Nuk duket se do të jenë më shumë se gjashtë emrat që do të afrohen pranë Vllaznisë në këtë merkato. Ata që kanë hedhur firmën momentalisht mbi kontratë, janë Nenad Brnoviç e Ivica Jublan, por thuajse të zyrtarizuar janë edhe Da Silva, Vuk e Moreno, ndërsa trajneri Rudi Vata pret që të firmosë edhe Amarildo Dimo. Ky i fundit është një nga të preferuarit e teknikut, me të cilin mendohet se merkatoja mund të quhet e mbyllur dhe e suksesshme. Tekniku Rudi Vata ka bërë edhe planifikimet, duke pasur si qëllim që lojtarët e larguar nga skuadra të zëvendësohen jo vetëm si numër, por edhe si cilësi. Pranë Vllaznisë në këtë periudhë merkatoje kanë ardhur për provë 18 lojtarë nga të gjitha kombësitë. Një pjesë e tyre ka mbërritur në ditët e fundit të muajit dhjetor dhe një pjesë e mirë e tyre që vijon edhe stërvitjen me skuadrën në ditët e para të janarit.











