TIRANE- Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë punimesh në shkollat e kryeqytetit, kryesisht për rritjen e sigurisë së nxënësve.
Bashkia ka vendosur sinjalistika dhe vijëzimet në 24 shkolla, për të rregulluar trafikun e makinave. Gjithashtu, janë vendosur dhe kangjellat rrethuese për të rritur sigurinë e nxënësve.
“Nga ana jonë është bërë e mundur marrja e masave për sigurinë e fëmijëve në ato shkolla që ndodhen në rrugët kryesore dhe hyrja dhe dalja nga to përbën një problem për nxënësit. Brenda muajit shtator 24 shkolla do të kenë sinjalistikë të nevojshme rrugore si dhe instalim të plotë të kangjellave që nuk lejojnë kalimin e nxënësve gjatë gjithë gjatësisë së rrugës”, u shpreh për mediat Drejtori i Përgjithshëm i Manaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës, z.Taulant Zeneli.
Bashkia njofton se ka kryer ndërhyrje në disa shkolla, si në lyerje, heqje lagështire, apo rregullime të sistemit të ngrohjes.
Pas pezullimit të mësmit nga Instituti i Shëndetit Publik për shkak të mosplotësimit të kushteve higjieno-sanitare, në shkollat , Ahmet Gashi”, “Servete Maqi” dhe “Siri Kodra”, Bashkia ka njoftuar se falë ndërhyrjeve të saj, do të fillojë viti i ri mësimor.
© Panorama.al











