
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, kërkoi dje që opozita të vendosë rreth votimit të ligjeve në Parlament. Pas një takimi që pati dje në mesditë me kreun e socialistëve, Edi Rama, në selinë e PS, Volfarth tha se pati një shkëmbim shumë të mirë pikëpamjesh mbi situatën politike dhe integrimin europian. “Opozita, sigurisht, duhet të vendosë pas një diskutimi dhe dialogu të vërtetë në Kuvend se si do të votojë. Por unë mendoj se është gjithashtu shumë e rëndësishme që të ketë qartësi dhe pozita të barabarta në Rregulloren e Parlamentit. Ky do të ishte një hap i parë shumë i rëndësishëm. Pa dyshim, do të ishte shumë mirë që të shihej se si është trajtuar ajo në të shkuarën, dhe që përfaqësuesit e qeverisë dhe të opozitës të jenë në pozicione të barabarta në Kuvend, në mënyrë që procesi të jetë i drejtë”, u shpreh kreu i OSBE-së në Tiranë. Sipas Volfarth, ajo që ka rëndësi janë dhe rregullat në Parlament. “Patëm një shkëmbim shumë të mirë mendimesh për situatën politike aktuale. Një aspekt shumë i rëndësishëm është vizioni për integrimin europian. Gjithashtu, folëm për aspekte të raportit tim më të fundit në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, si dhe për mënyrat e angazhimit në Kuvend. Ndoshta ky është një hap themelor, një hap i parë themelor”, u shpreh ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Takimi mes kreut të opozitës dhe ambasadorit të OSBE-së vjen një ditë pasi Kuvendi dështoi të votojë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, pas vendimit të opozitës për të mos votuar ligjet me 3/5, me kusht që fillimisht të merren parasysh ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit.











