Volfarth: Duhet President konsensual si Avokati i Popullit

Jan 10, 2012 | 10:27

Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth

Kreu i OSBE-së në Tiranë paralajmëron maxhorancën për zgjedhjen e kreut të ri shtetit.

Volfarth: Shpresoj të jetë i ngjashëm me Avokatin e Popullit.

Prezenca e OSBE-së në Tiranë inkurajon zgjedhjen me konsensus të kreut të ri të shtetit. Ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, deklaroi dje se 127 votat e dhëna për Avokatin e Popullit janë një tregues i qartë që konsensusi politik në Shqipëri mund të arrihet dhe të aplikohet edhe për Presidentin e Republikës. Ndonëse e konsideroi si të parakohshëm debatin, Volfarth deklaroi se palët mund të arrijnë të gjejnë konsensusin e nevojshëm që të arrihet zgjedhja e një kandidati që merr votat e të dy kampeve politike. “Ajo që është shumë e rëndësishme për të shtruar rrugën drejt integrimit evropian, është konsensusi, të folurit me njëri-tjetrin, dhe ja tek jemi tek institucioni i Avokatit të Popullit. Kjo tregon se konsensusi është jo vetëm i mundur, por edhe se me konsensus Shqipëria ecën përpara. Shpresoj që një konsensus i ngjashëm – mbase jo aq i lartë, – por një konsensus i ngjashëm të mund të arrihet kur të gjendet kandidati apo kandidatët për President”, deklaroi ambasadori i OSBE-së. Lidhur me debatin për interpretimin e nenit 87 të Kushtetutës dhe mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kreu i OSBE-së theksoi se një debat i tillë duhet të behet në kohën e duhur. “Viti sapo ka filluar, zgjedhjet janë në korrik, Kushtetuta është aty, dhe ka kohë të mjaftueshme për të diskutuar. Prandaj le t’ia kushtojmë ditën e sotme Avokatit të Popullit. Do të thosha që ky është vërtet një hap i madh për qytetarët shqiptarë dhe gjithashtu për integrimin europian”, u shpreh ai.
Debati
Prej disa ditësh ka nisur një debat për interpretimin e Kushtetutës për nenin 87, për mënyrën se si do të zgjidhet Presidenti. Të majtët, edhe pse jo zyrtarisht shprehen se ky nen duhet të interpretohet nga Gjykata Kushtetuese, pasi sipas tyre tri raundet e para që të quhen të vlefshme, duhet te kenë jo më pak se 84 deputetë në sallë. Mosarritja e këtij kuorumi sipas PS do ta detyrojë palën tjetër të vendosë për një kandidaturë të pëlqyer nga të dyja kampet. Por nga ana tjetër, në mbledhjen e parë të qeverisë, Kryeministri Berisha deklaroi se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit. “Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët”, u shpreh Berisha. Për maxhorancën, zgjidhja është e qartë, kandidati për President do të zgjidhet nga radhët e PD-së.
Takimi
Deklaratat e kreut të prezencës së OSBE-së erdhën dje gjatë takimit të zhvilluar me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Volfarth ka vlerësuar arritjen e dakordësisë dypalëshe për votimin e Avokatit të Popullit, çka ishte dhe një nga 12 kushtet e Komisionit Europian. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e mandatuar për ta mbështetur Shqipërinë për të pasur të drejta të njeriut të plota dhe një shtet të së drejtës të plotë, dhe Zyra e Avokatit të Popullit dhe vetë Avokati i Popullit janë pikënisje të rëndësishme. Më vjen shumë mirë që tashmë e shohim Shqipërinë në pozitën që është plotësisht e pajisur në këtë drejtim. Totozani do të ketë jo vetëm përkrahje personale, por edhe nga ana institucionale ai do të vazhdojë të ketë përkrahjen e plotë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri”, deklaroi ambasadori.

Ambasadori i BE-së komenton zgjedhjen e kreut të shtetit
Sekui: Presidenti i ri të përfaqësojë unitetin e popullit

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë shprehet se Presidenti i ri duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Në një intervistë për emisionin “Prizëm” të gazetarit Aleksandër Furxhi në “AS”, diplomati i lartë i Brukselit i referohet pikërisht nenit 86 të Kushtetutës, kur pyetet për identikitin që duhet të ketë Presidenti i ri që do të zgjidhet në muajin korrik. “Për sa i përket identikitit, atë e kemi dhe mund ta shikojmë fare qartë në Kushtetutën e Shqipërisë, i cili është edhe dokumenti më i rëndësishëm i vendit. Pikërisht në nenin 86 të Kushtetutës thuhet qartë se Presidenti i Republikës së Shqipërisë është përfaqësuesi i unitetit të popullit. Pra ky është identikiti që është krijuar nga vetë shqiptarët”, u shpreh Sekui. Ai vlerësoi me nota pozitive Presidentin Bamir Topi, për të cilin tha se “ajo që mund të them është që Zoti Topi ka qenë gjithnjë një interlokutor tepër i rëndësishëm dhe gjithmonë kam vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe mënyrën se si ai e ka mbajtur gjallë konceptin që integrimi është në fakt një objektiv i rëndësishëm kombëtar dhe në interesin kombëtar të Shqipërisë”. I pyetur mbi qëndrimin e maxhorancës, e cila ka deklaruar se do ta zgjedhë me votat e saj Presidentin, Sekui tha se “unë mendoj se ky është një diskutim që vjen përpara kohe, sepse pastaj do të arrinim të bënim spekulime. Nuk kemi ende emra, dhe unë e shoh që sipas Kushtetutës dhe dispozitave të saj të gjithë mund të bëjnë propozime dhe të japin kandidatura. Pra ajo që po them është se nuk kam interes të veçantë për të dhënë, për të bërë spekulime për një skenar të mundshëm të këtij apo atij lloji”.

Berisha: Presidenti me 71 vota

Kryeministri Berisha

Kryeministri Sali Berisha ka përsëritur disa herë qëndrimin e maxhorancës se do të jetë ajo që do të zgjedhë kreun e ri të shtetit. “Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ju garantoj se do të zgjidhet kryekëput dhe tërësisht në përputhje me Kushtetutën e vendit, por çdo përpjekje për t’i imponuar Shqipërisë, për t’i kushtëzuar asaj dëshira suplementare në raport me Kushtetutën, do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerat. Uroj që të bëjmë përpjekje të mëdha për t’i dhënë vendit një president në lartësinë e detyrave, në lartësinë e Kushtetutës dhe të ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh kreu i qeverisë. Më herët Berisha është shprehur se një nga drejtuesit e lartë të PD-së do të jetë kandidat për President, ndërkohë që ka konfirmuar se Bamir Topi nuk do të mbështetet për një mandat të dytë.

Ministri Imami: Raundet me 71 deputetë

Arben Imami

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh një nga anëtarët e grupit të punës që ka shkruar Kushtetutën në vitin 1998, Arben Imami, interpreton nenin e ligjit themeltar të shtetit që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Sipas tij, pas ndryshimit të Kushtetutës në vitin 2008, që në fund u pranua si nga maxhoranca, ashtu dhe nga opozita, u ndryshua një nen, i cili shmangte krizën politike në vend, që vinte pikërisht nga zgjedhja e kreut të shtetit. “Qëllimi i ligjvënësit në këtë rast ka qenë që t’i japë stabilitet vendit dhe të përjashtojë çdo mundësi bojkoti. Politikisht dhe juridikisht PS është përjashtuar nga mundësia për bojkot sepse votimi bëhet me 71 deputetë. Kushtetuta ka një nen të posaçëm që votimi quhet i kryer në tri raundet e para edhe kur nuk ka kandidat”, tha Imami. Prej një jave, juristët dhe politikanët në vend janë duke debatuar lidhur me mënyrën se si do të zgjidhet Presidenti. Sipas opozitës, tri raundet e para nuk mund të quhen të tilla nëse në to nuk marrin pjesë të paktën 84 deputetë.

Moisiu

Alfred Moisiu

Ish-presidenti i vetëm konsensual në Shqipëri, Alfred Moisiu, vëren se nene të Kushtetutës kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese. Duke folur për gazetën “Panorama”, ish-kreu i shtetit kërkon që ky interpretim të bëhet nga anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe nga asnjë faktor tjetër, qofshin këta dhe politikanë. Sipas tij, neni 87 duhet të interpretohet nga Kushtetuesja.

 

 

 

Tritan Shehu: Presidenti, nga PD-ja
Emri i kandidatit për President do të dalë nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Kështu u shpreh dje deputeti i PD-së, Tritan Shehu, gjatë një prononcimi për “AS”. “PD-ja do të paraqitet me kandidatin e saj dhe ne shpresojmë dhe jemi të bindur që Presidenti i ardhshëm do të jetë edhe kandidati i PS-së, pasi të tillë janë numrat e mekanizmat në Parlament, të tilla janë dhe resurset që ka Partia Demokratike brenda saj”, tha ai. Sipas deputetit Shehu, PD dhe PS nuk do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

 

 

Avokati i Popullit, Berisha pret në zyrë Igli Totozanin

Berisha e Totozani

Kryeministri Sali Berisha u takua dje në zyrën e tij me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, pak ditë pasi ai mori votëbesimin konsensual në Parlament. Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Berisha e siguroi Avokatin e Popullit për mbështetjen e plotë nga ana e qeverisë të punës së këtij institucioni dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar si në konsultimin për hartimin e legjislacionit të nevojshëm që ka lidhje me të drejtat e njeriut, ashtu edhe në zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit në lidhje me problemet e konstatuara në respektimin e këtyre të drejtave. “Totozani e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që ai i dha në ushtrimin e detyrës së tij. Ai çmoi se maxhoranca e gjerë, me të cilën u votua kandidatura e tij, e angazhon atë akoma më shumë në kryerjen e detyrës në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe larg ndikimeve politike, në interes vetëm të qytetarit”, thuhet më tej në njoftimin e Kryeministrisë.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura