Vodhi 200 mijë litra naftë nga një anije në Durrës dhe korruptoi policin, GJKKO lë në burg Juxhin Kokën

Oct 24, 2025 | 15:51

GJKKO ka lënë në burg 31-vjeçarin Juxhin Koka, i cili u ekstradua nga Spanja pasi SPAK e akuzon se ka korruptuar me 10 mijë euro punonjësin e policisë dhe ka vjedhur bashkë me disa persona të tjerë 200 mijë litra naftë nga një anije që ishte ankoruar në portin e Durrësit.

gjkko-o

Ndaj Juxhin Kokës tij ishte caktuar masa sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, kontrabanda me mallra të akcizës ose me pezullim të detyrimeve doganore dhe vjedhja, kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve nga SPAK, ka rezultuar se Juxhin Koka dhe Drilon Malluta, i ofruan 10 mijë euro ryshfet punonjësit të policisë Armand Marvataj, me qëllim që ky i fundit të lejonte nxjerrjen e paligjshme të naftës së sekuestruar nga anija, më 27.1.2025.

Mbrëmjen e po asaj date, në bashkëpunim me anëtarët e ekuipazhit, nafta u transportua ilegalisht jashtë anijes, pavarësisht se ajo ishte nën sekuestrim të vendosur më 12 janar, gjatë operacionit të koduar “Ari i zi”, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Gjatë kontrollit në banesën e efektivit të policisë, Armand Marvataj, është sekuestruar edhe shuma prej 10.000 euro, e konsideruar provë materiale e veprës penale të korrupsionit.

LEXO EDHE: EMRAT/ Kontrabanda e naftës në Durrës, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 11 persona, mes tyre edhe një polic! Mori 10 mijë euro për të nxjerrë mallin e sekuestruar

Në mesin e të akuzuarve janë shtetas shqiptarë, sirianë dhe egjiptianë, përfshirë: Armand Marvataj, punonjës policie, Juxhin Koka, Drilon Malluta, Mohammad Sallit (kapiteni i anijes) dhe Nedio Mejdani (oficer i parë), dhe anëtarë të ekuipazhit, Samir Bayoumy me detyrë inxhinier i tretë dhe përgjegjës teknik i anijës, marinarët, Hasan Broud, Sami Shanata, Faez Ismaeil, Wissam Rostom dhe Abdoulmohaimen Shanata, shtetas sirianë dhe një egjiptian.

GJKKO NJOFTIM PËR MEDIAT

1. Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 23.10.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “1. Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për të pandehurin Juxhin Koka; 2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për të pandehurin Juxhin Koka, i biri i M. dhe i N., i datëlindjes ****, lindur dhe banues në ****, me numër personal ****, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal.”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 248, 228, 229 dhe 230 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 110, datë 24.10.2025, vendosi:

1. Vazhdimin e zbatimit ndaj të pandehurit Juxhin M. Koka, të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kondrabandë për mallrat për të cilat paguhet akcizë, ose me pezullim të plotë apo të pjeshëm, nga detyrimet doganore, ose të akcizës” kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksion publike” kryer në bashkëpunim, dhe “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 172/3 e 25, 244 paragrafi 2 e 25, 134/3 e 25 të Kodit Penal, caktuar me vendimin nr. 18, datë 19.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.

© Panorama.al

Te lidhura