Vjedhja e makinës, Greta Koçi dëshmon në Prokurori

Jun 10, 2012 | 13:08

Këngëtarja Greta Koçi dha deklarime dje në Prokurorinë e Tiranës për mbi 90 minuta në lidhje me vjedhjen e ndodhur në makinën e saj pak kohë më parë në kryeqytet. Rreth orës 13.00, këngëtarja e mirënjohur ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës së bashku me nënën e saj. Pasi kanë zbritur nga një fuoristradë në hyrje të institucionit, këngëtarja dhe nëna e saj janë paraqitur tek dezhurni dhe kanë njoftuar se ishin thirrur për t’u paraqitur në zyrat e grupit hetimor, në katin e dytë të Prokurorisë. Pa pritur gjatë, këngatarja Greta Koçi është paraqitur tek hetuesit dhe ka nisur të japë deklarimet e saj në lidhje me ngjarjen ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer makinën e saj “Chevrolet”, me targa TR 8383. “Shtetasja Greta Koçi është marrë në pyetje në lidhje me veprën penale të vjedhjes, kryer në dëm të saj në datën 15 maj duke u gdhirë 16 maji”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, këngëtarja është marrë në pyetje në lidhje me sendet që ka pasur në makinë para se të ndodhte ngjarja, vendin ku e kishte parkuar automjetin para ngjarjes dhe mënyrën se si ka mësuar për thyerjen e automjetit dhe marrjen e sendeve personale. Hetuesit thanë se këngëtarja ka pohuar se në makinë i ishte marrë kasetofoni, një portofol dhe aparati navigator që shërbente për ilustrimin e hartës së rrugëve gjatë lëvizjes me automjet. Prokuroria tha se ngjarja është ende pa autor, ndonëse po hetohet për zbulimin e personave të cilët kanë thyer xhamat e automjetit dhe kanë vjedhur sendet personale të këngëtares. Në garazhin e pallatit ku ajo banon, në zonën e Freskut në Tiranë, në të njëjtën kohë me makinën e këngëtares janë thyer e vjedhur edhe disa automjete të tjera, të cilave u janë thyer xhamat.

© Panorama.al

Te lidhura