Qarkullonte me pistoletë pa leje dhe me fenelinë policie në makinë për t’iu shmangur kontrolleve, arrestohet 32-vjeçari i dyshuar nga Peqini.
Operacioni i koduar “Kamuflimi” nga Policia e Elbasanit, ka zbuluar aktivitetin e paligjshëm të të riut dhe po verifikon përfshirjen e tij në ndonjë ngjarje tjetër të mundshme kriminale.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Qarkullimit Rrugor, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kamuflimi”. Si rezultat i këtij operacioni, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi E. E., 32 vjeç, banues në Peqin”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Gjatë patrullimit, policia tha se “i dyshuari u lokalizua në fshatin Bradashesh, duke drejtuar një automjet tip “Audi”, në pjesën e përparme të të cilit kishte vendosur fenelina të ngjashme me ato të Policisë, me qëllim kamuflimin si mjet zyrtar dhe shmangien e kontrolleve nga shërbimet”.
Pistoleta iu gjet e vendosur poshtë pjesës së timonit, në zonën e pedaleve të mjetit, brenda një dhome të fshehtë.
“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri pistoletë me fishekë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me fenelinat dhe automjetin”, sqaroi policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “mbajtja pa të drejtë e uniformës”.
© Panorama.al
















