Nis sot në të gjithë vendin viti i ri shkollor për sistemin parauniversitar.Rreth 56 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bangat e shkollës. Ndërsa 570 mijë të tjerë do të ulen për të ndjekur vitet e mëtejshme. Problem mbetet sërish infrastruktura, sidomos në Tiranë. Janë rreth 2000 nxënës në gjimnaze dhe më shumë se 1/3 e nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të cilët do të bëjnë mësim me turne. Por, ndërsa në një pjesë të shkollave ka dyndje, në të tjera ka ambiente të lira. Sipas Ministrisë së Arsimit, arsyeja është përqendrimi i nxënësve në shkollat më me emër. Është një tendencë e prindërve dhe e vetë atyre që, duke parë rezultatet që kanë pasur ndër vite këto shkolla, duan patjetër të regjistrohen aty. Kjo ka rritur fluksin dhe ka bërë që të ketë mbingarkesë. Këtë vit janë vendosur për t’u ndjekur 35 javë mësim dhe cikli vjetor për shkollat 9-vjeçare do të përfundojë në datën 6 qershor 2012. Provimet e lirimit janë vendosur të zhvillohen më 7 dhe 22 qershor. Për sa i përket arsimit të mesëm, ky vit shkollor mbaron më 13 qershor të 2012. Ndërsa maturantët kanë 2 javë më pak mësim, pasi ata kanë 5 javë provimet e maturës dhe do të përfundojnë në fund të qershorit. Janë parashikuar dhe dy periudha pushimi, rreth 2 javë në fundvit dhe në fund të muajit mars.
Tafaj: Synojmë braktisjen zero
Në përshëndetjen e tij për vitin e ri shkollor ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, e vuri theksin te pritshmëritë që ka dikasteri që ai drejton në sistemin parauniversitar. “Rritja e pjesëmarrjes në arsimin parashkollor i shërben zbutjes së ndryshimeve që ekzistojnë midis fëmijëve që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale, çka garanton rezultate më të mira në gjithë procesin e edukimit edhe në nivelet e tjera të shkollimit bazë dhe atij të mesëm. Ne synojmë që mbi 80% e fëmijëve 5-vjeçarë të vijojnë një vit parapërgatitor”, tha Tafaj. Ai shtoi se synohet të arrihet „braktisje zero” e arsimit të detyruar. “Çdo nxënës që përfundon arsimin bazë ka mundësi reale të vazhdojë arsimin e mesëm. Ftoj të gjithë të rinjtë, të cilët ende nuk janë regjistruar, të shkojnë të regjistrohen në shkollat e mesme. Këtë duhet ta bëjnë edhe ata që kanë përfunduar më herët arsimin 8-vjeçar, pasi për këtë grup shkollat profesionale do të ofrojnë një program të veçantë”, tha ministri. Ai theksoi se një nga prioritetet kryesore mbetet modernizimi i arsimit profesional. Ai nënkupton përshtatjen e përmbajtjes në funksion të kërkesave të ekonomisë dhe tregut të punës, përkthimin dhe përshtatjen e teksteve mësimore të huaja, përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës për formimin praktik, kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve, zgjerimin e paketës së bursave për nxënësit, si dhe zhvillimin e një pakete nxitëse për vetëpunësimin në bizneset e reja të të rinjve që kanë përfunduar arsimin profesional. “Shkollat profesionale do të transformohen në qendra të hapura gjatë gjithë ditës dhe aty do të mësojnë jo vetëm nxënësit e rregullt, por edhe të rinj, të cilët, për shkaqe të ndryshme, kanë filluar të punojnë, si dhe të rriturit që dëshirojnë të formohen në një profesion”, tha Tafaj.
56 mije
nxënës do të ulen për herë të parë në bangat e shkollës. Sot nis viti i ri shkollor në të gjithë sistemin parauniversitar.
2100 nxënës
në gjimnaze dhe më shumë se 1/3 e nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të cilët do të bëjnë mësim me turne edhe këtë vit shkollor.
Regjistrimi në universitete
Pas shpalljes së fituesve dy ditë më parë sot do të nisë regjistrimi i kandidatëve për studentë. Vetëm kështu ata mund ta fitojnë këtë status. Në rast se nuk zbatojnë afatet, do të skualifikohen, duke humbur kështu të drejtën për të nisur universitetin. “Kandidatët fitues bëjnë regjistrimin paraprak të tyre në programin e studimit ku janë shpallur paraprakisht fitues, pranë sekretarive mësimore të fakulteteve, nga data 12 shtator 2011 deri në 18 shtator 2011, nga ora 08:00 deri në orën 18:00”, bën me dije Ministria e Arsimit.
Pushimet
Për klasat I-IX
Periudha e parë, pushimet fillojnë më 24 dhjetor 2011 dhe mbarojnë më 4 janar 2012.
Periudha e dytë, pushimet fillojnë më 28 mars 2012 dhe mbarojnë më 1 prill 2011.
Provime: Provimet e Lirimit zhvillohen në periudhën 7 – 22 qershor 2012
Arsimi i Mesëm
Klasa X-XI
Mësimet fillojnë me 12 shtator 2011 dhe mbarojnë më 13 qershor 2012
Siguria nga automjetet, Bashkia vendos kangjella në 24 shkolla
Plot 24 shkolla 9-vjeçare në Tiranë do të ofrojnë më shumë siguri për nxënësit. Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë duke kryer një sërë punimesh duke vendosur sinjalistikën dhe vijëzimet pranë ambienteve shkollore, për të rregulluar trafikun e makinave. Gjithashtu, janë vendosur dhe kangjellat rrethuese për të rritur sigurinë e nxënësve. “Nga ana jonë është bërë e mundur marrja e masave për sigurinë e fëmijëve në ato shkolla që ndodhen në rrugët kryesore, në të cilat hyrja dhe dalja nga to përbën një problem për nxënësit. Brenda muajit shtator, 24 shkolla do të kenë sinjalistikë të nevojshme rrugore si dhe instalim të plotë të kangjellave që nuk lejojnë kalimin e nxënësve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës. Bashkia e Tiranës nuk do të mjaftohet vetëm me këto masa të marra në fillim të vitit të ri shkollor, por do të vijojë me zgjidhjen e të gjitha problemeve që mund të hasen gjatë vitit”, u shpreh sot për mediat drejtori i Përgjithshëm i Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, Taulant Zeneli. Gjithashtu, administrata e Bashkisë së Tiranës po kryen edhe veprime të tjera që kanë të bëjnë me rikonstruksione, si lyerje, heqje lagështire apo rregullime të sistemit të ngrohjes. Falë ndërhyrjeve të Bashkisë, do të fillojnë vitin e ri mësimor 3 shkolla në kryeqytet, “Ahmet Gashi”, “Servete Maçi” dhe “Siri Kodra”. Këto shkolla ishin mbyllur nga Instituti i Shëndetit Publik për shkak të mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











