Ndryshon stili i gjobave te Vllaznia. Pritej që penalizimet të ishin kolektive, pra të përfshinin të gjithë kontingjentin, por së fundmi mësohet se ato do të jenë vetëm për një pjesë të lojtarëve. Pritet që të analizohen me detaje dy ndeshjet e para të sezonit, sidomos humbja kundër Kamzës (1-0), ku në bazë të pamjeve filmike do të merret edhe një vendim përfundimtar. Megjithatë, duket se klubi po tregohet i matur, pasi paraprakisht preferon që të mos krijojë presion mbi futbollistët një ditë para ndeshjes së Kupës së Shqipërisë me Butrintin. Kësisoj, sipas të gjitha gjasave, ditën e enjte do të bëhen publikë emrat e atyre që do ta pësojnë dhe atyre që do të dalin të larë, pas disfatës së fundit. Ishte menduar që ditën e djeshme të zhvillohej një mbledhje në klubin shkodran, me qëllim që të analizohej me hollësi humbja e fundit ndaj Kamzës, mirëpo ajo është anuluar dhe drejtuesit janë mjaftuar vetëm me analizën e realizuar të dielën.











