VIDEO/ Sulmi vdekjeprurës në Universitetin Brown në SHBA, publikohen pamjet e reja të autorit! I veshur me të zeza, maskë dhe kapele, por ende i lirë

Dec 16, 2025 | 16:55

Autoritetet e Rhode Island në SHBA publikuan të hënën në mbrëmje foto dhe video të reja të autorit të të shtënave të së shtunës në Universitetin Brown, ku u vranë dy persona dhe u plagosën nëntë të tjerë.

shba sulmi universitet

Ato tregojnë një burrë të veshur me të zeza, me maskë dhe kapelë, duke ecur nëpër rrugët e Providence, kryeqytetit të Rhode Island, ku ndodhet universiteti i famshëm Ivy League.

“Po kërkojmë ndihmën e publikut për të identifikuar këtë person”, tha shefi i policisë, Oscar Perez, gjatë një konference për shtyp vonë pasditen e djeshme.

“Është thelbësore të bashkohen lëvizjet e këtij burri, si para ashtu edhe pas. Shpresoj që përfundimisht të gjejmë një model”, shtoi Guvernatori i shtetit Daniel McKee .

Ndërkohë, forcat e rendit janë përforcuar në qytet.

“Ka ekipe të shumta që bëjnë gjëra të ndryshme: shqyrtimin e provave elektronike, identifikimin e provave fizike – domethënë, provat mjeko-ligjore nga vendi i ngjarjes – dhe kontrollin e rrugëve”, shpjegoi agjenti i FBI-së Ted Dox, duke shtuar se autori i krimit konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm nga autoritetet.

Ndërkohë, policia federale njoftoi se po ofron një shpërblim prej 50,000 dollarësh. Personi i armatosur vrau dy studentë të shtunën: Ella Cook, nënkryetare e Shoqatës Republikane Brown, dhe Mukhammad Aziz Umurzokov, një shtetas uzbek i cili donte të bëhej neurokirurg. Nga nëntë të plagosurit, njëri është në gjendje kritike, shtatë janë në gjendje të rëndë por të qëndrueshme, dhe i nënti është liruar. Shumica e provimeve të planifikuara për në fund të semestrit janë shtyrë, tha Brown, por shkolla mbetet e hapur. “Nuk ka asnjë kërcënim të ri, të besueshëm dhe specifik për komunitetin”, tha kryebashkiaku i Providence, Brett Smiley, gjatë një konference për shtyp. Megjithatë, “ne po përpiqemi t’i sigurojmë qytetarët tanë me një prani të përforcuar dhe të dukshme të policisë”. Masakra e fundit ka rindezur debatin mbi pronësinë e armëve, një e drejtë e mbrojtur nga Amendamenti i Dytë i Kushtetutës së SHBA-së. Në vitin 2024, më shumë se 16,000 njerëz u vranë nga armët në Shtetet e Bashkuara, sipas të njëjtit burim, pa llogaritur vetëvrasjet, ndërsa në vitin 2025 pati më shumë se 500 të shtëna masive.

Nga të gjitha këto masakra, ato të kryera në shkolla ose që synojnë fëmijët lënë një gjurmë më të thellë në kujtesën kolektive. Në vitin 2022, qyteti i Uvalde, Teksas, u zhyt në zi pas një të shtëne me armë në një shkollë fillore që vrau 19 nxënës dhe dy mësues.

Sulmi më vdekjeprurës në një mjedis arsimor në historinë e SHBA-së ndodhi në prill të vitit 2007 në Virginia Tech, kur një student vrau 32 persona para se të vriste veten.

© Panorama.al

Te lidhura