Vlorë, i jepet lamtumira gjyqtarit

Sep 11, 2011 | 11:39
Nëna, bashkëshortja dhe motra e gjyqtarit të vrarë

Jepet lamtumira për Skerdilajd Konomin. Familjarë, miq dhe të afërm, qytetarë dhe shtetarë i kanë bërë dje nderimet e fundit gjyqtarit vlonjat, babait të dy fëmijëve.Një ceremoni mes lotëve të bashkëshortes, thirrjeve të nënës që kërkonte djalin e vetëm, vetëpërmbajtjes së babait dhe ngushëllimit të shokëve, po ku mungoi Presidenti i Republikës, Kryeministri, kryetari i opozitës dhe shumë politikanë të tjerë. Ndryshe nga ç’pritej pas deklaratave dënuese për krimin monstruoz të një nate më parë, dje paradite ata kanë deleguar deputetë dhe këshilltarë për ceremoninë. Të mbledhur para kinoteatrit “Petro Marko”, ata kanë mbajtur radhë të gjata për të vendosur kurora me lule në ambientet e brendshme, aty ku ishte vënë arkivoli i të ndjerit. Në këtë radhë ishte edhe vetë kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama, ku në homazhe mori pjesë së bashku me të shoqin. E veshur me të zeza, shik dhe pa tualet, ajo ka ngushëlluar prindërit dhe bashkëshorten e gjyqtarit, Enkelejdën, por në asnjë moment nuk ka pranuar që të prononcohet. Kryepro-kurorja është zhvendosur në lokalin ngjitur kinoteatrin duke pritur orarin e varrimit, ndërsa pjesëmarrësit e tjerë kanë vijuar ceremoninë. Fill pas saj, në sallën e homazheve u shfaq kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Ata vunë

Nisja e homazheve në kinoteatrin “Petro Marko”

kurorat me lule në emër të partisë dhe Kryeministrit, ndërsa ministri Halimi u shpreh se “autorët do të gjenden shumë shpejt”. Pas tij, në një linjë dhe sasi fjalësh me të, foli edhe drejtori i Policisë së qarkut të Vlorës, Ylli Metko. Ai garantoi se po punohet intensivisht për kapjen e autorëve, por pa dhënë asnjë detaj tjetër. Në këto deklarata zyrtare ka vijuar edhe ish-ministri i Drejtësisë, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Duke dënuar krimin makabër, Spahiu tha se “shteti është vënë në provë”, ndërsa Alibeaj theksoi se “ky është moment

Skerdilajd Konomi me bashkeshorten

reflektimi për të gjithë, se të ngresh dorën ndaj zyrtarëve, ky është krimi më i madh”. Pas gjithë këtyre reagimeve të djathta, u duk se ishte radha e kampit politik të majtë për fjalime. Në derë u shfaq sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Socialiste, ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputet, Fatmir Xhafa, por, pasi ka bërë nderimet e çastit, ai u largua pa u prononcuar. E gjithë ceremonia ka vijuar për më shumë se një orë, ndërsa më pas pjesëmarrësit janë larguar drejt varrezave të Babicës, duke e përcjellë në banesën e fundit Skerdilajd Konomin.

Ministri Halimi: Kriminelët para drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, ka udhëtuar dy ditë rresht drejt Vlorës. Një herë të premten, pak kohë pas atentatit ndaj gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, kur ka ngushëlluar familjarët e tij dhe ka zhvilluar mbledhje me drejtorin e Policisë së qarkut. Ndërsa dje për të bërë nderimet ndaj përfaqësuesit të Drejtësisë gjatë homazheve në hollin e teatrit “Petro Marko”. Ai deklaroi se ka kërkuar nisjen e hetimeve nga specialistët më të mirë dhe ekspertë të huaj për këtë ngjarje makabre. “Kriminelët do të dalin para drejtësisë”, u shpreh Halimi para familjarëve të gjyqtarit Konomi, duke deklaruar se ata do të gjenden shumë shpejt, për t’u përballur me drejtësinë për atentatin makabër ndaj 33-vjeçarit, baba i dy fëmijëve të mitur.

Kryebashkiaku Gjika: Të kapen autorët

I pranishëm në homazhet në nderim të gjyqtarit Skerdilajd Konomi ka qenë dhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Ai u shpreh pas ceremonisë se duhet të zbardhet sa më shpejt krimi i rëndë dhe të kapen autorët e tij. “Janë goditur familjarët, qyteti i Vlorës është goditur, por edhe sistemi i korruptuar në Shqipëri”, deklaroi ai. Kreu i Bashkisë së Vlorës mori pjesë në homazhet për gjyqtarin e vrarë, jo vetëm si pushtetar vendor, por dhe si bashkëqytetar i familjes Konomi, e cila humbi të premten djalin e vetëm të saj.

VLORE/ ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura