Vllaznia “peshkon” Palermon në turin e tretë paraeliminator të Ligës së Europës. Pas shortit të hedhur dje në Nionin të Zvicrës, goglat kanë përcaktuar si kundërshtarin e radhës për Thunin ose Vllazninë skuadrën e njohur italiane. Në Shkodër kanë fërkuar duart pasi kanë mësuar shortin. Këtë e konfirmon edhe vetë presidenti Valter Fushaj në një prononcim për “Panorama”. Ai ka urdhëruar menjëherë një regjim të rreptë për skuadrën, pasi kërkon që të hyjë në histori, duke kaluar dy ture në Europë. “Nuk e fsheh që jemi të gëzuar se mund të luajmë me një ekip shumë të njohur në turin tjetër, por ne akoma nuk jemi kualifikuar. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse na duhet shumë punë në 90-minutëshin e kthimit në Zvicër. Mendova që duhet të bëhemi shumë më seriozë, që nga unë i pari, çdo pjesëtar i stafit teknik dhe sigurisht lojtarët, në mënyrë që të arrijmë këtë sukses, i cili do të ishte historik, jo vetëm për Shkodrën, por në të gjithë Shqipërinë. Lojtarët duhet të kenë më shumë besim në vetvete. Ua kemi krijuar të gjitha kushtet dhe tani kanë një shans të artë”, tha Fushaj. Ndërkaq, më 28 korrik është parashikuar të luhet ndeshja e parë e turit të tretë paraeliminator të Ligës së Europës. Vllaznia ose Thuni e presin Palermon, ndërsa sfida e kthimit do të luhet më 4 korrik në Itali.











