

Koka i LSI voton kundër shkarkimit të Naços nga Ekonomia.

Parlamenti miratoi dje vetëm me votat e maxhorancës ndryshimet e fundit në qeveri, të dekretuara tri ditë më parë nga Presidenti Bamir Topi.
Opozita votoi kundër emërimeve të reja, ndërsa në votimet për shkarkimet e ministrave aktualë ajo abstenoi. Vetëm në një rast shumica zbriti në 70 vota, nga 71 që kishte të pranishme, kur Lefter Koka votoi kundër shkarkimit të ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço. Gjatë seancës munguan Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Financave Ridvan Bode, të cilët ndodhen në vizita pune jashtë shtetit.
Votimet
Sekretari Organizativ i PD-së, Flamur Noka, mori nga dje postin e ministrit të Brendshëm me 71 vota pro dhe 54 vota kundër të opozitës. Gjatë votimit, deputeti i PS-së, Gjovalin Kadeli, abstenoi. Ndërsa dekreti i kreut të shtetit për të shkarkuar Bujar Nishanin për postin e ministrit të Brendshëm mori 72 vota pro, ku përveç PD-së me aleatët, votoi edhe Gjovalin Kadeli, një votë kundër të Luiza Xhuvanit dhe 53 vota abstenim. Sa u përket votimeve në radhët e ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ai më interesanti ishte i ministrit Nasip Naço. 70 deputetë të PD-së dhe aleatëve votuan pro dekretit të kreut të shtetit për ta shkarkuar Naçon nga posti i ministrit të Ekonomisë, që e mbante prej janarit të vitit të kaluar. Dy deputetë, Lefter Koka dhe Gazmir Bizhga, votuan kundër shkarkimit, ndërsa 53 deputetë të opozitës abstenuan. Me 71 vota pro u shkarkua nga posti i ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe me të njëjtin numër votash ai u emërua si ministër i Ekonomisë. Në votimin për largimin nga posti i kreut të Diplomacisë, 53 deputetë të PS-së abstenuan, ndërsa Marko Bello dhe Arta Dade votuan kundër. Në radhët e opozitës u shënua rrjedhje votash edhe sa i përket shkarkimit të Petrit Vasilit dhe emërimit të Vangjel Tavos. Largimi i Vasilit nga posti i ministrit të Shëndetësisë mori 71 vota pro të maxhorancës, 51 abstenim të opozitës, ndërsa Shega Ligori, Gazmir Bizhga dhe Eltar Deda votuan kundër. Ndërsa në emërimin e Vangjel Tavos votuan kundër 46 deputetë të opozitës, ndërsa Arben Ahmetaj, Erjon Braçe, Alfred Dalipi dhe Ilir Gjoni abstenuan.

Kerkesa
Pas shkarkimit nga posti i ministrit të Ekonomisë, Nasip Naço mori dje votat konsensuale të të gjithë deputetëve për t’u rikthyer në postin e nënkryetarit të Parlamentit. Këtë pozicion ai e ka mbajtur edhe më përpara, derisa u bë ministër. Vendin e la bosh Vangjel Tavo, i cili mori postin e ministrit të Shëndetësisë. Gjatë seancës së djeshme të votimit si ministri në ikje, ashtu edhe ministri i ri ishin ulur në vendet e LSI-së në radhën e deputetëve.

Votimet e ministrave në Kuvend
Shkarkimi i Bujar Nishanit ministër i Brendshëm

72 deputetë PRO (PD dhe aleatët 71 + Gjovalin Kadeli)
1 kundër Luiza Xhuvani
53 deputetë abstenim (PS)
Emërimi i Flamur Nokës ministër i Brendshëm
71 deputetë PRO
54 deputetë kundër
1 abstenim (Gjovalin Kadeli)
Shkarkimi i Edmond Haxhinastos si ministër i Jashtëm
71 deputetë PRO
2 deputetë kundër (Marko Bello, Arta Dade)
53 deputetë abstenim
Emërimi i Edmond Haxhinastos si ministër i Ekonomisë
71 deputetë PRO
55 deputetë KUNDER
Shkarkimi i Nasip Naços si ministër i Ekonomisë
70 deputetë PRO
2 deputetë KUNDËR (Lefter Koka dhe Gazmir Bizhga)
53 deputetë abstenim
Shkarkimi i Petrit Vasilit si ministër i Shëndetësisë
71 deputetë PRO
3 deputetë kundër (Shega Ligori, Gazmir Bizhga, Eltar Deda)
51 deputetë abstenim
Emërimi i Vangjel Tavos si ministër i Shëndetësisë
71 deputetë PRO
46 deputetë kundër
4 deputetë abstenim (Arben Ahmetaj, Erjon Braçe, Alfred Dalipi, Ilir Gjoni)

Koka: Naço ka punuar më së miri, duhen ndryshime të tjera në qeveri

Lefter Koka

Deputeti i LSI: Vota kundër ishte vendim personal
Deputeti i LSI-së, Lefter Koka, tha dje se votimi kundër shkarkimit të Nasip Naços si ministër i Ekonomisë ishte personal. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai foli për ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar.
Zoti Koka, pse votuat kundër shkarkimit të Nasip Naços si ministër i Ekonomisë?
U mor një vendim nga Kryesia e LSI-së për zëvendësimet që sot (dje) morën votëbesimin në Parlament. Sigurisht, jam i idesë që qeveria ka nevojë për ndryshime dhe për rifreskime, jo vetëm për kapacitete, por edhe vetë ndryshimet sjellin në vetvete një rigjenerim të forcave qeverisëse. Lidhur me votimin kundër shkarkimit të zotit Naço nga Ministria e Ekonomisë, ka qenë një vendim personal. Edhe pse puna në këtë ministri është nga më të vështirat në vend, ai e ka drejtuar më së miri. E vlerësova si një aset të rëndësishëm të LSI-së, por, nga ana tjetër, nuk dua të gjykoj më thellë se ndoshta ndonjëherë është ajo thënia e “skuadrës së Realit” që thotë: lojtarët e mirë i lë rezervë për t’i futur 90 minutat e fundit. Kështu që për mendimin tim, kjo lëvizje e zotit Naço është bërë që të kemi më shumë rezerva brenda formacionit.
Ju personalisht, a keni qenë dakord me ndryshimet që ndërmori LSI për të zëvendësuar disa figura; në vend të zotit Naço, zotin Haxhinasto dhe në vend të këtij të fundit, zotin Panariti?
Në tërësinë e vet mendoj që është pozitive dhe do të sjellë të reja ky rikompozim, do të sjellë dinamikë dhe entuziazëm. Gjithsesi, LSI-ja ka resurse të mëdha dhe gjithkush është në gjendje të demonstrojë çka është në gjendje të kontribuojë për partinë dhe për vendin në tërësi. Kështu që në tërësi u bë mirë.
Keni kërkuar si LSI që të ketë ndryshime dhe në pjesën tjetër të kabinetit qeveritar që drejtohet nga Partia Demokratike? A ka nevojë qeveria për ndryshime të tjera?
Unë personalisht mendoj se qeveria ka nevojë për ndryshme të tjera, por që nuk është e drejtë e LSI-së që të bëjë kërkesa për pjesën tjetër të maxhorancës që të bëjë ndryshime në qeveri. Do të ishte shumë mirë sikur Berisha të ndiqe shembullin e Ilir Metës dhe besoj se do të shkonin në sintoni dhe do të sillte një probabilitet më të lartë.  Gjithsesi, kjo është zgjedhja e tyre dhe përformancën e çdokujt e vlerëson Kryesia e Partisë Demokratike.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura