VIDEO/ Përpjekje për të zëvendësuar OKB?- Rama: Nëse i shërben ta zgjojë atë gjigant në agoni, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes!

Feb 19, 2026 | 17:16

Kryeministri Edi Rama tha nga Uashingtoni, gjatë fjalës së tij në inaugurimin e Bordit të Paqes në SHBA, se Shqipëria do të kontribuojë me forca ushtarake paqeruajtëse në Gaza.

Ai falënderoi presidentin Donald Trump për këtë nismë ndërkombëtare dhe shtoi se kjo nuk zëvendëson misionin e OKB-së, por nëse do i shërbente paqes në botë, atëherë sipas kryeministrit shqiptar, “Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”.

“Faleminderit që më keni ftuar të jem pjesë e këtij rrugëtimi. Zoti president, vota plotësisht e harmonizuar, dypartiake që parlamenti ynë pati në mbështetje të kësaj nisme flet vetë për sa e nderuar është Shqipëria që është një prej anëtareve themeluese të kësaj organizate të re. Shumë në BE thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara, por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar Kombet e Bashkuara, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigant në agoni dhe dashtë Zoti ta zgjojë, atëherë Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”, tha Rama në hyrje të fjalës së tij.

kryeministri Rama bordi i paqes

Më tej ai deklaroi se Shqipëria do bëhet pjesë me forca paqeruajtëse në Gaza, për të ndihmuar fëmijët që po vuajnë si pasojë e Hamasit, sepse ata janë të pafajshmit, ashtu sikurse edhe pengjet që u morën tre vite më parë.

Rama ftoi edhe vendet e tjera që të kontribuonin në këtë mision paqeruajtës dhe Bord, teksa nënvizoi se Shqipëria ndihet krenare që i është bashkuar.

“Zoti president, ne përgëzojmë rolin tuaj vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë propozoj që ky bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë. Duke bërë kështu, bota do të ndihmonte fëmijët e Gazës që janë pengjet më të të pafajshme të lunatizmit të Hamasit të rriteshin me praninë fizike të vargut më të madh të duarve që ka shtrënguar bashkë njerëzimi ndonjëherë, jo vetëm duke vendosur paratë por po kështu duke sjellë dhe arkitektët e tyre në mënyrë që bota të transformojë një plakë të historisë në një oazë shprese ku dhembshuria merr formë konkrete dhe e ardhmja merr formë rreth atyre që meritojnë më shumë, brezi i ardhshëm i palestinezëve. Shqipëria do të ishte e privilegjuar të bëjë pjesë e këtij vargu”, theksoi kryeministri.

rama1

© Panorama.al

Te lidhura