Gjykata e Lartë shqyrton të hënën, më 23 maj, në orën 13:30, kërkesën e ish-zëvendëskryeministrit Ilir Meta për pavlefshmërinë e videos së regjistruar nga ish-ministri Dritan Prifti, më 10 mars 2010 në Ministrinë e Ekonomisë.Ish-zëvendëskryeministri i kërkon Gjykatës së Lartë shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme, që e ka marrë si provë këtë video. Bëhet fjalë për video-përgjimin e regjistruar në zyrën e ish-ministrit Prifti, ku mes tij dhe ish-zv.kryeministrit përmendeshin shifrat 700 mijë euro dhe 7 për qind. Sipas pretendimeve të paraqitura në kërkesë-padi, avokatët e Metës pretendojnë se kjo video nuk mund të konsiderohet si provë, pasi ajo nuk është marrë në kushtet e kërkuara nga ligji. Ndërkohë, për shkak të dyshimeve të prokurorisë nga përmbajtja e kësaj videoje, ish-kryeminisri Meta u vu nën akuzë për “korrupsion”. Pak ditë më parë, dosja ku ai është i pandehur, është regjistruar për gjykim pranë Gjykatës së Lartë. Lajmi për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore të ankimit të Metës u konfirmuan nga burime zyrtare të kësaj Gjykate. Në anën tjetër, burime pranë Gjykatës konfirmuan se data e seancës së parë të gjykimit të dosjes në themel ku ish-kryeministri Ilir Meta është i akuzuar për “korrupsion”, ende nuk është përcaktuar. Duket se ecuria e gjykimit të kësaj dosjeje do të jetë krejtësisht “e varur” nga verdikti që do të marrë Gjykata e Lartë ditën e hënë, në lidhje me kërkesën për shfuqizimin e provës së pretenduar nga prokuroria. Kjo, për shkak se, nëse Gjykata e Lartë vendos të pranojë kërkesën e Metës për të shfuqizuar përdorimin e videos, automatikisht gjykata nxjerr të pa vlerë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme për të pandehurin Ilir Metën si dhe gjithë aktet tjera që burojnë nga “prova” e pretenduar konkretisht nga video-përgjimi.
DOSJET E METES
Javët e fundit në Gjykatën e Lartë janë regjistruar dy dosje ku palë ndërgjygjëse është ish-zv.kryeministri Ilir Meta. Kërkesë-padia e ish.zv.kryeministrit Meta me objekt “Shfuqizimin e vendimit të datës 08.03.2011 të Prokurorisë së Përgjithshme” u depozitua në Gjykatën e Lartë në 16 mars të këtij viti. Avokatët e Metës pretendonin në kërkesë papërdorshmërinë e videos si provë, pasi marrja e saj nuk përmbushte kriteret e përcaktuara nga ligji për mënyrën e marrjes së provës. Njëkohësisht, sipas avokatëve, i pavlefshëm duhet të konsiderohet edhe çdo akt i rrjedhur nga vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme që e ka marrë këtë video si provë. Shqyrtimi i kësaj kërkesë të hënën do të bëhet nga një kolegj penal me relator gjyqtarin Medi Bici.
Ndërkohë, pak ditë më parë, në Gjykatën e Lartë u regjistrua dosja ku ish-zv.kryeministri Meta është i pandehur për akuzën e “korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë”. Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet ndaj Metës pas publikimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” të një regjistrimi video-audio të një bisede mes tij dhe ish-ministrit Dirtan Prifti. Pas transmetimit të saj, në dalje publike Prifti e interpretoi bisedën e pasqyruar në video si favore të paligjshme, që i kërkoheshin atij nga ana e ish-zv.kryeministrit.
I dha Priftit 70 mijë euro në shtëpi, ish-zv.ministri padit Prokurorinë
TIRANE – Gjykata e Lartë do të shqyrtojë të hënën edhe një kërkesë të ish-zv.ministit të Ekonomisë, Leonard Beqiraj, ku “protagonist” është ish-ministri Dritan Prifti. Bëhet fjalë për kërkesën e Beqirajt, për kundërshtimin vendimit të Prokurorisë që ka marrë si provë një video ku mes tij dhe Priftit shkëmbehet një shumë parash prej 70 mijë euro. Ish-zv.ministri pretendon në kërkesë pavlefshmërinë e provës, pasi, sipas tij, ajo nuk është marrë konfrom ligjit. Videoja në fjalë u zbulua në lap-topin personal të ish-ministrit Prifti. Videoja ishte regjistruar nga Prifti në banesën e tij në Tiranë në mars të vitit 2010. Më pas ai e ka ruajtur atë në kompjuterin e tij dhe më vonë e ka fshirë nga aty. Por, gjatë hetimeve në lidhje me videon Meta-Prifti, një ekspert amerikan riktheu materialet e fshira nga lap-topi i Priftit, duke rikthyer kështu edhe videon në fjalë. Videoja nuk është publikuar, por është administruar në dosjen e Prokurorisë. Pas sigurimit të kësaj prove, Prokuroria nisi hetime ndaj Beqirajt dhe Priftit, hetime të cilat vazhdojnë. Ditën e hënë kërkesa e Beqirajt për “shfuqizimin e vendimit të datës 10.03.2011 të Prokurorisë së Përgjithshme”, do të shqyrtohet nga një Kolegj Penal me relator gjyqtaren Arjana Fullani. ar.ba
Kodi: Përgjimi autorizohet nga Gjykata
Neni 222 i Kodit të Procedurës Penale sqaron procedurat e kryerjes së përgjimit. Në pikën e parë të nenit, me titull “Vendimi për lejimin e përgjimit”, thuhet se: 1. “Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës. Kundër vendimit të gjykatës që refuzon kërkesën, mund të bëhet ankim i veçantë. Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori”. Sipas nenit, “kur njëri nga dy personat që do të përgjohen është i gatshëm të kryejë dhe të regjistrojë veprimin përkatës, sipas marrëveshjes me oficerin e policisë gjyqësore, veprimi është i lejuar me autorizim të prokurorit”. I njëjti nen në pikën 2 të tij thekson se “kur ka arsye të bazuara për të menduar se nga vonesa mund t’i vijë një dëm i rëndë hetimeve, prokurori vendos përgjimin me akt të motivuar dhe njofton gjykatën menjëherë, por jo më vonë se njëzet e katër orë”. Sipas Kodit të Procedurës, “Gjykata brenda dyzet e tetë orëve nga vendimi i prokurorit bën vleftësimin me vendim të arsyetuar. Kur vleftësimi nuk bëhet në afatin e caktuar, përgjimi nuk mund të vazhdojë dhe rezultatet e tij nuk mund të përdoren”, thuhet në ligj.
Armand Bajrami
© Panorama.al











