Vota pro e Blushit dhe Malajt për Fullanin, Rama: Kush e përsërit, i vetëpërjashtuar

Nov 23, 2011 | 8:45
DJE GJATE MBLEDHJES SE GRUPIT PARLAMENTAR TE PS

Zbardhet debati Grupin e PS
Grupin Parlamentar i PS diskuton pas votave pro të Blushit e Malajt për Fullanin.
Rama: Kush voton kundër Grupit është i vetëpërjashtuar.

Grupi Parlamentar socialist është përfshirë dje nga debate të shumta që zgjatën rreth 2 orë e gjysmë rreth votave të rrjedhura për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë gjatë seancës së kaluar. Kryetari socialist, Edi Rama, pa dashur t’i hyjë një analize për mënyrën se si Grupi Parlamentar ka votuar deri tani, ka kërkuar që t’i vihet kapak së shkuarës e, që nga seanca e ardhshme, të zbatohet statuti dhe rregullorja e grupit për çdokënd që voton kundër vendimit politik të Grupit socialist. Në seancën e kaluar parlamentare, Ben Blushi, i cili mungonte dje në mbledhjen e Grupit dhe Arben Malaj votuan pro Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ndërkohë që Grupi i PS votoi kundër. Kreu i PS duket se nuk ka dashur ta personalizojë këtë debat, por  diskutimet e mëtejshme nuk i kanë shpëtuar marrjes me persona të veçantë. Madje, disa deputetë e kanë cilësuar votimin kundër vendimit politik të Grupit, por dhe daljet në publik si presione për të bërë karrierë në PS. Gjatë mbledhjes nuk kanë munguar dhe debatet e forta mes Andis Harasanit e Arben Malajt me Sajmir Tahirin dhe Artan Gaçin, lidhur me takimin që dy deputetët zhvilluan në Kombinat për të shpalosur platformën e Malajt për modernizimin e PS, takim që u provokua dhe u ndërpre. Por ajo që ka rënë në sy gjatë gjithë mbledhjes, ishte një kërkesë e kryesocialistit Rama për të mos komunikuar me mediat dhe për të mos bërë publike diskutimet e mbyllura në mbledhjen e Grupit Parlamentar. “Bëni kujdes së mediat duan të bëjnë lajm dhe, çfarë ndodh këtu, informohet menjëherë në media. Nuk shohim të dalë asgjë në publik nga mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD-së”, mësohet të ketë thënë Rama. Kjo këshillë e Ramës nuk ka kaluar pa dhënë efektet e veta, pasi një pjesë e konsiderueshme e deputetëve kanë refuzuar të flasin rreth debateve të zhvilluara dje në grup. Deputetja Olta Xhaçka gjatë fjalës së saj në grup ka treguar dallimin mes dy grupeve parlamentare, atij të PD dhe PS-së. “Ne socialistët vuajmë nga një sëmundje e hershme, brenda një grupi me rregulla dhe me liri për të debatuar e diskutuar, duam të bëhemi të gjithë të parët. Na pëlqen të jemi jashtë kornizave që vendos familja jonë. Të djathtët shkojnë në rresht. Socialistët janë një tufë macesh. Jam skeptike nëse kjo do të zbatohet, pas kësaj që vendosim këtu”, mësohet të ketë thënë Xhaçka.

Debatet në Grupin e PS për disiplinën
Edi Rama:
Që sot e tutje, në respekt të sakrificave të të gjithëve, mendoj se s’ka nevojë as për analiza, sepse nëse do t’i hyjmë analizave, s’do të dalin kurrë në fund, të gjithë duhet të respektojnë vendimet politike të grupit. Të gjithë mund të flisni, mund të shpreheni lirshëm në mbledhjet e Grupit dhe pastaj të marrim edhe vendimet, në mënyrë që ato të respektohen dhe të mos i lëmë gjërat kështu. Mendimi ndryshe dhe qëndrimi ndryshe duhet të jetë brenda mbledhjes së Grupit, kur vendosim me shumicë një qëndrim, ai duhet të respektohet nga të gjithë. Kush vepron ndryshe, është i vetëpërjashtuar këtej e tutje. Të mos merremi më me çfarë ka kaluar, por të ndërtojmë një marrëdhënie kompakte në të ardhmen, e bazuar mbi ato rregulla që të gjithë bashkë kemi pranuar dhe miratuar, siç është statuti dhe libri i rregullave.
Erion Braçe: Unë nuk u shmangem përgjegjësive të mia dhe kam dashur të sqaroj votën time në seancën e kaluar. E kam sqaruar në publik dhe jam mirëkuptuar. Unë kam abstenuar për Kodet në seancën e kaluar, sepse nuk e kam konsideruar votën si politike, e kam konsideruar të abstenoj në kohën që nga njëra anë bënte marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me ne, nga ana tjetër nuk tregonte asnjë moment reflektimi me atë që ndodhi më 8 maj në Tiranë. Të enjten e shkuar kur ne votonim, socialistët tanë në Fier përballeshin me hordhitë e Berishës dhe Ilir Metës për të grabitur kreun e Këshillit të Qarkut. Unë s’mund të pajtohesha me Sali Berishën në Parlament atë ditë. Por dua të bëj një dallim, s’mund të vë shenjën e barazisë kur bëhet fjalë për votimin tim abstenues ndaj kodeve dhe votimit pro ndaj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.
Saimir Tahiri: Para se të zbatojmë Rregulloren dhe statutin, ajo që na duhet është fryma e bashkëpunimit dhe e solidaritet brenda nesh. Nëse do të bëjmë një analizë, të mos ndalemi vetëm tek votimi apo qëndrimi në Parlament, por dhe te qëndrimet dhe deklaratat jashtë tij.
Andis Harasani: Nëse keni ndonjë shqetësim për persona konkretë, mund ta thoni. Flisni me emra konkretë dhe jo në përgjithësi. Nëse do flasim me emra të përveçëm, ti Saimir e di mirë kush na e prishi takimin në Kombinat mua dhe Ben Malajt. Ndërsa ti Tan Gaçi ke kërku përjashtimin tonë nga grupi.
Arben Malaj: Nuk e kuptoj nëse po flitet në aspektin personal apo në parim. Nëse doni t’i hyjmë një analize të qëndrimeve të deritanishme, jam i gatshëm ta bëjmë. Ti (Sajmir Tahirit) me ata rrugaçët e tu e prishët takimin tonë me socialistët në Kombinat. Nëse do të flasim për pozicionin e gjithsecilit, unë dua të sqaroj se në lidhje me votën për guvernatorin kam folur me kryetarin e Grupit, ku i kam sqaruar pozicionin tim. Unë kam qenë vazhdimisht kundër veprimtarisë së guvernatorit Fullani dhe këtë e kam treguar dhe në Komisionin e Ekonomisë.
Sajmir Tahiri (Harasanit): Mos e hap këtë kapitull se ta tregoj unë si ka qenë puna e Kombinatit.
Edi Rama: Mos e personalizoni debatin, por diskutoni në parim.
Ilir Bejtja: Duhet nda shapi nga sheqeri, të jemi unikë dhe s’duhet të dalim si një grup i çarmatosur, ku pasi kemi diskutu dhe debatu për qëndrimet tona, kemi vendosur një qëndrim, në fund të na dalin vota të paditura për qëndrime të caktuara. Kjo na bën jo shumë të besueshëm dhe para shqiptarëve që i kanë sytë nga ne.
Shega Ligori: Votoj pro vendimit të Grupit, jo se shkojmë si ushtarë pas një vendimi të marrë, por sepse pas diskutimeve kemi rënë dakord që të jemi në një qëndrim. Statuti e ka të përfshirë se si duhet vepruar. Nëse sot do të marrim një vendim politik, duhet të jemi të gjithë prezentë, sepse s’mund të vendosim për ata që nuk janë prezentë. Dua të theksoj se jam kundër kulturës së presionit. Që të bësh karrierë, duhet të bësh presion, të votosh ndryshe, të flasësh nëpër gazeta dhe televizione dhe jo mbi bazë kontributesh e punësh që merr përsipër. Nëse do të funksionojë kështu, unë jam jashtë kësaj filozofie.
Ilir Gjoni: Ashtu siç është në statut të zbatohet, është fare e thjeshtë. Statuti dhe rregullorja janë materiale që i kemi miratuar dhe pranuar të gjithë bashkë.
Artan Gaçi: Fol më mirë për parime, jo për gjëra personale.
Olta Xhaçka: Ne socialistët vuajmë nga një sëmundje e hershme, brenda një grupi me rregulla dhe me liri për të debatuar dhe diskutuar, duam të bëhemi të gjithë të parët. Na pëlqen të jemi jashtë kornizave që vendos familja jonë. Të djathtët shkojnë në rresht. Socialistët janë një tufë macesh. Jam skeptike nëse kjo do të zbatohet, pas kësaj që vendosim këtu.
Bashkim Fino: Për mendimin tim, nuk kemi se çfarë diskutojmë dhe biem dakord apo për të parë herë e parë apo herë e fundit. Ne e kemi statutin, për atë statut dhe rregulla bashkëjetese kemi rënë dakord të gjithë; Na mbetet vetëm ta zbatojmë, nëse duam, nëse nuk duam, është punë tjetër. Deri tani edhe pse kanë ndodhur devijime, jemi menduar të mos prishim kohezionin në grup, por nëse ju kryetar thoni se duhet të zbatohet statuti, hajde ta zbatojmë, ai prandaj është shkruar që të zbatohet. Është e qartë!
Paulin Sterkaj: Shyqyr që u hap ky diskutim! Duhet të debatojmë në mbledhjet e Grupit, të diskutojmë dhe të marrim një vendim, që të respektohet nga të gjithë më pas.
Artan Gaçi: Jam dakord me këtë që u tha. Asnjëri të mos bëjë sikur ka monopolin e mendimit ndryshe, sepse të gjithë që jemi këtu mendojmë ndryshe, por nuk veprojmë ndryshe. Ishalla nuk ndodh ndonjë mbledhje tjetër që ta vëmë në zbatim këtë vendim. Është e kotë t’i drejtohesh të gjithë Grupit, kur tashmë dihen kush janë 2-3 liderët historikë të kësaj çështjeje. Unë jam për zbatimin e rregullores për çdokënd.

Harasani: Lista e Kryesisë s’ka rëndësi
Deputeti socialist, Andis Harasani, në një prononcim për “Top Channel”, më shumë rëndësi i jep fitores të së majtës në 2013-n, sesa qenies apo mosqenies pjesë e Kryesisë së re. “Ajo nuk është një listë zyrtare, por besoj se nuk ka asnjë lloj rëndësie lista. Që nga momenti që kam hyrë në PS e deri më sot, do të vazhdoj të punoj për fitoren e PS, për demokratizimin e jetës politike në vend, demokratizim që mua duhet të nisë nga PS. Jam krenar, besoj unë dhe të gjithë miqtë e mi, të gjithë ata që më kanë mbështetur, socialistët me të cilët kam folur, i kemi fituar betejat publike pra, atë çka ne kemi kërkuar të bëjë është bërë dhe mendoj se kjo është rruga që duhet të vazhdojmë për të demokratizuar akoma më shumë PS për ta kthyer në një parti të vërtetë demokratike dhe për ta bërë të gatshme për të fituar zgjedhjet e ardhshme të 2013-s. Se kush është në lista, se kush votohet e se kush nuk votohet, këto janë gjëra të një rëndësie të dytë”, tha Harasani.

Votimi në Kuvend
Grupi Parlamentar socialist ka vendosur dje organizimin e një debati mjaft tematik lidhur me projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2012, i cili do të diskutohet ditën e premte në Kuvend. Debati për buxhetin, më i rëndësishmi i të gjithë vitit politik, do të zhvillohet për rreth 14 orë, 8 orë ka kërkuar maxhoranca dhe 6 orë opozita, pa përfshirë këtu ndërhyrjet e Kryeministrit dhe të ministrave për zëra të veçantë të këtij buxheti. Opozita ka vënë në lëvizje të gjitha potencialet e saj të ekspertëve për të përballuar debatin kryesor mes maxhorancës dhe opozitës në Kuvend.

Kryesia
Kreu socialist, Edi Rama, reagoi dje në Twitter në lidhje me hartimin apo jo të një liste me kandidatë për në Kryesinë e re socialiste. “S’ka listë Kryesie nëpër korridore, po vetëm lista korridoresh në gazeta dhe kronika”, është shprehur Rama në adresën e tij në rrjetin social Tëitter. Një e përditshme publikoi dje një listë me emra kandidatësh për Kryesinë e re, listë e cila krijoi tension tek ata që përfshiheshin dhe nuk përfshiheshin në të. Reagimi i Ramës
erdhi dhe si qetësim për zërat e ngritur dje në PS.

Anduel Xhindi
Deputeti i ri i Partisë Socialiste të qarkut të Fierit, Anduel Xhindi, mori pjesë dje për herë të parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS. Pasi bëri betimin në seancën plenare të enjten e shkuar, Andueli ishte ulur dje në krah të kolegëve të tij deputetë. Andueli, djali i deputetit të vrarë socialist, Fatmir Xhindi, pak para zgjedhjeve të 2009-s, mori mandatin e deputetit pas votimit të Ermelinda Meksit për në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Andueli mori dje dhe mirëseardhjen dhe nga kreu socialist që në nisje të fjalës së tij në mbledhje.

Aristir Lumezi

© Panorama.al

Te lidhura