Gjithnjë e duartrokitur dhe e dashur nga publiku, mexosopranoja Vikena Kamenica ndien se asnjë shfaqje nuk ka qenë më parë “Verteri”. Dha shumë, por edhe mori shumë. Ç’ishte kjo Sharlotë që e rrëmbeu të gjithën dhe bëri gjithë kryeqytetin të fliste për të një javë të tërë?
Perdet janë mbyllur, por Sharlota ende nuk është arratisur prej syve të saj. Kanë kaluar disa ditë nga ana e fundit e shfaqjes së operës “Verter”, por Vikena Kamenica vazhdon ende të jetojë emocionin e atyre ditëve. Dhe në fakt, nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, njerëzit vazhdojnë ta përshëndesin e përgëzojnë, teksa e shohin në rrugë. Nuk ka rëndësi nëse e njohin ose jo personalisht. Madje edhe kamerieri i lokalit, ku pimë një kafe para intervistës, u mundua me të gjitha mënyrat që kafja e Vikenës të ishte më e mirë, që t’i bënte qejfin si të mundej… Janë dhjetëra gjëra të vogla që e mbajnë ende mbi re.. Të paktën edhe ca ditë. Sapo ka luajtur Sharlotën, një nga rolet më të vështira të operistikës botërore dhe nga më të rëndësishmit për një mexosoprano. Rebelja Karmen apo Esmeraldë u kthye në një vajzë që sakrifikon dashurinë e saj për të mbajtur një premtim, dhënë nënës së saj. Një shndërrim i jashtëzakonshëm, të cilin mexosopranoja e përjetonte jo vetëm në skenë. Nëse të binte rasti të shihje Vikenën ato ditë, ajo dukej sikur nuk ecte, por lundronte… Roli e kishte rrëmbyer të gjithën.. Por emocioni i madh është shkarkuar dhe tani ajo mund të ndajë diçka me ne, për rolin, partnerin, të ardhmen, shpresën..
Tani perdet janë ulur dhe ndoshta pak më e ftohtë mund të na thoni për atë çka ju dha roli i Sharlotës…
Është një nga rolet më të vështira teknikisht dhe artistikisht. Qysh në krye të herës, bashkë me regjisoren thamë se duhet të mendoheshim mirë për të ndërtuar pozicionin e Sharlotës, atë që ajo përfaqëson dhe mbron me dëshpërim. Në radhë të parë do mbronte një premtim dhënë nënës së saj, do të mbronte nga sytë e botës një dashuri të madhe, si ajo për Verterin dhe dhimbjen akoma më të madhe, për të mos e shprehur këtë dashuri. Shpesh diskutohet se kush e ka fajin për vetëvrasjen e Verterit. Shumë ia veshin Sharlotës.. Kështu që, ajo mban edhe peshën e fajit për vuajtjen që i shkakton atij. Nga akti në akt, ajo mbytet në ngashërimin e saj. Gjendja emocionale është në ndryshim të vazhdueshëm. Sepse fillon qysh në aktin e parë me dashurinë me shikim të parë, pastaj martesa e saj që duhet ta mbajë larg Verterin, largimi i tij i pashpresë, pritja që të kthehet për Krishtlindje, kur ajo i ka lënë takim, shprehja e dashurisë me arien e mrekullueshme “Pourquoi tu me reveiller”, shkëmbimi i puthjes së parë… deri në aktin e vdekjes, që sigurisht është shumë e ngarkuar emocionalisht. Teksa përgatisja këtë rol dhe flisja me kolegët e mi, më thoshin: “Ti ende nuk e di se çfarë peshe ka ky rol. Dhe kjo ishte e vërtetë. Kur mbarova, pyesja veten nëse çfarë kisha përjetuar, ua kisha përcjellë të tjerëve, por kur pashë njerëz të përlotur, kjo e shoi dilemën time.
Duhet thënë se publiku ju do, sepse ndër të tjera edhe e jetoni rolin. Por kësaj here, dukej sikur jetonit me të edhe jashtë skene, çfarë ndodhi?
Duhet thënë që për shumë arsye, kjo vepër pati shumë pak kohë për t’u përgatitur. Për shkak të kalendarit të ngjeshur, Saimiri kishte pak kohë në dispozicion. Duke qenë një periudhë kaq e shkurtër, unë nuk kisha kohë të ndahesha nga roli dhe në njëfarë mënyre e kam sforcuar veten që të jetoja me të, që të mbaja gjallë emocionin deri në fund të veprës. Unë rolet i marr me dashuri, pavarësisht se çfarë peshe kanë ato, në mënyrë që të jenë prezent në skenë. Asnjëherë nuk e kam anashkaluar anën interpretative të veprës. Këndojmë fjalën dhe jemi ne që i japim asaj emocion. Opera është teatër i muzikuar dhe të vjen keq nëse fjalës nuk i jep peshën që meriton.
“Verteri” nuk mund të kuptohet pa marrëdhënien e ndërsjellë mes dy partnerëve, si ishte ky bashkëpunim me Saimir Pirgun?
Ka qenë një bashkëpunim shumë komod. Saimiri ka një eksperiencë të mirë dhe cilësore, përcillte emocion në skenë dhe të jepte dorë në atë që ti bëje. Që në provën e parë, e ndjeva këtë dhe u mundova t’ia kthej. Ne e kuptuam se kjo do t’i jepte vlerë veprës. Kjo është edhe ajo çka më ka pëlqyer dhe që jo gjithnjë më ka ndodhur. Edhe në momentet kur isha e kthyer me shpinë nga publiku, jam munduar që të mos dal nga roli, por me anë të mimikës e kam mbështetur interpretimin e tij. Një partner indiferent ta rrëzon gjendjen emocionale.
Por emocion pati në vepër, këtë e përforcuan ndoshta edhe puthjet që u shkëmbyen me partnerin… Ndodh rrallë kjo gjë në skenat tona..
Ato ishin elemente, që në vepër erdhën në mënyrën më të shkompleksuar. Puthja, përqafimi, janë elemente, të cilat duhen shfrytëzuar nga këngëtari, nga aktori, për të përcjellë emocion. Nëse ke marrë përsipër të luash një rol të caktuar, ti jeton me rolin. Në skenë nuk ka më Vikena, Saimir apo Armando. Ne jemi personazhet. Ne e jetuam këtë vepër me pasion dhe e çuam deri në fund. Aq më tepër që e parashikonte vepra. Massenet ka shkruar për atë puthje. Është puthja e munguar, pastaj rrëmbimi i saj, tronditja që ajo shkaktoi… Gjithsesi, ajo që më kënaq është fakti që publiku ka dalë nga salla i emocionuar.
Ju kemi parë në role femrash rebele, si Karmeni, psh., por keni luajtur edhe role djelmoshash, Sharlota ishte tërësisht tjetër gjë. Përbënte kjo një “thyerje” për ju?
Artisti nuk duhet të përsërisë asnjëherë veten, megjithatë ia kisha frikën Sharlotës, për shkak të anës emocionale që ajo mbartte. Por Sharlota e bëri të vetën, dha anën time më të mirë, zbuloi diçka të re tek unë. E ndjeva se dhashë diçka plus. Kësaj iu shtua dhe ana teknike shumë e vështirë. Sharlota përbën një arritje për një mexosoprano.
Çfarë ka pas Sharlotës?
Sigurisht që ka shumë pas Sharlotës. Por e mira e operës është që riciklon veten. Edhe nëse përsëris prapë të njëjtat role, do të isha e kënaqur, sepse kam mundësi për t’u përmirësuar, për të dhënë më shumë, sepse arrin një pjekuri moshe, pjekuri vokale. Ka shumë vepra të tjera në sirtar, ashtu si prej 6 vitesh ishte Verteri. Mendoni, e kam parë në vitin 2005 në Operën Shtetërore të Vjenës dhe më pëlqeu aq shumë, saqë e bleva librin me partitura.. Dhe erdhi tani koha që të shpluhurohej. Kam vepra të tjera në mendje, koncerte.., por unë bëhem pak supersticioze…
Na tregoni, çfarë ndodh me ju përpara shfaqjeve?
Periudha para shfaqjes është e vështirë. Mikesha ime, Merita Rexha, gjatë kësaj periudhe më thotë: Nuk po të ngacmoj, se je në zonën e kuqe. Ndien se ajo vala e emocionit sa vjen edhe rritet, dhe situata është pak stresuese, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time, njerëzit që më rrethojnë. Jam e papërqendruar, gati më humbet edhe vështrimi, dhe më vjen keq që nuk u kushtoj dot njerëzve vëmendjen që do të doja..
Çfarë ndjetë në fund të veprës, natën e fundit kur thatë “Tout es fini” (Gjithçka mbaroi)?
Natën e katërt, kur dëgjova notën e tij të fundit, kur ai (Verteri) vari kokën, thashë “Mbaroi vërtet” dhe ajo “Tout es fini!”, më ka dalë me gjithë shpirt. Ishte një vepër që më ka dhënë emocione shumë të bukura dhe një dimension shpirtëror, që nuk e merr nga vepra të tjera. Ky ishte një nga ato emocione që njerëzit e kërkojnë në jetë.
Por cili është emocioni që keni marrë nga njerëzit?
Kanë qenë mesazhe pa fund, shumë të bukura, por ajo që më ka bërë përshtypje, ishte se njerëz të ndryshëm që nuk kishin të bënin fare me njëri-tjetrin, më kanë çuar mesazhe gati-gati të njëjta. Duket se ndjesia e përçuar ka qenë e njëjtë tek të gjithë. Kur nisa “Verterin”, e mendoja si veprën e radhës, për të cilën do të mundohesha të bëja më të mirën, por nuk e dija se do të më jepte një emocion kaq të madh. Ishte e paparashikuar..
Do të donit ta interpretonit prapë?
Patjetër. Tani vepra vetëm piqet. E ndiej se e kam nën lëkurë dhe dua pa diskutim ta luaj prapë, sepse ndiej që mund t’i jap këtij roli edhe më shumë.
Ju vjen keq që nuk këndoni në një teatër të huaj, që “shorti” ju ka rënë pikërisht këtu?
Secili e ndërton fatin e vet ashtu si do. Mua gjërat më vijnë, atëherë kur dua unë. Jam futur në punë, qëkur kam mbaruar shkollën, por nuk jam marrë vetëm me opera, kanë qenë disa: muzika e lehtë, xhazi, muzikalet, spektaklet, televizioni.. Dhe gjithnjë i kam bërë këto atëherë kur më janë kërkuar, me shumë kënaqësi. Nuk më pëlqen monotonia, të bëj gjithnjë të njëjtën gjë. Dhe në këtë drejtim, unë në Shqipëri e kam ndier veten shumë mirë. Çdo eksperiencë më ka shërbyer, më kanë dhënë sigurinë, më kanë çliruar dhe më kanë ndihmuar të dal nga situata në çdo të papritur.
Nuk do të donit të merreshit vetëm tek opera?
Tani jam në momentin që dua më shumë nga vetja dhe operën dua ta lëvroj, ashtu si e meriton. Por duhet edhe fat. Kam krijuar një repertor timin dhe këtë nuk mund ta bësh më mirë se në vendin tënd. Në Shqipëri ndihem mirë, ndonëse duhen rregulluar shumë gjëra. Kemi nevojë për ndryshime rrënjësore dhe shpresoj që në vitet që vijnë, këto të ndodhin. Dua t’i jap optimizëm vetes, sepse nëse e humbasim edhe këtë, rrjedhimisht do të themi, përse rrimë këtu?! Atëherë duhet të ikim të gjithë… Duhet të kemi shpresë.
Alma Mile
© Panorama.al











