
TIRANE – Bashkëshortët Nikollë dhe Jetmira Koleci, mjek dhe farmaciste, të dyshuar për përfshirje në një skemë vjedhjeje të ilaçeve në Spitalin Onkologjik, nuk kanë dhënë shpjegime në gjykatë mbi prejardhjen e ilaçeve të sekuestruara në garazhin në pronësi të tyre. Të paraqitur në gjykatë për njohjen me akuzën dhe masën e sigurisë, dy bashkëshortët “i kanë bërë bisht” dje pyetjes së gjykatës se nga kishin ardhur ato ilaçe.
Dy bashkëshortët, njëri mjek në një klinikë private dhe tjetra farmaciste në Spitalin Onkologjik, u prangosën pak ditë më parë në Tiranë, pas dyshimeve se kishin nxjerrë ilaçe nga farmacia e spitalit dhe i kishin shpërndarë në farmaci të ndryshme në kryeqytet. Gjykata kryeqytetit caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të dyshuarit Nikollë Koleci, për akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”. Për të njëjtën akuzë, bashkëshortja e tij, Jetmira Koleci, u la në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, referuar faktit që kishte dy fëmijë të mitur. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se para togave të zeza, i dyshuari Nikollë Koleci ka pranuar të ketë ilaçe në shtëpi, por ka mohuar të ketë bashkëpunuar në ndonjë skemë vjedhjeje me bashkëshorten e tij. “Pranoj që kam pasur ilaçe në shtëpi, por nuk kam bashkëpunuar me bashkëshorten time për ndonjë gjë”, mësohet të jetë shprehur ai para gjykatës. Bashkëshortja e tij, ish-farmacistja e Spitalit Onkologjik, ka mohuar të ketë nxjerrë ilaçe nga farmacia e spitalit. “Nuk kam nxjerrë kurrë ilaçe nga farmacia”, është shprehur e dyshuara. Po dje, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Andronaq Zilin, i arrestuar në të njëjtin operacion policor që prangosi çiftin Koleci. Ata ranë në pranga javën e kaluar, pas një hetimi disamujor nga ana e policisë së Tiranës. Kjo e fundit filloi procesin penal për shkak të informacioneve të marra në lidhje me shitjen e paligjshme të ilaçeve që ishin destinuar për t’u dhënë falas në Spitalin Onkologjik. Sipas hetimeve në fjalë, farmacistja e QSUT-së, shtetasja Jetmira Koleci, në bashkëpunim me të shoqin, mjek, kanë vjedhur ilaçet nga Spitali Onkologjik dhe pasi i depozitonin në një ambient te pallati i tyre, i shpërndanin ato në farmaci private, ku shiteshin me çmime 18-20 mijë lekë të reja medikamenti. ar.ba











