Vodhi kabllot për skrap, në kërkim kreu i Ujësjellësit

Nov 1, 2011 | 12:24
Baftjar Gropa, drejtori i Ujësjellësit në Patos, i shpallur në kërkim

Drejtori i Ujësjellësit në Patos lë pa ujë qytetin, duke organizuar vartësit e tij në një vjedhje masive të ndërmarrjes që drejton. Ky është rezultati i një hetimi disamujor i policisë së Fierit, pas vjedhjes së telave të bakrit të linjës që furnizon me energji stacionin e pompave të ujit të pijshëm për qytetin e Patosit. Dy ditë më parë, dy persona, Pëllumb Nazëraj dhe Nuri Velaj, nga fshati Varibop, u arrestuan në flagrancë teksa kishin vjedhur rreth 250 metra kabllo. Kjo ishte vjedhja e fundit e grupit të dyshuar, të përbërë nga tetë persona, punonjës të Ujësjellësit të Patosit. Mësohet se si të dyshuar për këtë vjedhje të përsëritur janë vënë në pranga katër persona, tre po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa është shpallur në kërkim kreu i Ujësjellësit, Baftjar Gropa, 44 vjeç, nga fshati Dukas i Fierit. Ai akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Ndërsa në pranga janë vënë shtetasit Sajmir dhe Ajet Yzeiri, 34 vjeç dhe 40 vjeç, nga fshati Kreshpan me detyrë pompistë të këtij ujësjellësi e Kujtim Shahaj, 44 vjeç, nga Cakrani, me detyrë elektricist i këtij fshati, të dyshuar se kanë konsumuar veprat e “vjedhjes” dhe “shpërdorimit të detyrës”. Bashkë me ta u arrestua dhe Ardian Myftaraj, 42 vjeç, nga fshati Dukas, i cili dyshohet për veprën penale të “përvetësimit të mallrave të vjedhur”. Ndërkaq, pas prangosjes sipas policisë po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale të “vjedhjes”, Pëllumb Nazëraj, 59 vjeç, dhe Nuri Velaj, 49 vjeç, banorë të fshatit Varibop dhe me detyrë përkatësisht, ndihmëspompist dhe pompist në stacionin e pompave të ujit në fshatin Varibop. Po në gjendje të lirë po ndiqet edhe shtetasi Agron Meçaj, 49 vjeç, nga fshati Kreshpan i Fierit. Sipas burimeve, vjedhja dyshohet të ketë qenë e mirorganizuar dhe të jetë përsëritur disa herë. Hetuesit kanë ngritur dyshimet se drejtuesi i Ujësjellësit, 44-vjeçari Baftjar Gropa, ka pasur dijeni mbi këtë vjedhje. Madje, policia dyshon se ai ka qenë “truri” i gjithë kësaj vjedhjeje. Dyshohet se ai bashkëpunonte me vartësit e tij, të cilët i kryenin vjedhjet në terren. Ndërsa më pas kujdesej që ndërmarrja të kryente blerje të sasive të kabllove të vjedhura. Burimet pohojnë se kjo gjë dyshohet të jetë përsëritur disa herë, ku kablloja e re vendosej sërish për t’u vjedhur po nga ata që e kishin grabitur më parë. Ankesat e qytetarëve të Patosit të mbetur disa herë pa ujë të pijshëm, si dhe informacionet e marra në rrugë operative, kanë qenë indiciet e para të hetimit ndaj këtij grupi të dyshuar për vjedhje. Qyteti i Patosit vazhdon të jetë në ditën e dytë pa ujë të pijshëm. Ndërkohë që vetëm dy ditë më parë vetë kreu i Ujësjellësit, Gropa, doli në deklaratë për mediat, ku denoncoi rastet e vjedhjes, teksa u shpreh se policia duhet të gjente autorët e kësaj ngjarjeje.
“Këta shtetas, në bashkëpunim, mbrëmjen e 30 tetorit 2011, kanë prerë dhe më pas vjedhur telat elektrikë të pesë kampatave të linjës elektrike që furnizon pompat e ujësjellësit të fshatit Varibop ne Cakran. Në kohë të ndryshme dhe në mënyrë të vazhdueshme kanë organizuar dhe kryer prerjen e telave të po këtij rrjeti elektrik, të cilin me pas e kanë shitur për qëllime përfitimi, për skrap”, bëri të ditur Policia.

Të arrestuar
Sajmir Yzeiri, 34 vjeç, pompist në Ujësjellës
Ajet Yzeiri, 40 vjeç, pompist në Ujësjellës
Kujtim Shahaj, 44 vjeç, elektricist në Cakran
Ardian Myftaraj, 42 vjeç, banues në fshatin Dukas

Në kërkim
Baftjar Gropa, 44 vjeç, drejtor i Ujësjellësit Patos

Ndiqen në gjendje të lirë
Agron Meçaj, 49 vjeç, banues ne fshatin Kreshpan
Pëllumb Nazëraj, 59 vjeç, ndihmëspompist në stacionin e pompave
Nuri Velaj, 49 vjeç, pompist në stacionin e pompave të ujit

PATOS/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura