VIDEO/ Tentoi të vidhte Exchange me pistoletë lodër, momenti kur i riu ikën me vrap pasi punonjësja i ra alarmit

Jun 12, 2026 | 11:10

Një 23-vjeçar është arrestuar në flagrancë pasi tentoi të vidhte në një pikë këmbimi parash në zonën e Shkozës, duke kërcënuar punonjësit me një send në dukje armë zjarri, që rezultoi të ishte plastike.


Sipas Policisë, menjëherë pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 ndërhynë me shpejtësi, duke bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin e autorit, shtetasit K. Y.

Gjatë kontrollit në zonë u sekuestrua edhe sendi i përdorur prej tij, në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i policisë: 

Tiranë

Tentoi të vidhte në një subjekt për transferta parash në Shkozë, duke i kërcënuar punonjësit me një send në dukje armë zjarri (por plastike), por falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, autori u neutralizua dhe u vu në pranga.

Sekuestrohet sendi i përdorur gjatë tentativës, i dyshuar si armë zjarri (por plastike).

Menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte hyrë në ambientet e një subjekti për transferta parash dhe, nën kërcënimin e një sendi që dyshohej se ishte armë zjarri, kishte tentuar të vidhte një shumë parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 organizuan punën dhe ndërhynë menjëherë për kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë i mundur neutralizimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. Y., 23 vjeç.

Gjatë kontrollit të zonës përreth u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sendi i përdorur prej tij gjatë ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, ndërsa vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

© Panorama.al

Te lidhura