Reshje intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje të mëdha thuajse në të gjithë vendin, por situata më problematike shfaqet në Durrës.
Thuajse të gjitha lagjet e qytetit janë përmbytur, duke e bërë të pamundur lëvizjen e qytetarëve, të cilët e kanë gjetur zgjidhjen duke bërë sërf nëpër rrugët e kthyera në lumenj.
Po ashtu, në Durrës është përmbytur edhe nënkalimi i Velierës. Siç shihet edhe nga pamjet, autoritetet kanë vënë shiritin duke bllokuar lëvizjen, ndërsa uji po pastrohet me pompë.
Reshjet e dendura kanë shkaktuar probleme edhe në institucionet publike, ku raportohet se është përmbytur edhe burgu i Durrësit.
Si pasojë e situatës së rënduar, 8 familje janë evakuuar nga banesat e tyre, për shkak të rrezikut nga uji dhe dëmtimet e mundshme. Ndërkohë autoritetet kanë njoftuar se shkollat, kopshtet dhe çerdhet do të jenë pushim.
© Panorama.al
















