Vizat, vendimi për Kosovën brenda qershorit

May 18, 2011 | 9:24

PRISHTINE- Këshilli i Ministrave mund të thotë diçka rreth heqjes së vizave për Kosovën deri më 30 Qershor. Kjo është përgjigjja që Presidenca hungareze e BE-së u ka dhënë eurodeputetëve Ulrike Lunacek, Tanja Fajon dhe Hannes Swoboda, të cilët kishin kërkuar që dialogu me Kosovën për këtë proces të fillojë menjëherë.

Presidenca hungareze e Bashkimit Europian ua ka kthyer përgjigjen tre deputetëve europianë, të cilët kishin kërkuar fillimin e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën disa ditë më parë.

Edhe pse Ulrike Lunacek (raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian), Tanja Fajon (raportuese për liberalizim të vizave në Parlamentin Europian) dhe Hannes Swoboda (kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në PE, Grupi Punues për Ballkanin Perëndimor) kishin kërkuar që ky dialog të fillojë pa vonesa, Ministri i Brendshëm hungarez, Sandor Pinter nuk ka mundur të japë një afat rreth fillimit të këtij procesi me palën kosovare.

Por në përgjigjen e Pinterit, të cilën e ka siguruar Express, ka treguar përkushtimin e vendit të tij për këtë çështje.

“Mund t’ju siguroj që Hungaria vazhdon të jetë fuqishëm e përkushtuar që të lehtësojë afrimin e vendeve të rajonit dhe Unionit Europian”, ka thënë Ministri i Brendshëm i Hungarisë, e cila kryeson Bashkimin Europian në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Më pas, Pinter ka dhënë një përgjigje ku ka treguar se Këshilli i Ministrave të BE-së mund ta trajtojë liberalizimin e vizave për Kosovën, kur Komisioni Europian të thotë fjalën e vet rreth procesit të monitorimit të liberalizimit të vizave për vendet e rajonit. Kjo, sipas ministrit Pinter, mund të ndodhë gjatë Presidencës hungareze, e cila përfundon në fund të qershorit.

© Panorama.al

Te lidhura