Vjedhja në Gjykatë, Deda: Nga njerëz brenda stafit

Nov 10, 2011 | 9:20

Kryetarja e Gjykatës për Krimet e Rënda, Etleva Deda, shprehu dje besimin e plotë se autori i vjedhjes në dhomën e ruajtjes së provave në Gjykatë ishte një nga punonjësit e institucionit. Paratë e humbura u kapën gjatë ndalimit të një prokurori
Në një prononcim për gazetën “Panorama”, kryetarja e Krimeve të Rënda pohoi se kishte marrë një masë ndaj një prej punonjësve të institucionit. Por kjo, jo për vjedhjen e konstatuar dy ditë më parë, por për një shkelje të mëparshme. “Qëllimi i keqbërësit nuk ka qenë përfitimi. Kjo për shkak se në atë ambient ruhen sende të tjera shumë më me vlerë se sasia e parave të vjedhura. Njëkohësisht, personi ka vepruar me shumë gjakftohtësi. Zarfi ku ka qenë portofoli me paratë e vjedhura, është mbyllur sërish me kapëse, ashtu si ishte në gjendjen e mëparshme”, u shpreh Deda për paratë e vjedhura në dhomën e ruajtjes së provave materiale. Në lidhje me qëllimin e vjedhjes, Deda u shpreh se duhet të identifikohej autori më parë e më pas të kuptohej qëllimi i tij. Por, sipas saj, janë disa pistat, ku ndër të parat është ajo e dëmtimit të imazhit të mirë të Gjykatës për Krimet e Rënda. Njëkohësisht, ngjarja mund të ketë lidhje edhe me përzgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës, që pritet të përcaktohet në një nga mbledhjet e ardhshme të KLD-së. Për “ndëshkimin” e djeshëm të një prej punonjësve të mirëmbajtjes së Gjykatës, kryetarja u shpreh: “Kam bërë lëvizjen e një punonjësi që ka përdorur në një rast çelësin universal pa leje. Bëhet fjalë për një rast të disa ditëve më parë, ku ky punonjës ka hyrë në kryesekretarinë e Gjykatës për të ndërruar bojën e printerit në një ditë pushimi dhe pa lejen time. Në një mbledhje të zhvilluar, ai pranoi që e ka përdorur çelësin universal”. Mungesa e një sasie parash, pjesë e provave materiale për llogari të proceseve gjyqësore, në Gjykatën për Krimet e Rënda, u konstatua nga magazinierja e dhomës së ruajtjes së provave dy ditë më parë. Bëhej fjalë për mungesën e një sasi prej 50 mijë lekësh dhe 300 eurosh, provë e sekuestruar një të pandehuri, të akuzuar për trafik narkotikësh.
Hetimi
Paratë e humbura në Gjykatën e Tiranës rezultojnë se i përkasin shtetasit Arben Veliko, person i ndaluar në shkurt 2009 së bashku me një prokuror ndaj të cilit u vendos masa arrest shtëpie. Ky prokuror ishte akuzuar atëherë së ka ndërhyrë te gruaja e tij gjyqtare tek Krimet e Rënda për mosdënimin e një trafikanti. Kjo akuzë është rrëzuar në Gjykatë dhe prokurori ka marrë pafajësinë. Komisariati i Policisë Nr.3, Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe Prokuroria kanë nisur dje hetimet në lidhje me vjedhjen në dhomën e provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas hetimeve, shuma e parave të marra në dhomën e provave të gjykatës i përkiste shtetasit Arben Veliko. Mungesa e parave në dhomën e provave është konstatuar vetëm dy ditë më parë, kur një i afërm i Velikos ka shkuar dhe ka kërkuar tërheqjen e parave sipas një vendimi të dhënë nga Gjykata për këtë çështje. Nisur nga ky fakt, mësohet se grupi i hetimit ka bllokuar gjithë inventarin e dhomës së provave të Gjykatës së Krimeve të Rënda, për të parë nëse ka humbur ndonjë send a objekt tjetër veç parave. Dyshimet e hetuesve janë se vjedhja e parave ka ndodhur kohë më parë dhe po kështu, veç shumës monetare, mund të jenë marrë prova të rëndësishme që dalin të nevojshme në fazat e mëtejshme të proceseve gjyqësore e që mund të bëhen shkak për dëmtimin e çështjeve penale.

Kujt i përkisnin paratë?
Më 11 shkurt 2009, Drejtoria e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit deklaroi se kishte përfunduar aksionin “Ndërmjetësimi”, duke ekzekutuar masat e sigurimit ndaj shtetasve A.P, prokuror në Tiranë, dhe shtetasve Arben Veliko, 42 vjeç, lindur e banues në Vlorë dhe Panajot Dhiamandi, 33 vjeç, lindur e banues në Vlorë. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurimit arrest në shtëpi për veprat penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Paratë e vjedhura në Gjykatën e Krimeve të Rënda i përkasin pikërisht shtetasit Arben Veliko, të cilit i ishin bllokuar gjatë arrestimit më 11 shkurt 2009.

Vjedhja, Ministria inspektim në Gjykatë
TIRANE – Ngjarja e vjedhjes së parave në dhomën e ruajtjes së provave materiale në Gjykatën për Krimet e Rënda ka “alarmuar” Ministrinë e Drejtësisë. Paraditen e djeshme, dy inspektorë të Ministrisë kanë mbërritur në Gjykatë ku kanë marrë kontakt me kryetaren e Gjykatës, kancelarin, magazinieren e dhomës së ruajtjes së provave, si edhe punonjës të tjerë të gjykatës. Bëhet e ditur se inspektorët kanë marrë prova të nevojshme, si inventarizimin e gjithë provave të depozituara në dhomën ku është realizuar vjedhja. Zyrtarisht Ministria e Drejtësisë konfirmoi dje se ishte urdhëruar një inspektim urgjent i rastit tek Krimet e Rënda. Po sipas burimeve zyrtare, Ministria e Drejtësisë do të bënte në mënyrë urgjente analizën për ngjarjen, si edhe do të marrë masa administrative për personat përgjegjës. Më parë, në këtë vend patën mbërritur ekspertët kriminalistë të Komisariatit të Policisë Nr.3, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

© Panorama.al

Te lidhura